Kërko

Vatican News
 Ekspozitë ikonash e Etërve Bazilianë  në Romë Ekspozitë ikonash e Etërve Bazilianë në Romë 

Shtegtim virtual në Kishën e Fjetjes së Shën Marisë, në Kosinë të Përmetit

“Shtegtimi drejt shenjtëroreve” vijon drejt jugut të Shqipërisë, ku ka një mori kishash kushtuar Zojës e, posaçërisht Fjetjes së Hyjlindëses. Po nisemi sot virtualisht për në Përmet, ku do të vizitojmë kishën e Shën Marisë në Kosinë …

R. SH. - Vatikan

Shtegtari, që niset në kërkim të gjurmëve të Zojës në viset jugore të Shqipërisë, nuk mbetet kurrë i zhgënjyer. Gjen një mori kishash e kapelash, që meritojnë të kundrohen e të ngushëllojnë me atmosferën mistike të lutjes, e cila ndjehet fort nën strehët e tyre të punuara me art e dashuri. Sa u shkel në prag, të flasin për Krishtin, Zojën e Shenjtorët më në zë të traditës ortodokse. Po ata, që i takuam edhe në kishat katolike, sepse jemi nën hijen e të njëjtit Kryq. E edhe për vlerat e arkitekturës e të pikturës kombëtare, sepse, për fat, Shenjtorët e piktuar në mure, me teknikën e afreskut, e edhe disa ikona me vlera të rralla,  shpëtuan gjallë nga martirizmi i madh! Nga ikonosklastia e kohëve komuniste! Gjatë shtegtimit mund të ndalohemi tek Kisha e Fjetjes së Shën Mërisë, në Sopik, të  Gjirokastrës.  Në Sarandë, pastaj. Po  këtu shtegtimi duhet bërë me ngut, sepse  Manastiri i lashtë i Shën Mërisë, një vend i mahnitshëm lutjeje, është në zhdukje e sipër. Me sa duket banorët, gjatë periudhës së diktaurës e harruan se të vjedhësh, aq më tepër në kishë, është mëkat i madh e vunë dorë mbi vlerat e fundme, të shpëtuara nga koha kur martirizoheshin edhe ikonat! Por, ndërsa zhduket manastiri i Sarandës, rilind kisha 585-vjeçare “Fjetja e Shën Mërisë”, në Kosinë të Përmetit.

Kisha qe lënë 38 vjet në harresë. Që nga viti ’80, u aplikua i pari projekt restaurues në këtë kishë bizantine, me zanafillë që nga shek. XII,  mbi 500-vjeçare, e dyta në Ballkan për nga vjetërsia.  

Punimet restauruese u kryen sipas projektit të hartuar nga Instituti i Monumenteve të Kulturës, në bashkëpunim me bërthamën e projektimit të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Kisha e Kosinës doli nga harresa e gjatë në vitin 2011, kur u zhvarrosen eshtrat shekullore të 69 të vdekurve, me pretendimin e përfaqësuesve të Kishës Orthodhokse se bëhej fjalë për ushtarë.  Kështu fshati Kosinë, e me të, edhe Kisha e tij Kushtuar Fjetjes së Zojës, në rrënim, e sipër, u shkruan në listën e 100 fshatrave të Programit “Rrugët e Besimit”.

Ndërhyrja e fundit në këtë kishë të lashtë, monument kulture i kategorisë së parë, pati nisur në vitet ’80, por specialistët e restaurimit  deklaruan se teknikat e përdorura nuk ishin të përshtatshme për këtë objekt me vlera të mëdha arkitektonike e kulturore. Kisha doli përsëri në qendër të vëmendjes në vitin 2011 për shkak të hapjes së 69 varreve shekullore, që i kujtuam më sipër.

Mosha e “Fjetjes së Shën Mërisë” është saktësisht 558 vjeçare, sipas arkeologëve çekë, të cilët e patën vlerësuar si “Ndërtim i Vitit 1460”. Kjo kishë për vlerat e saj pashoqe, u shpall Monument Kulture, i mbrojtur nga shteti që në vitin 1960. Kisha, edhe pse e stilit bizantin, ruan disa mistere të zanafillës ndërtimore vendase e, në pjesën e qemerëve, në anën veriperëndimore, ka disa mbishkrime të panjohura, ende të palexuara. Kështu Kisha e moçme pret studime të reja nga specialistët e arkeologjisë dhe historianët, që vonojnë ... Por pret edhe shtegtarët, të cilët luten para pikturave murale, fatbardhësisht të restaurua. Në qendër të vëmendjes, ikona Fjetja e Zojës....  Së cilës i tregojnë të fshehtat e zemrës, duke i kërkuar t’i nxjerrë nga Zoti hiret aq shumë të dëshiruara.

E më pas, kur dalin nga Kisha, shtegtarët mund të sodisin bukuritë mahnitëse të natyrës së këtyre viseve e të falënderojnë Krijuesin që i fali vendit tonë të varfër - kaq shumë pasuri!

17 gusht 2020, 09:05