Masa ligjore që krijonë varfëri: denoncimi i Caritas Internationalis
R. SH. - Vatikan
“Borxhi dhe masat kufizuese tregtare i shembin urat e mundësive për shpëtimin e popullsive të tëra, shumë përtej kufijve të vendeve të goditura drejtpërdrejt. Po kujtojmë një shembull, që e ka parasysh gjithë bota: Libanin. Si të mos i mjaftonte haraçi i rëndë i viteve të tëra të politikave të gabuara dritëshkurtëra, vendit i duhet të mbartë edhe peshën masave ndëshkimore të qeverisë siriane, që i pengojnë prej vitesh shkëmbimet tregtare. Beiruti e shikonte Damaskun si partnerin tregtar kryesor në rajon”. Për këtë e për probleme të tjera, që presin zgjidhje, u fol në Konferencën e shtypit streaming të paraqitjes së Raportit vjetor të Caritas Internationalis, mbajtur dje pasdite. Morën pjesë kryetari, kardinali Luis Antonio Gokim Tagle; sekretari i përgjithshëm i Caritas Internationalis, Aloysius John; kardinali Wilfrid Fox Napier, kryetar i Caritas Sud Africa e Rita Rhayem, drejtoreshë e Caritas Libani.
Një horizont i ri, në fjalët e kardinalit Tagle
Fjala e kardinalit Tagle ishte mesazh shprese, me bindjen se “shndërrimet e shumta, që i jetuam e vijojmë t’i jetojmë, janë rast për të ardhmen, për të ndërtuar një lidhje të re solidariteti”. Jemi një familje e vetme njerëzore - kujtoi kryetari i Caritas Internationalis - e ndjenja e afërsisë, që e ringjalli pandemia duke i goditur të gjithë njëlloj, pa bërë asnjë dallim, nuk mund të mos lërë asnjë shenjë! E as të mos kërkojë përgjigje të reja, për pyetjet e vjetra. E kur flasim për pandeminë, nuk do parë si ngjarje që ngjall emocione të çastit - kujtoi kardinali Tagle - por edhe si ngjarje, e cila na nxit t’i lufojmë me forcë urinë, luftërat, dhunën, që shkatërrojnë jetën e miliona njerëzve, duke i lënë pa punë, pa bukë, pa dinjitet. E, duke kujtuar fjalët e Papës Françesku te “Lavdëruar qofsh”, Kardinali Tagle përsëriti thirrjen për ndalimin global të zjarrit. Sepse njerëzimit i del e i tepron vetëm “zjarri i etheve të pandemisë”, që nuk ka përfunduar ende.
Shikim i veçantë drejt Lindjes së Mesme
Kuadrin, që përshkruhet në Raportin e Caritas Internationalis, e shpjegoi sekretari i përgjithshëm i Organizatës, Aloysius John, i cili nënvizoi se “në gjashtë muajt e fundit situata në Lindjen e Mesme është keqësuar më tej e se masat ndëshkimore ekonomike dhe embargoja mbi Sirinë e rënduan më tej këtë prirje”. Aloysius John shprehu bindjen se “Masat ndëshkimore të njëanëshme, pa dialog e pa bisedime, nuk i shërbejnë kurrë qëllimit, përkundrazi, i kundërvihen”. Masat ndëshkimore, si mjet politik, nuk ia kanë arritur kurrë qëllimeve të dëshiruara, përkundrazi, kanë shkatërruar mijëra jetë njerëzish, që nuk kanë para as të blejnë bukën e përditshme”. Çmimet janë rritur frikshëm, njerëzit nuk kanë para, sepse nuk kanë as punë. Çka kanë me të tepërt, është zemërimi kundër bashkësisë ndërkombëtare, edhe ajo e sëmurë, e jo vetëm nga Covid-19. E kjo, sepse të varfërit e paguajnë gjithnjë haraçin më të lartë. E në këto kohë, ndërmjet vendeve të shumta, që kalojnë orë dramatike, bota shikon me shqetësim Libanin, që ka qenë gjithnjë model e mesazh i lirisë dhe i ekuilibrit për mbarë Lindjen e Mesme, me pluralizmin e tij, shembullor për Lindjen dhe Perëndimin”- siç e quante Gjon Pali II.
Fjalë të ashpra kundër masave ndëshkimore
Aloysius John pohoi se masat ndëshkimore nuk janë tjetër, veçse mjete “për mbytjen pasive të njerëzve të pafajshëm”. I quajti këto masa të padrejta, që dëmtojnë njerëzit më të ligshtë, e sidomos gjatë Pandemisë së Covid-19. Sipas tij, këto masa, veç thellimit të mëtejshëm të varfërisë në botë, po krijojnë një truall shumë pjellor për terrorizmin.
Angazhimi i organizmit kishtar gjatë kohës së pandemisë
Për t’i bërë ballë emergjencës së Covid-19, Caritas Internationalis financoi 23 projekte e 14 të tjera u miratuan këto ditë. Falë tyre, mijëra familje u ndihmuan me ushqime të bazës, me kite për higjienën, sapun, panolini e me ndihma për të paguar qiranë e për të plotësuar nevojat e tjera të ngutshme. U kryen mijëra aksione të vogla, por tepër të rëndësishme, për të përballuar sulmin e virusit, në vendet më të varfra të botës: nga Ekuadori, në Burkina Faso. Janë më se 2 milionë, njerëzit që marrin ndihma në të katër anët e botës. Po bota ka edhe qindra mijëra të tjerë, që presin ndihmë me dorën e shtrirë në udhëkryqet e saj.
Alarm i FMI në prag të G20
U kujtua se lockdown e paralizoi ekonominë globale, gjë që ndjehet fort në Evropë, në SHBA-të, Kinë, Japoni. Ndaj Karitasi u bën thirrje të gjithëve për përgjegjësi, duke pasur parasysh se vendet e mëdha, që janë edhe donatoret e mëdha, u prekën më shumë nga pandemia. Prej këndej përdorimi i ndihmave ndërkombëtare për të zgjidhur problemet kombëtare nuk është i mjaftueshëm. E, ndonëse vërehen sinjale ringjalljeje, shqetësimi mbetet pezull mbi kokat e njerëzve, që e varin jetën tek ndihmat. Ky realitet pasqyrohet dhe në Raportin e Fondit Monetar Ndërkombëtar, në dokumentin e përgatiur për G20 të ministrave të financave dhe të guvernatorëve të bankave qëndrore, që do të mbahet nesër. G20 i kërkohet “përpjekje kolektive”, për t’i dhënë fund krizës financiare e për rifillimin e zhvillimit”.
Në rrezik urie më se 230 milionë njerëz
Sipas World Food Program, numri i njerëzve që rrezikohen të vdesin nga uria në botë, mund të dyfishohet e të arrijë deri në 230 milionë vetë. Në Afrikë mungon ushqimi e në shumë vende po afrohet koha e përmbytjeve, e thatësirës, e sulmit të karkalecave dhe e të korrave të pamjaftueshme për të siguruar kafshatën e bukës thatë! Më të rrezikuar janë migrantët, të shpërngulurit e brendshëm, refugjatët dhe të riatdhesuarit, si ata të Venezuelës. Veçanërisht kritike, situata e migrantëve të parregullt, sepse nuk bëjnë pjesë në asnjë kategori, prej këndej nuk mund të marrin as ndihmat e nevojshme, pa të cilat nuk mund të jetojnë!