Konferenca e shtypit e Caritas Internationalis Konferenca e shtypit e Caritas Internationalis 

Masa ligjore që krijonë varfëri: denoncimi i Caritas Internationalis

Të shlyhet borxhi i vendeve të varfëra e të rishikohen masat ndëshkimore që dëmtojnë civilët, pa sjellë kurrfarë fryti: kjo, thirrja e Caritas Internationalis në konferencën e shtypit streming të paraqitjes së Raportit të saj vjetor. Kryetari, kardinali Tagle, uroi të lindin shpresa të reja për të ardhmen, përveç përfundimit të krizës shëndetësore, duke kërkuar edhe që të punohet për ndalimin global të ndeshjeve të armatosura.

R. SH. - Vatikan

“Borxhi dhe masat kufizuese tregtare i shembin urat e mundësive për  shpëtimin e popullsive të tëra, shumë përtej kufijve të vendeve të goditura drejtpërdrejt. Po kujtojmë një shembull, që e ka parasysh gjithë bota: Libanin. Si të mos i mjaftonte haraçi i rëndë i viteve të tëra të politikave  të gabuara dritëshkurtëra, vendit i duhet të mbartë edhe peshën masave ndëshkimore të qeverisë siriane, që i pengojnë prej vitesh shkëmbimet tregtare. Beiruti e shikonte Damaskun si partnerin tregtar kryesor në rajon”. Për këtë e për probleme të tjera, që presin zgjidhje, u fol  në Konferencën e shtypit streaming të paraqitjes së Raportit vjetor të Caritas Internationalis, mbajtur dje pasdite. Morën pjesë kryetari, kardinali Luis Antonio Gokim Tagle; sekretari i përgjithshëm i Caritas Internationalis, Aloysius John; kardinali Wilfrid Fox Napier, kryetar i Caritas Sud Africa e Rita Rhayem, drejtoreshë e Caritas Libani.

Një horizont i ri, në fjalët e kardinalit Tagle

Fjala e kardinalit Tagle ishte mesazh shprese, me bindjen se “shndërrimet e shumta, që i jetuam e vijojmë t’i jetojmë, janë rast për të ardhmen, për të ndërtuar një lidhje të re solidariteti”. Jemi një familje e vetme njerëzore - kujtoi kryetari i Caritas Internationalis -  e ndjenja e afërsisë, që e ringjalli pandemia duke i goditur të gjithë njëlloj, pa bërë asnjë dallim, nuk mund të mos lërë asnjë shenjë! E as të mos kërkojë përgjigje të reja, për pyetjet e vjetra. E kur flasim për pandeminë, nuk do parë si ngjarje që ngjall emocione të çastit - kujtoi kardinali Tagle - por edhe si ngjarje, e cila na nxit t’i lufojmë me forcë urinë, luftërat, dhunën, që shkatërrojnë jetën e miliona njerëzve, duke i lënë pa punë, pa bukë, pa dinjitet. E, duke kujtuar fjalët e Papës Françesku te “Lavdëruar qofsh”, Kardinali Tagle përsëriti thirrjen për ndalimin global të zjarrit. Sepse njerëzimit i del e i tepron vetëm “zjarri i etheve të pandemisë”, që nuk ka përfunduar ende.

Shikim i veçantë drejt Lindjes së Mesme

Kuadrin, që përshkruhet në Raportin e Caritas Internationalis, e shpjegoi   sekretari i përgjithshëm i Organizatës, Aloysius John, i cili nënvizoi se “në gjashtë muajt e fundit situata në Lindjen e Mesme është keqësuar më tej e se masat ndëshkimore ekonomike dhe embargoja mbi Sirinë e rënduan më tej këtë prirje”. Aloysius John shprehu bindjen  se “Masat ndëshkimore të njëanëshme, pa dialog e pa bisedime, nuk i shërbejnë kurrë qëllimit, përkundrazi, i kundërvihen”. Masat ndëshkimore,  si mjet politik, nuk ia kanë arritur kurrë  qëllimeve të dëshiruara, përkundrazi, kanë shkatërruar mijëra jetë  njerëzish, që nuk kanë para as të blejnë bukën e përditshme”. Çmimet janë rritur frikshëm, njerëzit nuk kanë para, sepse nuk kanë as punë. Çka kanë me të tepërt, është zemërimi kundër bashkësisë ndërkombëtare, edhe ajo e sëmurë, e jo vetëm nga Covid-19.  E kjo, sepse të varfërit e paguajnë gjithnjë haraçin më të lartë. E në këto kohë, ndërmjet vendeve të shumta, që kalojnë orë dramatike, bota shikon me shqetësim Libanin, që ka qenë gjithnjë model e mesazh i lirisë dhe i ekuilibrit për mbarë Lindjen e Mesme, me pluralizmin e tij, shembullor për Lindjen dhe Perëndimin”- siç e quante Gjon Pali II.

Fjalë të ashpra kundër masave ndëshkimore

Aloysius John pohoi se masat ndëshkimore nuk janë tjetër, veçse mjete “për mbytjen pasive të njerëzve të pafajshëm”. I quajti këto masa të padrejta, që dëmtojnë njerëzit më të ligshtë, e sidomos gjatë Pandemisë së Covid-19.  Sipas tij, këto masa, veç thellimit të mëtejshëm të varfërisë në botë, po krijojnë një truall shumë pjellor për terrorizmin.

Angazhimi i organizmit kishtar gjatë kohës së pandemisë

Për t’i bërë ballë emergjencës së Covid-19, Caritas Internationalis financoi 23 projekte e 14 të tjera u miratuan këto ditë. Falë tyre, mijëra familje u ndihmuan me ushqime të bazës, me kite për higjienën, sapun, panolini e me ndihma për të paguar qiranë e për të plotësuar nevojat e tjera të ngutshme. U kryen mijëra aksione të vogla, por tepër të rëndësishme, për të përballuar sulmin e virusit, në vendet më të varfra të botës: nga Ekuadori, në Burkina Faso. Janë më se 2 milionë, njerëzit që marrin  ndihma në të katër anët e botës. Po bota ka edhe qindra mijëra të tjerë, që presin ndihmë me dorën e shtrirë në udhëkryqet e saj.

Alarm i FMI në prag të G20

U kujtua  se lockdown  e paralizoi ekonominë globale, gjë që ndjehet fort në Evropë, në SHBA-të, Kinë, Japoni. Ndaj Karitasi u bën thirrje të gjithëve për përgjegjësi, duke pasur parasysh se vendet e mëdha, që janë  edhe donatoret e mëdha, u prekën më shumë nga pandemia. Prej këndej  përdorimi i ndihmave ndërkombëtare për të zgjidhur problemet kombëtare nuk është i mjaftueshëm. E, ndonëse vërehen sinjale ringjalljeje, shqetësimi mbetet pezull mbi kokat e njerëzve, që e varin jetën tek ndihmat. Ky realitet pasqyrohet dhe në Raportin e Fondit Monetar Ndërkombëtar, në dokumentin e përgatiur për G20 të ministrave të financave dhe të guvernatorëve të bankave qëndrore, që do të mbahet nesër. G20 i kërkohet “përpjekje kolektive”, për t’i dhënë fund krizës financiare e për rifillimin  e zhvillimit”.

Në rrezik urie më se 230 milionë njerëz

Sipas World Food Program, numri i njerëzve që rrezikohen të vdesin nga uria në botë, mund të dyfishohet e të arrijë deri në 230 milionë vetë. Në Afrikë mungon ushqimi e në shumë vende po afrohet koha e përmbytjeve, e thatësirës, e sulmit të karkalecave dhe e të korrave të pamjaftueshme për të siguruar kafshatën e bukës thatë! Më të rrezikuar janë migrantët, të shpërngulurit e brendshëm, refugjatët dhe të riatdhesuarit, si ata të Venezuelës. Veçanërisht kritike, situata e migrantëve të parregullt, sepse nuk bëjnë pjesë në asnjë kategori, prej këndej nuk mund të marrin as ndihmat e nevojshme, pa të cilat nuk mund të jetojnë!

17 korrik 2020, 12:32