Kërko

Vatican News

39-vjeçari pranon se i ka vënë zjarrin katedrales së Nantes

Është fjala për një vullnetar, i cili, një javë pasi i vuri zjarrin katedrales së Nantes, pranoi fajin. Mund të dënohet me 10 vjet burg. Zjarri, patën shkruar ipeshkvijtë francezë, plagosi zemrën e çdo besimtari.

R.SH. - Vatikan

Atë 18 korrik, as dhjetë ditë më parë, askujt nuk i shkonte ndërmend se një katedrale tjetër franceze, pas asaj të Notre-Dame, do të pësonte të njëjtin fat. Flakët në katedralen gotike të shën Pjetrit e të shën Palit në Nantes, u dukën për herë të parë rreth orës 7.30, herët në mëngjes. Zjarri – u mor vesh më vonë – ishte vënë në tri pika të ndryshme dhe shkatërroi krejtësisht organon kryesore, bëri copë-copë xhamat e dritareve dhe nxiu muret e kishës, që daton në shekullin XV. Autoritetet franceze arrestuan një vullnetar, të cilit i ishte dhënë detyra për ta mbyllur katedralen. 39 vjeç, me kombësi ruandeze, e pranoi dje përgjegjësinë, siç njofton avokati i tij.

Të panjohura, arsyet

          U ndal që në fillim e pastaj u lirua, por kur e morën sërish në pyetje, rrëfeu gjithçka. Tani për tani, nuk dihet arsyeja e gjestit, për të cilin ka rrezik të dënohet me 10 vjet burg e me një gjobë prej 150 mijë eurosh. Hetuesit po verifikojnë nëse është fjala për një problem dokumentesh, për të cilat ruandezi nuk ka pasur përkrahjen e mjaftueshme. Në Francë, njerëzit patën frikë se zjarri do të përhapej, ashtu siç ndodhi me katedralen e Notre-Dame në Paris, në prill 2019. Në një deklaratë, ipeshkvijtë francezë, duke folur në emër të gjithë katolikëve vendas, vunë në dukje sa u dhimbte zemra të gjithë atyre, që e shohin katedralen jo vetëm si trashëgimi fetare e artistike, por si simbol të fesë katolike.

Nuk është zjarri i parë

Katedralja e shën Pjetrit dhe e shën Palit në Nantes u ndërtua për 450 vite me radhë, nga 1434-a deri më 1891. U shkatërrua pjesërisht nga flakët më 28 janar 1972. Një punëtor, që po bënte riparime në çati, i vuri zjarr aksidentalisht ndërtesës me një saldatriçe. Katedralja e Nantes u kthye në shkëlqimin e parë pas 13 vitesh pune. Fatkeqësisht, mbyllet sërish, për shkak të flakëve të këtij korriku.

27 korrik 2020, 10:50