Kërko

 Katedralja e Nantes Katedralja e Nantes 

Zjarri në katedralen e Nantes. Ipeshkvijtë francezë: u plagos zemra e besimtarëve

Është ndaluar një burrë, një vullnetar. Po prokurori Pierre Sennès thekson se “çdo pohim që bëhet për këtë njeri lidhur me ngjarjen, është i parakohshëm dhe i nxituar”.

R. SH. - Vatikan

U ndalua një burrë në Nantes, me pandehmën se ka të bëjë me zjarrin që ra dje në katedrale. Njoftimin e dha kanali francez i lajmeve Bfm. Është fjala për një vullnetar që, një ditë para zjarrit, qe ngarkuar të mbyllte me kyç derën e kishës. Vijon shqyrtimi i sjelljeve të tij. Prokurori Pierre Sennès e quajti të arsyeshme të nënvizojë se “çdo pohim që bëhet për këtë njeri lidhur me ngjarjen, është i parakohshëm dhe i nxituar”.

Hetimet vijojnë

Policia shkencore vijoi edhe sot  hetimet. Flitet për zjarr të vënë me qëllim,  po deri tani nuk janë gjetur gjurmë, që ta vërtetojnë këtë pandehmë. Kryeministri Jean Castex dhe disa ministra shkuan menjëherë në vendin e ngjarjes, duke premtuar angazhimin e shtetit për rindërtimin e për sqarimin e kësaj fatkeqësie, që shkatërroi kryesisht organon.

Ipeshkvijtë: u plagos zemra e besimtarëve

Në një komunikatë të Konferencës ipeshkvnore franceze shprehen ndjenjat e të gjithë katolikëve të vendit, duke nënvizuar se “pas zjarrit që ra mbi Shën Marinë së Parisit, në prill 2019,  e edhe mbi katedralen e Nantes, më 1972, jo vetëm që u shkatërrua një pjesë e trashëgimisë fetare, por u dëmtua edhe një simbol i fesë katolike, duke plagosur  zemrat e të gjithë atyre, për të cilët ndërtesa të tilla janë vende lutjeje, strehë shpirtërore e pika mbështetjeje për fenë”.

Katolikët e Francës, në lutje

Ipeshkvijtë e Francës i ftojnë katolikët të bashkohen në lutje për t’i mbështetur katolikët e Nantes dhe bëjnë të ditur se presidenti i Republikës, Manuel Macron, foli, nga Belgjika, ku ndodhej, me kryetarin e Konferencës Ipeshkvnore të Francës, imzot Eric de Moulins-Beaufort, për t’i komunikuar dhimbjen e tij: “Desha të shprehja lidhjen e bashkësisë kombëtare me bashkësinë katolike përballë kësaj drame të re” - lexohet në notë.

19 korrik 2020, 12:58