Të meditojmë me Ungjillin e së Dielës V pas Pashkëve 'A'
R.SH. - Vatikan
Nga Ungjilli shenjt sipas Gjonit (Gjn 14, 1-12):
1 “Mos t’ju shqetësohet zemra! Besoni në Hyjin, edhe në mua besoni! 2 Në shtëpinë e Atit tim ka shumë banesa… Po shkoj t’ju bëj gati vendin… 3 do të vij prapë e do t’ju marr tek unë, që aty ku jam unë, të jeni edhe ju. 4 Ku shkoj unë, ju e dini rrugën”. 5 “Zotëri - i tha Toma - Ne s’dimë kah po shkon. Si, pra, mund ta dimë udhën?” 6 Jezusi iu përgjigj: “Unë jam Udha, e Vërteta dhe Jeta”... 8 Filipi i tha: “Zotëri, na e dëfto Atin e na mjafton!” 9 “O Filip - i tha Jezusi - kaq shumë kohë jam me ju e nuk më njohe ende? Kush më ka parë mua, ka parë edhe Atin”.
Të lutemi së bashku:
“Ku është Zoti? Unë nuk e shoh!”.
Frazë që dëgjohet shpesh
ndoshta, me një ton të ndryshëm,
që nxjerr në pah ndjenjat e folësit.
Dëgjohet nga buzët e fëmijëve
në katekizëm, si pyetje e sinqertë,
shenjë e dëshirës së fuqishme për të parë e për të prekur.
Kuptohet nga buzët e atyre që,
burrë a grua, vuan tejet mase
aq sa nuk beson se ka vërtet një Zot,
i cili vigjëlon mbi krijesat e veta.
Nganjëherë, është sfidë
nga ana e të rinjve dhe e të rriturve,
që nuk duan e nuk mund të besojnë,
e nuk kuptohet mirë sa dëshirojnë ta shohin Zotin vërtet.
Pyetje, që përvijohet edhe mbi buzët e të moshuarve,
që nuk mund të pranojnë
se po i lënë forcat,
se jeta po shuhet,
mes dhimbjesh e trishtimesh.
Është e vërtetë! E thotë edhe apostulli:
“Askush s’e ka parë kurrë Hyjin”.
Një e vërtetë kaq e sigurt
sa ka hyrë edhe në Bibël.
Por është po aq e vërtetë se Ti, o Jezus,
je fytyra e Hyjit,
pasqyra e mirësisë së Tij,
imazhi i bukurisë së Tij,
rrezja e dritës së Tij.
Kush të pranon Ty
përqafohet nga Hyji.