Kërko

Vatican News
 Jeruzalemi Jeruzalemi 

Jeruzalemet e Evropës: Rrëshajë shprese e paqeje

Nesër, 31 maj, mund të merrni pjesë online në një ngjarje ndërkombëtare, gjatë së cilës do të lidhen, në një shtegtim virtual, tetë qytete të ndryshme, nga Jeruzalemi, në Sarajevë, duke kaluar përmes Veronës e Romës.

R. SH. - Vatikan

Shtegtim ideal, që do të bashkojë Jeruzalemin me shtatë qytete të tjera evropiane, në të cilin Verona do të jetë “filli i kuq”. Nesër, 31 maj, Dita e Rrëshajëve, një video prej një ore, do t’i krijojë mundësinë kujtdo të niset nga Qyteti Shenjt, për të arritur në Manastirin e Jeruzalemit të Ri të qytetit Istra, në distriktin e Moskës, që ruhet prej shekujsh nga murgjërit ortodoksë, pastaj tek Kisha e Varrit Shenjt, në Miechov të Polonisë e tek ajo e Gorlitz, në Gjermani. Etapë tjetër do të jetë ajo e Sarajevës, Jeruzalemi i Evropës. Për një ndalesë, pastaj, në Verona, Jeruzalemi i vogël e tek caku i madh i shtegtimit evropian, Santiago i Kompostelës. Së fundi, Roma, Jeruzalemi i Ri!

Lidhja simbolike ndërmjet disa qyteteve dhe Tokës Shenjte

Projekti “Jeruzalemi dhe Evropa: Rrëshajë shprese e paqeje”, është nismë e “Verona Minor Hierusalem”, frymëzuar nga fakti se qyteti venet është një Jeruzalem i vogël, me kishat e veta, që të kujtojnë menjëherë Tokën Shenjte. Prej këndej, organizatorët u lidhën edhe me qytetet tjera  evropiane që, ashtu si Verona, e kanë një rrënjë nga Toka Shenjte, lidhen në një farë mënyre me Varrin Shenjt, me Shpellën e Betlehemit a me ndonjë emër toponomastik të Tokës Shenjte. Prej këndej, ideja për t’u bashkuar, për t’i rivlerësuar rrënjët e përbashkëta të së kaluarës e për t’i bashkuar të gjithë në një shtegtim të tillë simbolik, që të kujton shtegtimet  e lashta, të cilat e mbanin të lidhur Evropën. Shtegtim në gjurmët e tyre. E meqë në këto çaste Covid 19 i pengon shtegtimet, u mendua të bëhej një shtegtim virtual, i cili të kujton lidhjet arkitektonike ndërmjet varreve të shenjta e maleve shenjte, që gjinden nëpër Evropë. Duke u nisur nga Jeruzalemi i lashtë, për të arritur tek Jeruzalemet e vogla evropiane. E kjo të kujton edhe shtegtimet e kahmotshme, që bënin njerëzit nëpër Evropë. Ishte një lëvizje masive, që hapte horizonte të reja përmes takimeve me të tjerët e njohjes nga afër të vendeve të tjera. Mesazh i madh, ky!

Nga imzot Pizzaballa, një mesazh paqeje e shprese

Ky shtegtim na krijon mundësinë që, duke ndenjur qetë-qetë në shtëpi, të lëvizim nga një vend në tjetrin e të sodisim, falë prijësve të mirëpërgatitur, bukurinë dhe shenjtërinë e këtyre vendeve, duke krijuar kështu, një model të ri shtegtimi, që do të na e zgjerojë shumë vizionin, duke na përcjellë edhe mesazhin e paqes e të shpresës, si ai që do t’u përcjellë shikuesve imzot Pizzaballa, administrator apostolik i Patriarkatit latin  të Jeruzalemit. Gjatë lidhjes me këto vise, do të mund të soditen vendet shenjte, shoqëruar me historinë e tyre e me dëshmi të dhëna nga vizitorët e murgjërit, që jetojnë në këto vende, ku ndjehet fuqimisht frymëzimi i Varrit të Shenjtë.

Është shtegtim për ta jetuar harmoninë në larmi! Që të hap kufijtë për të hyrë nga sotmja, në të kaluarën e në të ardhmen.

Kushdo që dëshiron të marrë pjesë në ngjarje duhet të regjistrohet paraprakisht, falas, në kanalin përkatës, në facebook-un ose në instagramin  e Fondacionit Verona Minor Hierusalem.

30 maj 2020, 12:45