Të meditojmë me Ungjillin e së Dielës III pas Pashkëve
R.SH. - Vatikan
“13 Po atë ditë, dy prej tyre. po shkonin në një fshat që quhet Emaus… 14 Ata bisedonin njëri me tjetrin për të gjitha këto ngjarje. 15 Dhe ndodhi që, ndërsa ata po flisnin e po bisedonin kështu, vetë Jezusi u afrua dhe po ecte me ta… 28 Kur iu afruan fshatit, ku ishin nisur, ai bëri kinse po vazhdonte udhën. 29 Po ata iu vunë: ‘Rri me ne se u bë natë e dita po shkon në të sosur!’ Dhe hyri që të rrijë me ta. 30 Kur u ul me ta në tryezë, mori bukën, u falënderua, e theu dhe ua dha. 31 Atyre u hapën sytë dhe e njohën. Por ai u zhduk para syve të tyre. 32 Atëherë i thanë njëri-tjetrit: ‘Po a nuk na ndizej zemra neve ndërsa po bisedonte udhës me ne dhe na shtjellonte Shkrimin shenjt?’”.
Të lutemi së bashku:
Edhe në jetën time, ka një rrugë,
që e përshkoj me zemër plot ankth,
kur shpresa më duket vetëm iluzion
e Ungjilli, vetëm fjalë tepër të bukura
për t’u bërë realitet.
Është rrugë, që e bëj vetëm,
ose në shoqëri me të tjerë si unë,
duke vazhduar të përtyp
ngjarje e fakte,
pa arritur të dal
nga vorbulla e shkurajimit.
Është rrugë, në të cilën eci me trishtim
pa u tunduar aspak
as të shoh rreth e përqark
sepse shpirti është tejet i sprovuar.
E pikërisht në këtë rrugë, o Zot,
Ti vjen të më takosh
e shpesh ngjan vetëm
me dikë, që më ecën pranë,
ashtu, i shkretë e i mjerë si unë.
Dikush, që më fton t’i mendoj
faktet e fjalët ndryshe,
dikush, që më bën të rilind, pak nga pak,
në dritë e në shpresë.
Është pikërisht kjo udhë, o Zot,
që marr guximin ta përshkoj,
por, kësaj here, me vrap
me zemrën e mbushur me gëzim
pasi Ti m’i hape sytë
më dhe të ha bukën Tënde,
pasi u ula në tryezë
me vëllezërit e me motrat e mia,
për ta përsëritur gjestin Tënd
e për të kumtuar përmbushjen
e planit tënd të dashurisë.