Gesù pane di vita  Emmaus_Italy_17th_c.jpg2.JPG

Të meditojmë me Ungjillin e së Dielës III pas Pashkëve

Ungjilli i sotëm flet për dishepujt e Emausit, që e njohën Jezu Krishtin e ringjallur vetëm në thyerjen e bukës, pra, në sofrën e Eukaristisë. Është udha, që bën secili prej nesh, nga ankthi e shqetësimi për jetën, deri në takimin me Krishtin, kur gjithçka sqarohet e shpjegohet. Ja pjesa ungjillore, marrë nga kreu 24 i shën Lukës:

R.SH. - Vatikan

13 Po atë ditë, dy prej tyre. po shkonin në një fshat që quhet Emaus… 14 Ata bisedonin njëri me tjetrin për të gjitha këto ngjarje. 15 Dhe ndodhi që, ndërsa ata po flisnin e po bisedonin kështu, vetë Jezusi u afrua dhe po ecte me ta… 28 Kur iu afruan fshatit, ku ishin nisur, ai bëri kinse po vazhdonte udhën. 29 Po ata iu vunë: ‘Rri me ne se u bë natë e dita po shkon në të sosur!’ Dhe hyri që të rrijë me ta. 30 Kur u ul me ta në tryezë, mori bukën, u falënderua, e theu dhe ua dha. 31 Atyre u hapën sytë dhe e njohën. Por ai u zhduk para syve të tyre. 32 Atëherë i thanë njëri-tjetrit: ‘Po a nuk na ndizej zemra neve ndërsa po bisedonte udhës me ne dhe na shtjellonte Shkrimin shenjt?’”.

Të lutemi së bashku:

Edhe në jetën time, ka një rrugë,

që e përshkoj me zemër plot ankth,

kur shpresa më duket vetëm iluzion

e Ungjilli, vetëm fjalë tepër të bukura

për t’u bërë realitet.

 

Është rrugë, që e bëj vetëm,

ose në shoqëri me të tjerë si unë,

duke vazhduar të përtyp

ngjarje e fakte,

pa arritur të dal

nga vorbulla e shkurajimit.

 

Është rrugë, në të cilën eci me trishtim

pa u tunduar aspak

as të shoh rreth e përqark

sepse shpirti është tejet i sprovuar.

 

E pikërisht në këtë rrugë, o Zot,

Ti vjen të më takosh

e shpesh ngjan vetëm

me dikë, që më ecën pranë,

ashtu, i shkretë e i mjerë si unë.

Dikush, që më fton t’i mendoj

faktet e fjalët ndryshe,

dikush, që më bën të rilind, pak nga pak,

në dritë e në shpresë.

 

Është pikërisht kjo udhë, o Zot,

që marr guximin ta përshkoj,

por, kësaj here, me vrap

me zemrën e mbushur me gëzim

pasi Ti m’i hape sytë

më dhe të ha bukën Tënde,

pasi u ula në tryezë

me vëllezërit e me motrat e mia,

për ta përsëritur gjestin Tënd

e për të kumtuar përmbushjen

e planit tënd të dashurisë. 

25 prill 2020, 09:48