Të meditojmë me Ungjillin e së dielës së Familjes Shenjte
R.SH. - Vatikan
“13 Pasi u nisën Dijetarët, qe se, engjëlli i Zotit iu dëftua në ëndërr Jozefit e i tha: ‘Çohu, merre fëmijën dhe t’ëmën e tij e ik në Egjipt... sepse Herodi do ta kërkojë fëmijën për ta vrarë’. 14 Ky u çua, natën e mori fëmijën dhe t’ëmën e tij e shkoi në Egjipt… 19 Kur vdiq Herodi, engjëlli i Zotit iu duk në ëndërr Jozefit në Egjipt 20 dhe i tha: ‘Çohu, merre fëmijën dhe t’ëmën e tij e shko në dhe të Izraelit, sepse vdiqën ata që kërkonin t’ia merrnin jetën djalit’. 21 Atëherë ai u çua, mori fëmijën e t’ëmën e tij dhe shkoi në dhe të Izraelit... 23 e zuri vend në një qytet, që quhet Nazaret”.
Të lutemi së bashku:
Më pëlqen familje jote, o Krisht,
sepse që në fillim pësoi
sprovën dhe përvojën e dhimbshme
të familjeve të çdo epoke.
E shoh kaq afër sa e sa familjeve
që duhet të largohen, të ikin, për të mbrojtur jetën e fëmijëve
nga dhuna dhe arroganca e të pushtetshmëve,
nga plagët dhe nga pasojat e luftës,
nga frika dhe nga akthi për të nesërmen.
Më pëlqen familja jote, o Krisht,
sepse jeton me shqetësimet e gjithë të varfërve,
që duhet t’i nënshtrohen vullnetit të të pushtetshmëve,
në kërkimin e tyre të vazhdueshëm të punës e të dinjitetit,
të sigurisë e të paqes.
E shoh kaq afër me sa e sa familje,
që u duhet të emigrojnë, të shkojnë në vende të tjera,
për t’i ikur mjerimit, urisë,
e për të kërkuar gjetiu, si të huaj,
çka nuk mund ta gjejnë në shtëpinë e tyre.
Më pëlqen familja jote, o Krisht,
sepse është shenjte:
shenjte për hir të dashurisë e të bujarisë së Marisë e Jozefit,
të gatshëm për gjithçka, mjafton të të shpëtojnë jetën,
të të rrisin, duke të mbrojtur
nga çdo rrezik e nga çdo e keqe,
që të plotësojnë vullnetit e Zotit,
vullnet, që zbulohet mistershëm në ëndërr,
vullnet, që shpesh, kërkon të çohesh,
të nisesh, të marrësh vendime të papritura.
Më pëlqen familja jote, o Krisht,
sepse aty i mbush mushkëritë me fe
bashkë me ajrin e vendit, të tokës,
bir në shpirt i së cilës, Ti u bëre.