Familja Shenjte (Murillo) Familja Shenjte (Murillo) 

Të meditojmë me Ungjillin e së dielës së Familjes Shenjte

“Ta ruajmë çdo jetë, me jetën tonë”: ky duket se është mesazhi i pjesës ungjillore të sotme, në të dielën e Familjes Shenjte, e fundit për këtë vit. Pjesa ungjillore, marrë nga kapitulli II i Shën Mateut, na tregon si shpëtoi Jezu Krishti pa u vrarë nga Herodi. Ta ndjekim:

R.SH. - Vatikan

13 Pasi u nisën Dijetarët, qe se, engjëlli i Zotit iu dëftua në ëndërr Jozefit e i tha: ‘Çohu, merre fëmijën dhe t’ëmën e tij e ik në Egjipt... sepse Herodi do ta kërkojë fëmijën për ta vrarë’. 14 Ky u çua, natën e mori fëmijën dhe t’ëmën e tij e shkoi në Egjipt… 19 Kur vdiq Herodi, engjëlli i Zotit iu duk në ëndërr Jozefit në Egjipt 20 dhe i tha: ‘Çohu, merre fëmijën dhe t’ëmën e tij e shko në dhe të Izraelit, sepse vdiqën ata që kërkonin t’ia merrnin jetën djalit’. 21 Atëherë ai u çua, mori fëmijën e t’ëmën e tij dhe shkoi në dhe të Izraelit... 23 e zuri vend në një qytet, që quhet Nazaret”.

Të lutemi së bashku:

Më pëlqen familje jote, o Krisht,

sepse që në fillim pësoi

sprovën dhe përvojën e dhimbshme

të familjeve të çdo epoke.

E shoh kaq afër sa e sa familjeve

që duhet të largohen, të ikin, për të mbrojtur jetën e fëmijëve

nga dhuna dhe arroganca e të pushtetshmëve,

nga plagët dhe nga pasojat e luftës,

nga frika dhe nga akthi për të nesërmen.

 

Më pëlqen familja jote, o Krisht,

sepse jeton me shqetësimet e gjithë të varfërve,

që duhet t’i nënshtrohen vullnetit të të pushtetshmëve,

në kërkimin e tyre të vazhdueshëm të punës e të dinjitetit,

të sigurisë e të paqes.

E shoh kaq afër me sa e sa familje,

që u duhet të emigrojnë, të shkojnë në vende të tjera,

për t’i ikur mjerimit, urisë,

e për të kërkuar gjetiu, si të huaj,

çka nuk mund ta gjejnë në shtëpinë e tyre.

 

Më pëlqen familja jote, o Krisht,

sepse është shenjte:

shenjte për hir të dashurisë e të bujarisë së Marisë e Jozefit,

të gatshëm për gjithçka, mjafton të të shpëtojnë jetën,

të të rrisin, duke të mbrojtur

nga çdo rrezik e nga çdo e keqe,

që të plotësojnë vullnetit e Zotit,

vullnet, që zbulohet mistershëm në ëndërr,

vullnet, që shpesh, kërkon të çohesh,

të nisesh, të marrësh vendime të papritura.

 

Më pëlqen familja jote, o Krisht,

sepse aty i mbush mushkëritë me fe

bashkë me ajrin e vendit, të tokës,

bir në shpirt i së cilës, Ti u bëre.

28 dhjetor 2019, 10:14