Kërko

Vatican News
Shën Jozefi në Shpellat shtëpiake të Betlehemit Shën Jozefi në Shpellat shtëpiake të Betlehemit 

Të meditojmë me Ungjillin e së dielës IV të Kohës së Ardhjes 'A'

“Njeriu, që dëgjoi ëndrrën”, kështu mund të quhet shën Jozefi, në qendër të pjesës së sotme ungjillore, në të dielën IV të Kohës së Ardhjes, vitit 'A'. Ungjilli i ditës, marrë nga kapitulli I i Shën Mateut, një nga pjesët e pakta, që flasin për shokun e jetës së Marisë, na përshkruan dyshimet e Jozefit dhe përgjigjen, që u jep atyre, engjëlli i dërguar prej Zotit. Por, të ndjekim këtë pjesë, një nga më të bukurat e Ungjillit

R.SH. - Vatikan

18 Maria, pasi u fejua me Jozefin, para se të banonin së bashku, u gjet shtatzënë për virtyt të Shpirtit Shenjt. 19 Tashti Jozefi, i fejuari i saj, pasi ishte njeri i drejtë e nuk donte ta çnderonte botërisht, mendoi ta lëshojë fshehtazi. 20 Posa në mendje të vet vendosi të bëjë kështu, ja se, iu duk në ëndërr engjëlli i Zotit dhe i tha: ‘Jozef, biri i Davidit, mos ki frikë ta marrësh Marinë, të fejuarën tënde, sepse foshnja që është zënë në të, u zu për virtyt të Shpirtit Shenjt…’. 24 Jozefi, si u zgjua nga gjumi, bëri sikurse i urdhëroi engjëlli i Zotit: e mori në shtëpi të fejuarën e vet”.

Të lutemi së bashku:

Në jetën e Jozefit, Ti, o Zot,

hyre rrëmujshëm,

në një mënyrë krejt të papritur,

të paparashikuar, të paimagjinuar.

Në pak kohë, sa shumë probleme:

një e fejuar, që priste fëmijë

(e Jozefi e dinte se nuk është i veti),

mundësitë, që jepte Ligji

e, pastaj, vendimi më i butë,

që nuk e çnderon Marinë,

ta linte fshehtazi.

 

Në mesin e këtij pështjellimi,

Jozefi dëgjon në ëndërr një zë,

(po a mund të orientohemi me ëndrra

në gjëra me rëndësi kaq të madhe?).

Por Jozefi ka besim tek Ti, o Zoti im,

lëshohet në dorën Tënde,

zbaton vullnetin Tënd,

pa garanci paraprake,

pa shenja të jashtëzakonshme,

pa mundësi të mëdha për të zgjedhur,

madje, as emrin e fëmijës.

 

E, pikërisht, falë tij, Biri yt

pati një familje si gjithë të tjerët,

një nënë e një babë.

E falë tij

“Zoti me ne” – Emanueli

u mbrojt, u sigurua, u përkrah,

u rrit, u përgatit për jetën

nga njeriu, që iu bë baba.

O Zot, ja, kështu realizohen planet e Tua,

me njerëz si Jozefi e Maria,

të gatshëm të të lënë të hysh në jetën e tyre

deri në këtë pikë.

21 dhjetor 2019, 09:43