Kërko

Vatican News
 Patriarku kaldeas Louis Raphael Sako Patriarku kaldeas Louis Raphael Sako 

Patriarku Sako: dhimbje për anulimin e Meshës së Natës të Krishtlindjes

Flet Patriarku i Babilonisë së Kaldenjve: e anuluam Meshën e Natës, për të shmangur rrezikun e atentateve të mundshme! Në Bagdad nuk ka siguri. Vendi është krejtësisht i pështjelluar. Manifestimet në shesh vijojnë e unë kam shumë besim tek manifestuesit. Kanë të drejtë të ngrenë zërin: kërkojnë punë, shërbime, liri. “Kërkojnë të jetojnë si njerëz në trojet e tyre!”.

R. SH. - Vatikan

Njoftimi se Mesha e Natës së Krishtlindjes u anulua në të gjitha Kishat e Bagdadit, i shkakton dhimbje të thellë kardinalit Louis Raphael Sako, patriark i Babilonisë së Kaldenjve e kryetar i ipeshkvijve katolikë të Irakut. “Kemi frikë - pohon - sepse rendi nuk ekziston”. E më pas flet për dhunën e ushtruar gjatë manifestimeve kundër qeveritare, që vijojnë në të gjithë vendin. “Shumëkush na këshilloi t’i shmangim kremtimet e natës e të festojmë ditën. Prandaj vendosëm ta bëjmë këtë, për të shmangur rreziqet e natës - një Nate, që  duhet të ishte “E qeta Natë, krejt shenjte Natë”. Në një vend, që ka vuajtur shumë, e  duhet të prehej e të festonte, të paktën gjatë Natës së Shenjtë. Po në Irak nuk ka paqe – kujton para mikrofoneve të Vatican News, Patriarku i Bagdadit:

Hirësi, çfarë po ndodh në Irak, e pse po ndodh?

“Është konfuzion i plotë, absurditet. Njerëzit, që protestojnë në sheshe, kërkojnë një jetë të denjë. Duan punë, shërbime, liri! Po klasa politike  aktuale mbron vetëm interesat e veta e nuk lëviz as gishtin për t’i plotësuar kërkesat e popullit të revoltuar. Nuk dihet ku përfundon paraja publike; elektriciteti në të gjithë vendin është i dobët, në shumë shtëpi mungon edhe uji. As gjendja e spitaleve dhe e shkollave nuk është më e mirë. Ata që manifestojnë, kërkojnë një politikë të pakorruptuar, që i shërben vendit e i kundërvihet edhe kulturës së re, të krijuar në këtë kohë: konfesionalizmit, që i kundërvihet faktit se të gjithë jemi qytetarë. Kush proteston, kërkon, me të drejtë, ndryshime!”.

Si është e mundur që siguria në Bagdad është kaq e dobët?

“Përgjigjja është shumë e thjeshtë: këtu nuk ka qeveri! E milicitë mund të bëjnë ç’të dëshirojnë. Kush i vret frymëzuesit e manifestimeve? Nuk dihet! E pse autoritetet nuk i gjejnë fajtorët? Njerëzit kanë frikë, po manifestuesit nuk duan t’ia dinë e vijojnë t’i mbushin përplot sheshet. Vetëm një gjë kërkojnë: të jetojnë të lirë në trojet e tyre, në shtëpitë e tyre,  në punën e tyre, me fëmijët e tyre! Për këtë dalin shesheve, ku i pret plumbi i qeveritarëve! Kjo, pra situata, që nuk dihet ç’rrugë do të marrë”.

Një shenjë shprese?

“Të krishterët në Irak dëgjohen, edhe qeveria nganjëherë kërkon këshilla prej tyre. Jemi pakicë, por plot me gjallëri!”

22 dhjetor 2019, 16:10