Kërko

Vatican News
Të krishterë polakë në lutje Të krishterë polakë në lutje  (Vatican Media)

Përfundon takimi i të rinjve katolikë në Lednica. Inkurajimi i Papës

60.000 të rinj nga anë të ndryshme të Polonisë, nga vende të ndryshme evropiane dhe nga Panamaja, morën pjesë në Takimin Rinor në Lednicë të Polonisë. Kjo përvojë përsëritet çdo vit e kësaj radhe, edicioni i 23-të iu kushtua Sakramentit të Pajtimit, me titull: “Ti e di se unë të dua” (Gjn 21,15). Në mesazhin e tij, Papa i inkurajon me gjithë zemër.

R.SH. - Vatikan

“Dashuria e Krishtit është aty ku fillon gjithçka. Dashuria e Tij mbështet dhe ushqen çdo formë tjetër dashurie”: kështu tha kryeipeshkvi Stanislaë Gadecki, kryetar i Konferencës Ipeshkvnore Polake, i pranishëm në mesin e të rinjve të mbledhur në Lednicë të Polonisë. Këtë vit, ata kujtuan 40-vjetorin e shtegtimit të parë të Gjon Palit II në atdheun e tij, kremtuar në gjithë Poloninë. Kur mbërriti në Gniezno, shenjti i ardhshëm pati thënë: “Përshëndes Poloninë, vendi i pagëzuar pikërisht këtu, njëmijë vite më parë”.

Mesazhi i Papës për të rinjtë

Ngjarja arriti kulmin në kremtimin e Eukaristisë. Para se të jepte bekimin, Primati i Polonisë i kërkoi Zojës së Lednicës t’i mbrojë të gjithë meshtarët. Të rinjve, që morën pjesë në orën e Gjon Pali II me Litanitë e Zojës dhe dëgjuan dëshminë e prof. Joseph Eiler, një çifut ortodoks, që e kishte takuar personalisht Gjon Palin II, u mbërriti edhe mesazhi i Papës Françesku.

Françesku i inkurajoi të rinjtë të dëgjojnë me vëmendje zërin e Jezusit. “ Përvoja juaj në Panamanë polake, siç paraqitet këto ditë Lednica, u mbushtë me entuziazmin e fesë, të lutjeve, të gëzimit dhe të kremtimit të përbashkët… Entuziazmi i zemrës së kthyer kah Zoti ju udhëheqtë e Hyji ju bekoftë. Ju përqafoj në lutjet e mia”.

Natë lutjesh dhe adhurimi

Gjatë gjithë natës, fushat e Lednicës u kthyen në vend lutjesh, këngësh, vallesh dhe adhurimi i të Shenjtnueshmit Sakrament. Në mëngjes, deklarata e përbashkët për të zgjedhur Krishtin, shkruar nga meshtari i ndjerë Jan Gora OP, nismëtar i lëvizjes Lednica. Si çdo vit, takimi përfundoi me kalimin e Portës së Mijëvjeçarit të Tretë nga të gjithë pjesëmarrësit. Si kujtim për takimin, të rinjtë morën me vete vulat, që simbolizojnë Shpirtin Shenjt dhe një udhë të veçantë për shqyrtimin e ndërgjegjes, bazuar në kryeveprën “Thirrja e Shën Mateut” e piktorit të njohur, Caravaggio.

Takimi Kombëtar i Rinisë në Lednicë është më i madhi për të rinjtë katolikë polakë dhe të huaj. Ky vend u zgjodh, për shkak se, sipas të dhënave historike, pagëzimi i Polonisë në fenë e krishterë u bë në ishullin Ostró Lednicki. Nismëtar i takimit rinor është Fr. Jan Góra OP, i cili vdiq në vitin 2015. Në Fushat e Lednicës ndodhen: Harku i Peshkut, i mbiquajtur Porta e Mijëvjeçarit të Tretë dhe Shtëpia e Shën Gjon Palit II, me kujtimet e Papës polak. Vitin e ardhshëm, takimi i Lednicës do të mbahet më 6 qershor.

04 qershor 2019, 16:39