E diela e Larit: Jezusi ngjitet në Jeruzalem
R.SH. - Vatikan
E Diela e Larit, ёshtë dita e Paqes për botën mbarë, kumbojnë kambanat në festë, vrapojnë fëmijët me rrema ulliri në duart e njoma. Pëllumba të bardhë, simbol i paqes, rrahin flatrat drejt qiellit. Është festa e ngadhënjimit të Zotit: qiej edhe tokë i pushton! Është Dita e Larit: të galdojmë e të kremtojmë! Është festa që pas vdekjes, i prin kumtit të madh të Ringjalljes.
Pra, t’i përgjigjemi me dhurimin e vetvetes, dhuratës më të madhe që Jezu Krishti do të na bëjë sërish gjatë kësaj Jave të Madhe të Pashkëve. Kështu Kisha, gjatë riteve liturgjike dhe Meshës në të Dielën e Larit, qё kremtohet kudo nё botё, na fton tё imitojmё Jezusin.
Tre, çastet kulmore të kremtimit tё Dielёs sё Larit a Dielёs sё Luleve: procesioni i palmave dhe i degëve të ullirit, që lartohet drejt qiellit, bekimi i tyre para kremtimit tё Meshёs, e më pas, gjatё liturgjisё sё Fjalёs, kujtimi i Mundimeve të Zotit tonë Jezu Krisht.
Jezusi, ngjitet në Jeruzalem për të plotësuar Shkrimin e Shenjtë e për t’u gozhduar në drurin e Kryqit, mbretëria, nga ku do të mbretërojë përgjithmonë. Hosana! I bekuar është ai që vjen në emrin e Zotit! Biri i Davidit! Mbreti i Izraelit!
Ngjitu në Jeruzalem, Jezus,
shaluar mbi gomar, rrethuar nga shtegtarët.
Ngjitu në Qytetin Shenjt
ku të presin mundimet e vdekja,
pse dashurinë që ti ke për ne
s’ka forcë në botë ta ndalojë!
S’mund ta ndalojë as dhuna
e as poshtërsia njerëzore.
Shtegtimi yt cak tjetër s’ka:
mbaron këtu!
Në këtë vend do të bësh dëshmi
duke dhuruar jetën.
Ti e di mirë ç’të pret:
Tmerri e terri e dhimbja,
tradhtia e braktisja.
Të pret kodrina e Kalvarit,
kryqi të pret e gozhdët janë gati.
Përpara të gjithëve ti do të lartohesh,
mbi kryqin e lagur me djersë e me gjak…
pas pak…
Po tash për tash njerëzia që të njohu,
që të pa e të dëgjoi e mbrapa po të ndjek
të shpreh veç entuziazëm.
E bën këtë me gjestet e të varfërve
të cilët, të çuditur, njohin Dikë,
dikë që i do, dikë që i mbron,
dikë që i rrethon me kujdes,
që i shikon me mëshirë.
E e bën me fjalë në të cilat
zëri i profetëve jehon
thellësive të kohës.
E ti e ndjen si përmbushet
premtimi i bërë ç’prej kahmot.
Ata brohorasin!
Si mund t’i bësh të heshtin?
Për këtë ke ardhur,
Që të dhurosh jetën
për jetën,
për ta për shëlbimin e botës.