Kërko

Vatican News
 Papa takohet me meshtarët e Romës, në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran Papa takohet me meshtarët e Romës, në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran  (ANSA)

Një javë me Papën dhe me Kishën katolike në botë

Rikujtojmë veprimtaritë kryesore të Papës dhe të Kishës katolike nëpër botë, gjatë javës së kaluar, duke nisur nga takimi i Françeskut me klerin e Romës, e duke përfunduar me vizitën e Mbretit të Jordanisë në Asizi, për të marrë Llambën e Paqes të Shën Françeskut.

R. SH. - Vatikan 

Takimi tradicional  i Papës me klerin e Dioqezit të Romës

Të enjten e kaluar, më 7 mars, në Bazilikën të Shën Gjonit në Lateran, u mbajt takimi tradicional i Papës me klerin e Dioqezit të Romës, në fillim të Kreshmëve: “Mbart mbi vete dhimbjen e tërë shkandujve, që janë në të gjitha gazetat e botës – u tha me hidhërim të thellë Papa meshtarëve të Romës. Duke shtuar:

“Të mos e humbasim guximin, Zoti po e pastron Kishën, Nusen e vet, që u kap në flagrancë, duke thyer kurorën, e po na shpëton nga hipokrizia”. Këtë theksoi në fillim të takimit me priftërinjtë e dioqezës së tij Papa,  duke pasur përkrah kardinalin mëkëmbës, De Donatis.

 “E ndjej se duhet ta ndajë me ju dhimbjen dhe hidhërimin e padurueshëm  të shkandujve, Po ne nuk duhet ta humbasim guximin. Fjalë të ngarkuara me dhimbje – këto të shqiptuara nga Papa para priftërinjve të dioqezës së Romës, mbledhur të gjithë në Bazilikën romake.

Dialog i sinqertë

Ishte një dialog i sinqertë, me porta të mbyllura, gjatë të cilit Papa, i mbështetur nga mëkëmbësi i tij, De Donatis, kujtoi problemet më të mprehta të Kishës sot, duke shprehur besim për të ardhmen, sidomos në këtë fillim Kreshmësh, që është kohë hiri e që kërkon të vihet Zoti në qendër të jetës. Atij duhet t’i drejtohemi sy për sy - kujtoi Papa - e t’i kërkojmë të na e ruajë shpirtin tonë, pa harruar kurrë se syrit të Tij nuk i shpëton asgjë. “Ai na shikon lakuriq, ashtu si jemi. Domethënë, si të mjerë e mëkatarë, e megjithatë na kërkon të ndërmjetësojmë për vëllezërit”. Priftërinjve Papa u kërkoi një dialog të përhershëmm plot pjekuri, me Zotin. E edhe t’i marrin seriozisht mbi vete problemet e njerëzve”.  

Papa: të lutemi për bashkësitë e krishtera, posaçërisht për më të persekutuarat

Në videomesazhin me ndjetet e lutjes për muajin mars, Papa thekson: “Sot kemi më shumë martirë, sesa në shekujt e parë! Prej këndej, ndjeti: “Të lutemi për të krishterët që persekutohen, kudo në botë, që ta ndjejnë afërsinë e Krishtit e t’u njihen të drejtat”. Videomesazhi për Rrejtin Botëror të lutjes, u përhap të martën e kaluar, më 5 mars, me ndjetin për muajin mars 2019.

"Ndoshta do të duket e vështirë të besohet, por sot ka më shumë martirë sesa në shekujt e parë - pohon Papa në videomesazh. - Persekutohen vetëm pse flasin të vërtetën dhe ia kumtojnë Jezu Krishtin kësaj shoqërie – shton - E kjo ndodh sidomos aty ku liria fetare nuk është e garantuar. Por edhe në vendet, që i mbrojnë lirinë dhe të drejtat e njeriut vetëm në teori e në letër.  U kujtua këtë ditë edhe  se liria fetare është në rrezik ndër 38 shtete

Papa Françesku: pas një viti do të hapet Arkivi i Vatikanit

Më 4 marsin e kaluar, gjatë takimit, në Sallën Klementine, me drejtuesit dhe personelin e  Arkivit Sekret të Vatikanit, Papa Françesku njoftoi se arkivat e Piu XII, me vlerë të madhe edhe për historinë e Kishës në Shqipëri, gjatë periudhës tejet kritike të Luftës II Botërore, do të hapen më  më 2 mars 2020.  E kjo na kujton se në  dokumentet e Arkivit të Piut XII mund të lexohen shumë faqe ende të panjohura edhe për historinë e Shqipërisë gjatë Luftës II Botërore e, sidomos, për martirizmin e Kishës katolike, të klerit e besimtarëve të saj. Mbetet, për shembull, për t’u sqaruar një nga çastet më kritike të Historisë së Kishës në Shqipëri. Ajo ndërmjet viteve ’49-’52, pikërisht nën papninë e Piut XII, që zgjati nga data 2 mars e vitit 1939, deri më 9 tetor 1958, duke përfshirë periudhën më kritike, atë të Statutit të Kishës Katolike Shqiptare, me synimin për ta shkëputur  Kishën nga Papa. E shumëdiskutuar, mbetet ende e paqartë kjo periudhë.

Papa në Bullgari e Maqedoni: ndërmjet tjerash, një vizitë në kampin e refugjatëve

Më 7 mars u bë i njohur, nga Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë, programi zyrtar i shtegtimit të Papës Françesku në Bullgari dhe në Republikën e Maqedonisë së Veriut, nga data 5 deri më 7 maj. Tejet i ngarkuar, programi, me 12 fjalime, në tri ditë vizite. Ndërmjet tjerash, në lutje, para fronit të Shenjtorëve Çirili e Metodi, në katedralen patriarkale të Shën Alexander Nevsky-t, në Bullgari e, sidomos vizita, me praninë e liderëve fetarë, në Shkup, në memorialin kushtuar Nënë  Terezës, - ku Papa do të thotë një lutje

Vizita e Papës Françesku në Marok, ngjarje me rëndësi historike

“Vizita e Papës Françesku në mbretërinë e Marokut, vend anëtar i ISECO, ku ndjehet fort fryma e tolerancës dhe e respektit për larmitë fetare e kulturore, përbën një ngjarje historike, të rëndësishme e me domethënie shumë të thellë”. Këtë pohon përfaqësuesi i shërbimit administrativ, Mohamed Altwaijiri, cituar në një komunikatë të ISECO (Organizmi Islamik për Edukimin, Shkencën dhe Kulturën).

Kardinali Filoni në Taiwan, Macao e Hong Kong, pas marrëveshjes Seli e Shenjtë–Kinë

Përfundoi shtegtimi i kardinalit Fernando Filoni, prefekt i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve, në Taiwan, Macao e Hong Kong, nga 27 shkurt deri më 6 mars. Gjeti e la, një atmosferë shumë pozitive në gjirin e Kishës. Megjithatë - ky mendimi i prelatit të lartë, duhet më shumë angazhim misionar në mjediset ku kaloi uragani i ateizmit e, pas tij, ai i mirëqenies ekonomike. I dërguari i Papës për të marrë pjesë në Kongresin eukaristik kombëtar,  kardinali Filoni, vizitoi edhe Makaon e Hong Kongun.

Në Vatikan fetë ballafaqohen për të mbështetur zhvillimin e qëndrueshëm mbi Objektivat e OKB-së. 

Synimi kryesor i Konferencës ndërkombëtareFetë dhe objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm: duke dëgjuar britmën e tokës dhe të të varfërve”, që u mbajt në Vatikan, kërkoi e gjeti rrugë të reja për realizmin e objektivave të këtij zhvillimi, të adoptuara nga Kombet e Bashkuara”, duke nisur nga “kontributi i madh” që mund të japin fetë. Takimi, që filloi më  7 mars, në Sallën e Re të Sinodit, organizuar nga Dikasteri për Shërbimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor, në bashkëpunim me Këshillin Papnor për Dialogun Ndërfetar, përfundoi  dje, 9 mars.

Duke i pritur pjesëmarrësit në Konferencën kushtuar rolit të feve, në Vatikan, më 8 mars, Papa theksoi nevojën e një “kthese ekologjike” në botën aktuale. Sfidat - kujtoi- janë të ndërlikuara e grupet dhe njerëzit që besojnë, kanë një rol kyç për të luajtur në këtë kthesë. I duhet dhënë përgjigje konkrete britmës së të varfërve e të tokës, që presin zhvillim të pandarë nga drejtësia e vëllazërimi dhe objektiva ekonomike, të mbështetura nga objektiva etike. Papa theksoi edhe rëndësinë e popullsive autoktone, duke kërkuar përpjekje të përbashkëta për zhdukjen e pasojave të dëmeve të kryera”.

Në Irak, kryeipeshkvi i shkruan kryeministrit: t’i jepet fund krijimit të vendbanimeve  

Në Rrafshin e Ninives, vendbanim historik i bashkësive të krishtera vendase, në trojet aktuale të Irakut, po vihen në jetë strategji urbanistike e ndërtime banesash, që i kundërvihen dëshirës së banorëve për rindërtimin e vendit pas pushtimit xhihadist. Prej këndej kryeipeshkvi siro-katolik i Mosulit, Yohanna Petros Moshe, i shkruan kryeministrit, duke theksuar se kjo politikë do të ndikonte negativisht mbi ekulibrin e popullsisë vendase.

Mbreti i Jordanisë do të jetë në Asizi, për të marrë Llambën e Paqes të Shën Françeskut

Më 29 mars, Lartmadhëria e Tij, Mbreti i Jordanisë, Abdullahu II, do të vizitojë Bazilikën e Shën Françeskut të Asizit, ku fretërit françeskanë do t’i dhurojnë Llambën e Paqes të Varfanjakut të Asizit, për impenjimin në mbrojtjen të drejtave të njeriut, të harmonisë ndërmjet feve të ndryshme dhe strehimin e refugjatëve”. Do të shoqërohet nga Mbretëresha. Të pranishëm, edhe  Kancelarja gjermane Angela Merkel si dhe Kryetari i Këshillit të Ministrave të Italisë, Giuseppe Conte.

 

09 mars 2019, 14:09