DBR Panama: parashikohen 200 mijë të rinj. 30 shqiptarë. Gjithçka, gati për arritjen e Papës
R. SH. - Vatikan
Ja numrat zyrtarë të Ditës XXXIV Botërore të Rinisë, që do të mbahet në Panama më 22 deri më 27 janarin e ardhshëm: më se 37 mijë të rinj janë regjistruar tashmë, 167 mijë të tjerë do ta bëjnë këtë orët e ardhshme. Gjithsejt mendohet se do të jenë më se 200 mijë të rinj e të reja, që do të nisen drejt Panamasë, nga 155 vende të botës. Pa harruar njëmijë të rinj autoktonë, nga të pesë kontinentet, të cilët do të marrin pjesë në Ditën e tyre Botërore të Rinisë (që do të nisë tri ditë përpara, nga 16 deri më 19 janar) e, pastaj, do të bashkohen me të rinjtë e tjerë të Ditës së madhe të Panamasë, për të përqafuar Papën Françesku, që do të arrijë në kryeqytetin e vendit mikpritës të Amerikës Qendrore më 23 janar.
Ngjarje e përgatitur në dritën e lutjes
Të dhënat për ngjarjen e madhe, natyrisht në ndryshim e sipër, jepen nga Giancarlo Candanedo, zëdhënës DBR-së. Drejtpëdrejt nga Panamaja, shpjegon se numrat janë të rëndësishëm, por jo më shumë sesa lutja. “Si po përgatitemi? Mbi të gjitha, duke u lutur. Nuk mund të harrojmë se kjo është sfidë shumë e madhe për një komb të vogël, si yni. Ati i Shenjtë deshi t’ia ngarkojë këtë përgjegjësi jo vetëm Panamasë, por mbarë Amerikës Qendrore dhe gjithë episkopatit. Nuk mund ta zhgënjejmë!”
Edhe qeveria po i shpërvjel mëngët, për të mos i lënë ipeshkvijtë vetëm. Candanedo nënvizon: “Qeveria, për herë të parë në historinë e DBR-ve, krijoi një strukturë administrative për të na ndihmuar në organizimin e ngjarjes së madhe. Na e lehtësoi barrën. Kjo është ndihmë për Kishën”.
Gjithçka, gati për arritjen e Papës
Shumë energji iu kushtuan edhe përgatitjes për pritjen e Papës Françesku. Në frontin e sigurisë dhe të etapave të programit, tashmë gjithçka është gati. “Natyrisht! - pohon Giancarlo Candanedo - Të dielën e kaluar i treguam publikut papamobilin e realizuar nga një grup panamezësh të qyetetit. Çdo gur është tashmë gati për t’u vendosur në atë, që do të jetë mozaiku madhështor i përfaqësuesve të rinisë botërore, mbledhur këtu, mes nesh.
Pastaj Giancarlo njofton edhe një risi: në kit-in e shtegtarit do të jetë edhe rruzarja, përgatitur nga familjet e varfëra të Betlehemit. Një milion e gjysëm rruzare, do të kalojnë nga duar të varfëra, në duar rinore. Rruzare për t’u ruajtur gjithë jetën!
Të mos harrojmë: tashmë Dita e madhe rinore mund të ndiqet nga të katër anët e Globit, aq sa të duket sikur në të merr pjesë, simbolikisht, i gjithë njerëzimi që, tek të rinjtë, shikon ardhmërinë e vet!