Versioni Beta

Cerca

Vatican News
Besimtarë nikaraguanë në Engjëllin e Tënzot Besimtarë nikaraguanë në Engjëllin e Tënzot  (AFP or licensors)

Nikaragua. Kard. Brenes: Kisha persekutohet nga regjimi

Sot, ipeshkvijtë e vendit latinoamerikan do të vendosin nëse mund ta vijojnë dialogun kombëtar, ndërsa situata politiko-shoqërore e manifestimet kundër presidentit nuk reshtin.

R.SH. - Vatikan

Kisha Katolike në Nikaragua persekutohet nga regjimi i presidentit Daniel Ortega. Pohimi, i djeshëm, është i kardinalit Leopoldo Brenes Solorzano, kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të vendit dhe i Komisionit për dialogun kombëtar, në të dielën, gjatë së cilës e gjithë Amerika Latine u lut për paqen në Nikaragua. Që nga prilli i kaluar, vendi është zhytur në një krizë politike, që deri tani, ka shkaktuar më se 360 të vdekur.

Sot, vendimi i ipeshkvijve

         “Kisha persekutohet në anë të ndryshme të botës” – deklaroi kardinali Brenes – “kjo bën pjesë në jetën e Kishës, e cila është përsekutuar gjithnjë. Edhe ne nuk jemi jashtë” kësaj historie. Vërtet, që kur ipeshkvijtë katolikë të Nikaraguas i kërkuan presidentit Ortega të organizojë zgjedhjet e parakoshme në mars të vitit 2019 e jo në vitin 2021, sipas kalendarit normal, ka pasur së paku shtatë episode përdhosjeje të kishave e disa sulme kundër vetë ipeshkvijve. E pas deklaratave të presidentit se Kisha Katolike bën “manovra golpiste”, kard. Brenes sqaroi se sot, episkopati i Nikaraguas do të vendosë nëse është akoma e mundur të vijohet dialogu kombëtar, në të cilin katolikët janë ndërmjetësues mes palëve: qeverisë së Ortegës, nga njëra anë e, protestuesve, nga ana tjetër.

Rrezik për luftë civile

         Nga ana e tij, senatori amerikan, Marco Rubio, paralajmëron Uashingtonin se “mundësia për luftë civile në Nikaragua është reale” dhe akuzon Ortegën se “i ka lyer duart me gjak”, duke shtypur me dhunë protestat e duke refuzuar organizimin e zgjedhjeve të parakohshme.

Burgjet, vende torturash

         Shoqata nikaraguaneze për të drejtat e njeriut (Anpdh) pohoi dje se nënat e manifestuesve të mbyllur në burgjet e El Chipote, në Managua, kthyer në vend torturash, janë kërcënuar nga përkrahësit e qeverisë. Komisioni ndëramerikan për të drejtat e njeriut denoncon “vrasje, ekzekutime pa gjyq, keqtrajtime, tortura dhe mbajtje arbitrare në burg”, por natyrisht, pushtetarët nuk i pranojnë këto akuza.

Ndërkaq, manifestimet kundër Ortegës vijojnë me studentët, që sot, u mblodhën në një marrshim antiqeveritar. Portestat kundër presidentit dhe gruas së tij, zv.presidentes së vendit, Roasario Murillo, filluan më 18 prill, për shkak të dështimit të reformave mbi sigurinë shoqërore dhe u shndërruan në kërkesë për dorëheqjen e presidentit, akuzuar për abuzime e korrupsion gjatë 11 viteve në pushtet.

23 korrik 2018, 12:57