Kërko

NICARAGUA-UNREST-CATHOLICS NICARAGUA-UNREST-CATHOLICS 

Amerika Latine lutet për Nikaraguan

Amerika Latine lutet për Nikaraguan. Në një komunikatë, Këshilli Ipeshkvnor Latinoamerikan shpreh afërsinë dhe solidaritetin me popullin e vendit, në protestë kundër presidentit Ortega.

R.SH. - Vatikan

Në të gjitha kishat e Amerikës Latine, besimtarët luten sot për Nikaraguan. Nisma është organizuar nga Këshilli Ipeshkvnor Latinoamerikan (Celam), i cili, në një komunikatë, shpreh “afërsinë dhe solidaritetin me popullin e Nikaraguas dhe me barinjtë e tij, profetë të drejtësisë, para krizës dramatike të dhimbshme shoqërore e politike, që përjetohet aktualisht”.

Presidenti Ortega kritikon Kishën Katolike

 Javën e kaluar, presidenti i vendit, Daniel Ortega, shfrytëzoi rastin e fjalimit për 39-vjetorin e revolucionit sandinist, që ta akuzonte Kishën Katolike për “manovra golpiste kundër qeverisë”. Në të vërtetë, Kisha Katolike ka propozuar një udhë për demokratizimin e vendit, duke caktuar ipeshkvijtë e saj si ndërmjetësues për zgjidhjen e krizës politike përmes një dialogu kombëtar, që t’i përfshijë të gjitha palët. Kjo natyrisht, nuk i shkon për shtat presidentit Ortega, i cili së bashku me të shoqen, mban pushtetin që nga viti 2007.

Gjendje e nderë dhe e rrezikshme në Nikaragua

Nikaragua filloi protestat kundër Ortegës më 18 prill, si përgjigje për reformat shoqërore të presidentit të vendit. Sipas grupeve për të drejtat e njeriut, që nga ajo ditë, ndeshjet me forcat e policisë, kanë shkaktuar më se 350 viktima, por qeveria e Managuas pranon vetëm 50 të vdekur.

Dëshmi nga Masaya

Lagjja e Monimbò-së në qytetin e Masaya-s, konsideruar simbol i rezistencës kundër regjimit, u mor sërish në dorë nga paraushtarakët e qeverisë, javën e kaluar. Nga Masaya, drejtori i Kolegjit të salezianëve “Don Bosko”, atë José Bosco Alfaro, nënvizon për Radion tonë, se populli jeton me frikë e tension. “Policia dhe paraushtarakët – shpjegon ai – kanë marrë në dorë kontrollin e qytetit. Shumë njerëz janë arrestuar e tani për tani, është e pamundur të kuptohet numri i të vdekurve dhe i të plagosurve. Ndër të arrestuarit, shumica janë të rinj. Shumë vetë kanë ikur, për t’u shpëtuar masakrave”.

Kisha beson në dialogun e pajtimin

Forcat e lidhura me qeverinë e presidentit Ortega, thekson më tej drejtori i Kolegjit “Don Bosko”, “kanë përdhosur kisha e vrarë studentë”. “Qeveria e ka kërcënuar qartë Kishën Katolike. Po bëjnë ç’është e mundur që popullsia të besojë se është Kisha ajo, që e ka nisur dhunën. Por Kisha është për paqen. Ҫdo ditë, ipeshkvijtë impenjohen për pajtimin, për të ndërmjetësuar në dialogun kombëtar. Ky është edhe vullneti i Papës Françesku, që Kisha të shërbejë si ndërmjetësuese. Megjithatë, pjesa më e madhe e qeverisë nuk e ka vullnetin politik për dialog”.

Photogallery

Protestat kundër Ortegës në Amerikën Latine
21 korrik 2018, 17:10