Kërko

Vatican News

1 maji, himn për punën dinjitoze të punishteve, dije të lashta e mjeshtri të reja

1 maji, ditë në të cilën Kisha kujton Shën Jozefin artizan. Rast për të medituar mbi vlerën e punës

R.SH. - Vatikan

Nëse 2000 vjet  më parë ndokush do të kishte pasur nevojë për një zdrukthëtar, për të ndrequr ndonjë plasë në çatinë prej dërrase të strehës së vet, banorët  e zonës do t’i kishin treguar punishten e një karpentieri të Galilesë me emrin Jozef, fat i Marisë e atë i Jezusit.  Nëse dëshironi ta shihni në punë e sipër, duhet të sodisni punimet e artistëve të ndryshëm, ndërmjet të cilëve, holandezi Gerrit Van Honthorst – lindur  në vitin  1590 në Utrecht -  i cili në një nga pikturat e tij, sot e ruajtur në Ermitazh, në Pjeterburg, pikturon një skenë gati familjare: Shën Jozefin, në kulmin e punës, ndërsa i biri i mban qiriun. Është Jezusi “i ardhur si dritë në botë” që ndriçon edhe punishten e Jozefit, zdrukthëtarit të përvuajtur, i cili punon ndershmërisht për t’i siguruar bukën e përditshme familjes.

Shën Jozefi dhe Jezusi i vogël (Gerrit Van Honthorst)
Shën Jozefi dhe Jezusi i vogël (Gerrit Van Honthorst)

Në gjurmët e Shën Jozefit

Festa liturgjike e Shën Jozefit artizan u themelua nga Papa Piu XII, më 1 maj 1955. “A ju pëlqen, të dashur punëtorë e punëtore, kjo dhuratë e jona? Jemi të sigurt se po, sepse artizani i përvuajtur i Nazarethit - pati pohuar atë ditë Papa -  jo vetëm që përfaqëson pranë Zotit e Kishës Shenjte dinjitetin e punëtorit të krahut, por është edhe  rojtari i  kujdesshëm i juaji e i familjeve tuaja”. Dëshmia e Jozefit, Pajtor i punëtorëve, në këtë kohë kobëzezë pandemie na kujton forcën e durimit për t’i  përballuar  tatëpjetat e jetës. Me rastin e 150-vjetorit të Dekretit Quemadmodum Deus, me të cilin Piu IX e deklraroi Shën Jozefin Pajtor të Kishës katolike, Papa Françesku, me letrën apostolike “Patris Corde” (Zemër Ati),  shpalli një vit të posaçëm kushtuar Shën Jozefit. Vit, që nisi në dhjetor 2020 e do të vijojë deri më 8 dhjetor 2021. Në sfond të kësaj letre, është kriza, që lidhet ngushshtë me Covid-109 e cila - shkruan Françesku - na bëri të kuptojmë  vlerën e pallogaritshme të njerëzve të thjeshtë, atyre që, larg çdo vetëshkatërrimi, ngjallin shpresat, edhe kur duken si të vdekura!

Dinjiteti i punës

Atë i dashur, atë në butësi, në bindje, në mirëpritje; atë i guximit krijues, punëtor, gjithnjë në hije: me këto fjalë e përshkruan Françesku Shën Jozefin në Letrën Apostolike “Patris corde” - Me Zemrën e Atit”, botuar   me rastin e 150-vjetorit të shpalljes së fatit të Marisë Pajtor i Kishës katolike.  Në sfondin e kësaj Letre Apostolike është pandemia e Covid-19 që - shkruan Françesku - na bëri ta kuptojmë rëndësinë e njerëzve të zakonshëm, atyre që, larg paraskenave, duke jetuar çdo ditë me durim, përhapin shpresën e na kujtojnë përgjegjësinë e përbashkët. Pikërisht si Shën Jozefi: “burrë që kalon pa u vërejtur fare, njeri i pranisë së përditshme, të kujdesshme, të fshehur”. “E pra protagonizmi i tij është i pashembullt në historinë e shëlbimit”. Shën Jozefi  e shpreh konkretisht atësinë e tij, duke e  dhuruar vetveten, gjithnjë në shërbim të Mesisë. E prandaj është gjithnjë i shumëdashur nga populli i krishterë”. Në të “Jezusi pa dashurinë e Zotit Atë”, që e “mirëpret gjithnjë ligështinë tonë”, përmes së cilës realizon pjesën më të madhe të planeve të Tij hyjnore. Zoti nuk na dënon, por na mirëpret, na përqafon, na ndihmon, na fal. Jozefi është atë edhe kur i shtrohet plotësisht vullnetit të Zotit: me atë “fiat” - “u bëftë vullndesa jote”  i shpëton  Marinë e Jezusin e i mëson edhe të Birit të bëjë vullnetin e Atit qiellor, duke bashkëpunuar “në misterin e madh të shëlbimit”.

Njëkohësisht Jozefi është edhe “atë i mirëpritjes”, sepse “e mirëpret Marinë pa asnjë kusht paraprak”, “gjest i rëndësishëm edhe për sot - pohon Françesku - në një botë, ku dhuna psikologjike, verbale e fizike e gruas duket sheshit”. Por Fati i Marisë, duke besuar pa kushte në Zotin, i pranon në jetën e vet edhe ngjarjet, të cilat nuk i kupton, me një protagonizëm “guximtar e të fuqishëm”, që buron nga “forca e Shpirtit Shenjt”. Përmes Shën Jozefit na duket sikur Zoti vetë na përsërit: “Mos kini frikë! Feja i jep kuptim çdo ngjarjeje, të gëzuar a të trishtuar”.

Zdrukthëtar i ndershëm, fati i Marisë na mëson edhe vlerën e dinjitetit e gëzimin “që gurron nga zemra, kur ha bukën, fryt i punës së duarve tua”. Mënyra si e kupton punën dhe bukën e përditshme babai i Jezusit,  e nxit Papën për të bërë thirrje në favor të punës, sot “çështje sociale urgjente”, edhe në vendet me një farë niveli mirëqeniejeje. “Është e nevojshme ta kuptojmë - shkruan Françesku - domethënien e punës, që të jep dinjitet”, që “bëhet pjesëmarrje në vetë veprën e shëlbimit”, “rast realizimi” për vetveten e për familjen, “bërthamë fillestare e shoqërisë”. Prej këndej, nxitja e Papës drejtuar të gjithëve “për rizbulimin e vlerës, të rëndësisë dhe të nevojës së punës”, që të mund të krijohen kushte normale, në të cilat asnjeri nuk duhet ta ndjejë veten i përjashtuar”. Duke parë posaçërisht përhapjen e ndjeshme të papunësisë nga shkaku i pandemisë së Covid-19, Papa i fton të gjithë të angazhohen  që të mund të thuhet: “Asnjë i ri, asnjë njeri, asnjë familje pa punë!”.

Bibla dhe punëtorët

Në Bibël takohemi edhe me mjeshtritë e mjeshtrat. Në kohën e Jezusit zanati i zdrukthëtarit nuk ishte shumë i përhapur në Palestinë. Mjeshtri i punimit të drurit prodhonte kryesisht mobilje për shtëpitë, si tryeza, karrike e sende të tjera të nevojshme për të mobiluar banesat. Prodhonte edhe trarë, shtylla e struktura të tjera prej drurit për ndërtesat. Në këtë kohë mjeshtria kryesore ishte ajo e fshtarit, a më mirë të themi, e mëditësve, që punonin tokën nga agu në muzg.

Ndërsa apostuj e parë të thirrur nga Jezusi, ishin peshkatarë. Bibla kujton edhe mjeshtri të tjera, si ajo e kovaçit, e poçarit. Pastaj zanati i skribëve,  që jepnin mësim në sinagoga, publikanët, që mblidhnin taksat e, sidomos, barinjtë, që shikoheshin si njerëz të papastër, sepse ditë natë me bagëtitë. Ata e furnizonin mishin për flijimet në tempull, po aty e kishin të ndaluar të hynin. Shikoheshin edhe si lajmëtarë, sepse duke bredhur nga fshati në fshat, nkërkim të kullotave, përhapnin kudo lajme të freskëta. Nuk është t’u çuditur prandaj, që pikërisht atyre iu besua lajmi i gëzuara i Lindjes së Krishtit.

Punishtet e djeshme e të sotme  

Punishtja e Jozefit ishte një nga të shumtat që, në rrjedhë të historisë, ashtu si në kohët tona të troshtitura nga Pandemia,  u linin trashëgim breznive të reja - mjeshtritë e vjetra. Dije, që bëhet kulturë e punës, burim njohurish, e cila vijon në shekuj. Edhe sot artizanët janë pjesë themelore e prodhimit. Në Itali, mbi bazë të të dhënave të Inps, në vitin 2019, artizanët ishin 1 milion e  600 mijë. Shpesh është fjala për punishte të vogla, kryesisht familjare që, për fat të keq, në këto kohë të ngrysura pandemia, po mbyllen njëra-pas-tjerës.  

Një punishte artizanësh
Një punishte artizanësh

Mjeshtritë e lashta në Shqipëri

Të njëjtat mjeshtri apo zanate të lashta, biblike, që i gjejmë në historinë e vendeve të ndryshme të botës, vijojnë edhe në viset shqiptare. Në shekuj në Shqipëri ka pasur e ka njerëz, që ushtrojnë zanatin e zdrukthëtarëve e vijojnë të prodhojnë gjithfarë pajisjes prej druri. Ka edhe karpentierë, që çajnë dërrasa e trarë. E gurgdhendës me nam. E ka ende edhe shumë fshatarë: bujq sidomos, që punojnë tokat e veta a të botës. E që vijonë të pakësohen, sepse toka shqiptare nuk rrit më aq drith, sa u duhet për të jetuar! Ikin. E begatojnë  dherat e huaja, duke zëvendësuar punën e pronarit të tokës, me atë të mëditësit. Natyrisht ka akoma edhe peshkatarë e kovaçë e poçarë. E deri “publikanë”, domethënë nëpunës që mbledhin taksat, një nga zanatet e rralla “në lulëzim” …E punishte të vogla të të gjitha natyrave, edhe ato në mbyllje e sipër, sepse pikërisht mbi to peshon më rëndë pandemia.  

Puna është detyra kryesore e njeriut

Festa e Shën Jozefit punëtor është, pra, Dita e Punëtorëve. Më 1 maj 2020, duke kremtuar Meshën e mëngjesit, transmetuar drejtpërdrejt nga Kapela e Shën Martës, Papa Françesku pati kujtuar se “puna njerëzore është thirrje  e Zotit për njeriun, që kur krijoi universin. “Të lutemi për gjithë punëtorët, për të gjithë. Që asnjë njeriu - pati thënë me atë rast Papa - të mos i mungojë puna e që të gjithë të paguhen me drejtësi e të gëzojnë dinjitetin e punës dhe bukurinë e pushimit!”. Në viset e tyre!

01 maj 2021, 11:07