Kërko

Vatican News

1 maj, festa e Shën Jozefit punëtor

1 maji si festë e Shën Jozefit punëtor, nisi të kremtohej zyrtarisht nën Papninë e Piut XII, për t’i ndihmuar punëtorët të mos e humbisnin kuptimin e krishterë të punës. Shën Jozefi, ati tokësor i Jezusit, zdrukthëtar, dëshmon se edhe puna më e përvuajtur, mund ta bëjë njeriun pjesëmarrës në planin hyjnor të shëlbimit. Punëtorët e krishterë e nderojnë si Pajtor.

R. SH. - Vatikan

Në mbarë botën, më 1 maj, kremtohet festa e punës, të cilën Kisha Katolike ka dashur ta vlerësojë edhe më tej duke ia kushtuar jetën e botës punëtore Shën Jozefit, pajtorit qiellor të gjithë punëtorëve, atit tokësor të Jezusit, zdrukthëtar, për të dëshmuar se edhe puna më e përvuajtur, mund ta bëjë njeriun pjesëmarrës në planin hyjnor të shëlbimit. 

Kështu, më 1 maj, pra, ditën e parë të majit, festë ndërkombëtare e punës, Kisha katolike kujton Shën Jozefin Punëtor, themeluar nga Papa Piu XII, më 1955 për t’i dhënë kuptim të krishterë Ditës Ndërkombëtare të Punës, që edhe sivjet kremtohet në atmosferën e krizës së rëndë të pandemisë Covid-19.

Punëtorët e krishterë e nderojnë Shën Jozefin si Pajtor Qiellor. Kovaç, zdrukthëtar, karpentier, Shën Jozefi i ushtronte të gjitha këto mjeshtri - siç na e tregojnë Ungjijtë -  e, sidomos, ishte fati i Marisë e ati tokësor i Jezusit. Me jetën e tij prej punëtori të ndershëm, Shën Jozefi e fisnikëron punën e dorës, me të cilën mban familjen Shenjte e merr pjesë aktive në planin e shëlbimit.

Puna ka rëndësi të dorës së parë për realizimin e njeriut e për zhvillimin e shoqërisë dhe, për këtë arsye, duhet të organizohet e të kryhet gjithnjë në kushte që e respektojnë plotësisht dinjitetin e njeriut dhe që i shërbejnë së mirës së përbashkët. Këtë për të dëshmuar se Kisha katolike është shqetësuar gjithnjë për botën e punëtorëve. 

Jozefi, “i Drejti”.

“i Drejti”. Kështu kujtohet në Shkrimin Shenjt, me epitetin “i Drejti”, që në gjuhën biblike do të thotë “ai, që e do dhe e respekton ligjin, parë si shprehje e vullnetit të Zotit”. Jozefi e bën këtë! Pasardhës i shtëpisë së Davidit, mbret e profet, është ende i ri, kur fejohet me Marinë. E, ashtu si  vasha e tij, edhe ai i thotë “po” një engjëlli, që e viziton në gjumë, për ta siguruar se shtatzania e Marisë ishte fryt i Shpirtit Shenjt. E tipari i tij kryesor është fshehtësia. Kur Jezusi nis jetën e tij publike, në Dasmën e Kanës,  Besëlidhja e Re nuk e kujton më; ndoshta pse kishte vdekur. Por ne nuk e dimë as ku e as kur, e aq më pak, ku u varros!

Puna, pjesëmarrje në planin hyjnor

Ashtu si gjithë etërit e kohës, që u mësonin mjeshtrinë bijve, kështu bën edhe Jozefi me Jezusin. Na e kujtojnë Ungjijtë, që shpesh e quajnë Krishtin “i biri i karpentierit”, ose “zdrukthëtarit”. Mund të themi, prandaj, se Jozefi, më shumë se gjithçka tjetër, përfaqëson dinjitetin e punës, e cila është detyrë e përsosje e njeriut që  ushtron, kështu, sundimin e tij mbi Krijimin, vijon veprën e Krijuesit,  i ofron shërbimin bashkësisë e jep ndihmesën në planin e shëlbimit. Jozefi e do punën e vet. Nuk  e  dëgjojmë kurrë duke u ankuar se u lodh. Di të jetë gjithnjë i kënaqur, sepse nuk kërkon pasuri, as nuk e lakmon jetën e të pasurve. Për të, puna nuk është mjet për të kënaqur epshet, por për të mbajtur familjen. Pastaj, si hebre që ishte, respekton pushimin e fundjavës e merr pjesë rregullisht në të gjitha kremtimet! Nuk duhet të na çudisë aspak ky konceptim fisnik i punës, edhe më të përvuajturës, punës së krahut: na e kujton Besëlidhja e Vjetër, në të cilën Zoti simbolizohet herë si vreshtar, herë si bujk e herë si bari!

Festa e Shën Jozefit, zejtar

1 Maji, si festë e Shën Jozefit punëtor, nisi të kremtohej zyrtarisht nën Papninë e Piut XII, për t’i ndihmuar punëtorët të mos e humbisnin kuptimin e krishterë të punës. Por edhe Piu IX e pati njohur, në një farë mënyre, rëndësisë e Shën Jozefit si punëtor, kur e shpalli Shenjtin Pajtor universal të Kishës. Parimin e punës, si mjet për shëlbimin e amshuar, e rikujton edhe Gjon Pali II, në Enciklikën e tij “Laborem Exercens”, në të cilën e quan “Ungjilli i punës”. Thuhet, pastaj, se edhe kardinali Roncalli - më pas Gjoni XXIII - kur u zgjodh në fronin e Shën Pjetrit, pati menduar të quhej Papa Jozef, nga që kishte devocion të madh për atin tokësor të Jezusit.

30 prill 2021, 11:20