Kërko

Vatican News
 Presepe in Basilica San Pietro, Fabbrica di San Pietro, 2018.12.24 Presepe in Basilica San Pietro, Fabbrica di San Pietro, 2018.12.24 

24 mendime për Kohën e Ardhjes: e Premtja III e Kohës së Ardhjes

E Premtja III e Kohës së Ardhjes. Të gjitha rrugët të çojnë drejt Shpellës, edhe sivjet, kur bota i ka rrugët të mbyllura, nga frika e virusit. Rrugë të mbyllura për botën, por jo për Foshnjën Hyjnore. Për Krishtin nuk mund të ketë lockdown.

R.SH. - Vatikan

Në kohën e ardhjes të gjitha rrugët të thërrasin kah Shpella. Edhe kur   fizikisht është e pamundur, sepse nëpër to shtegton lirisht vetëm virusi e, ndoshta, edhe Tre Mbretërit... Rrugët të thërrasin, sepse Krishtlindja nuk bashkon vetëm njerëzit - por edhe kohën mbarë. Kohë që na fton të ndezim buzmin bujar të mikrpritjes ndër vatra, flakadanin e dashurisë së krishterë ndër zemra, dritat e Shpellës mbi porta. Sa e bukur do të bëhej bota këto ditë, nëse në çdo shtëpi do të përgatitej Shpella e Betlehemit për Këshndella. Simbol i  dashurisë së Zotit për njeriun! E Bredhi - për një Vit të Ri përplot me vezullime dritash. Me të gjitha rrugët e hapura, për të gjithë! Simbol i humanizmit pa cak.

Është kohë që kërkon zjarrin bubulak në vatër, erëmirën e pishës nën strehë, afshin e verës në kupë, parfumin e bisedës miqësore në sofër. E posaçe aromën e kashtës së grazhit, që pret Foshnjën Hyjnore.

Bekuar qoftë kjo Kohë.  Që e fton mbarë botën  për ndjenja kaq fisnike – siç është dashuria për Zotin e për njeriun.

Koha e Ardhjes është Kohë dashurie në veprim. Sa herë nisim të duam, sa herë i dhurohemi dikujt, sa herë flijohemi për dikënd - është Kohë e pritjes së Zotit në jetën tonë.

Kohë në të cilën kush ka zemër njerëzore në kraharor, shikon ëndrra me sy hapur. E shikon veten bir të njerëzimit, anëtar të familjes së madhe e të pafundme. Familjes së Zotit, që po vjen…

Sivjet rrugët janë të mbyllura për botën, por jo për Foshnjën Hyjnore… Për Krishtin nuk mund të ketë kurrë, askund lockdown…

18 dhjetor 2020, 11:41