Kërko

Turma në funeralin e Qasem Soleimani-t Turma në funeralin e Qasem Soleimani-t  (ANSA)

Në prapaskenë: kriza Iran-SHBA dhe pesë pyetje për të

Arsyet e sulmit, reagimi, rreziqet për ushtarët, çmimi i naftës, marrëveshja për armët bërthamore, në qendër të reflektimit, që merr shkas nga thirrja e Papës Françesku në Engjëllin e Tënzot për ta zhdukur një herë e përgjithmonë nga rruzulli tokësor fantazmën e luftës.

R.SH. - Vatikan

Këto ditë, vëmendja e botës është përqendruar në krizën Iran-SHBA, e cila vijon të shkallëzohet, pas vrasjes së gjeneralit iranian, Qasem Soleimani, nga një dron amerikan në Bagdad. Të dielën e kaluar, në lutjen e Engjëllit të Tënzot, Papa Françesku, duke kujtuar se lufta sjell vetëm shkatërrim, gërmadha e vdekje, kërkoi të favorizohet dialogu ndërmjet palëve. Ati i Shenjtë nuk i referohej vetëm gjendjes në Lindjen e Mesme, kur tha:

“Në vise të ndryshme të botës ndjehet fort klima e tmerrshme e tensionit. Klimë lufte! Po lufta sjell vetëm vdekje e shkatërrim. U bëj thirrje të gjitha palëve ta mbajnë ndezur pishtarin e dialogut e të vetëkontrollit e ta  shmangin hijen e armiqësisë. Të lutemi që Zoti të na e japë këtë hir”.

Pas 35 viktimash, shtyhet varrosja e Soleimani-t

         Sot, duhej të ishte kremtuar funerali i gjeneralit Qasem Soleimani në qytetin e tij të lindjes, Kerman, por për shkak të turmës së jashtëzakonshme, që shtyhej, humbën jetën 40 vetë e më se 200 u plagosën. Për këtë arsye, varrosja e komandatit të Forcave al-Quds është shtyrë.

Deklarata e ministrit të jashtëm iranian dhe ndërmjetësimi i Omanit

         Regjimi i ajatollahëve e konsideron vrasjen e gjeneralit si terrorizëm. Sipas ministrit të jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif, i cili hapi sot në Teheran, punimet e konferencës ndërkombëtare “Teheran Dialogue Forum”, kushtuar rajonit të Gjirit Persik, gjesti i amerikanëve “ia hapi rrugën një udhe të shëmtuar ngjarjesh, që herët a vonë do të përndjekin SHBA-në kudo në botë”. Ndërkaq, është vënë në lëvizje Omani, i cili ka marrëdhënie të mira si me SHBA-të, ashtu edhe me Iranin. Për vizitë në Iran, ministri i jashtëm i Omanit, Yousuf Alawi bin Adbullah, deklaroi se SHBA-të dëshirojnë ta ulin tensionin në rajon.

Pse Trump dha urdhër të vritet gjenerali Soleimani?

         Në gazetën e sotme kishtare italiane “Avvenire”, gazetari Fabio Carminati bën pesë pyetje dhe jep pesë përgjigje për krizën Iran-SHBA. Së pari, pse presidenti amerikan Donald Trump dha urdhër të vritet gjenerali Qasem Soleimani? Zyrtarisht sepse, sipas shërbimit amerikan të sigurimit, ai po përgatiste sulme kundër objektivave amerikane, si përgjigje për vrasjen e milicëve pro-iranianë nga dronet amerikane. Sondazhet tregojnë se 43% e amerikanëve i besojnë versionit zyrtar. Ndërsa, shumica e atyre, që mbështesin Partinë Demokratike në SHBA, besojnë se kjo lëvizje e presidentit Trump u bë thjesht për të larguar vëmendjen nga i ashtuquajturi “impeachment”, pra, nga përpjekja për ta hequr nga posti i presidentit. Nga ana tjetër, shumë analistë mendojnë se presidenti është tashmë, peng i të ashtuquajturve “skifterë” të administratës së tij dhe të strategjisë së Sekretarit të Shtetit, Mike Pompeo, i cili, së bashku me Izraelin, synon ta ndalë politikën ekspansioniste të Iranit në rajon.

A do të reagojë Irani?

         Pyetja e dytë e gazëtës “Avvenire” ka të bëjë me qëndrimin e Iranit. A do të reagojnë iranianët? Pa dyshim, përgjigjet gazetari Carminati. Në “kohën dhe mbi objektivat e duhura”, siç ngul këmbë Teherani. Irani ka raketa, që mund ta godasin Izraelin e nga Libani, aleatët e Teheranit, hezbollahët, mund të bëjnë të njëjtën gjë. Spiunët e vendosur në kryeqytetet e mëdha botërore mund të godasin objektiva amerikane, të organizojnë trazira të mëtejshme në Irak, ose ushtria mund të shqetësojë edhe më shumë rrugët e naftës në ngushticën e Hormuzit apo të ndeshet më ashpër me sauditët në Jemen. Gjithsesi, të bën të mendohesh fakti se Soleimani ndodhej në Bagdad pikërisht për të biseduar me sauditët për rrugëdaljen nga konflikti në Gjirin Persik e në Jemen: kujt i interesonte vdekja e tij? Ndoshta, kujt ka interes që të vazhdojë ky lloj rrethimi i Irakut? Për më tepër, duke lënë mënjanë taktikën e zakonshme të fshehjes pas veprimeve të aleatëve në rajon, Kreu i Lartë iranian, Ali Khamenei, dha urdhër që çdo hakmarrje për vrasjen e gjeneralit iranian Qasem Soleimani nga SHBA-të, të jetë sulm i drejtpërdrejtë kundër interesave amerikane, kryer haptasi nga forcat iraniane. Së paku, kështu shkruan “New York Times”, që përmend tre burime iraniane, të pranishëm në një takim të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, ku Khamenei diktoi linjën e tij. Gazeta amerikane citon Sekretarin e Këshillit, kundëradmiralin Ali Shamkhani, i cili duhet të ketë thënë: “skenarët e vlerësuar në Këshillin e Lartë të Sigurisë Kombëtare për hakmarrjen e Iranit, pas vrasjes së gjeneralit Soleimani janë 13 e, edhe më i pakti prej tyre do të jetë makth historik për Shtetet e Bashkuara”.

Çështja bërthamore dhe pasojat e saj

         Një pyetje tjetër, shumë e rëndësishme, reflekton mbi mosmarrëveshjen e fundit mbi çështjen bërthamore. Duke hedhur poshtë marrëveshjen e vitit 2015 me Perëndimin, Irani vendosi të mos e kufizojë pasurimin e uraniumit, një nga hapat që çojnë në prodhimin e bombës atomike. Ç’pasoja mund të ketë ky vendim? Nga pikpamja praktike, ky është vetëm hapi i fundit, i pesti, që kur Teherani njoftoi se do ta braktisë progresivisht marrëveshjen, pas shtimit të sanksioneve të presidentit amerikan Trump kundër regjimit. E është i turpshëm çinteresimi i Evropës, e cila, me Francën, Gjermaninë dhe Britaninë e Madhe, ishte ndër nënshkruesit e të ashtuquajturit pakt ndërmjet Teheranit dhe shteteve “5 + 1” (Kina, Franca, Rusia, Mbretëria e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara plus Gjermania dhe BE-ja), i njohur edhe si Plani Global i Veprimit të Përbashkët, Pacg. Presidenti Trump, duke e rritur nivelin e kërcënimit, deklaroi se nuk do të lejojë që pasurimi i uraniumit të çojë në prodhimin e bombave atomike nga regjimi iranian. Gjë, që është frika më e madhe edhe e aleatit të hekurt të SHBA-ve në rajon: Izraelit.

Çmimi i naftës është rritur tejet mase

         Në pyetjen e katërt, gazetari Fabio Carminati refleton mbi rritjen e çmimit të naftës e të arit, gjë, që nuk ndodhte prej vitesh. Jemi mësuar me një reagim aspak elastik të tregjeve ndaj ngjarjeve apo trazirave gjeopolitike. Madje, edhe ndaj sulmeve terroriste. Por, në këtë rast, kriza ka të bëjë me zonën, nga e cila burojnë gati dy të tretat e naftës në botë. Prandaj, është frika, më shumë se faktet konkrete, që e rrit çmimin e naftës brut në mbi 70 dollarë për fuçi (tani po bie): gjithsesi, për shumë vetë, kjo qe mundësi për të bërë allishverishe me mbivlerën e kapitalit, duke luajtur me vlerësimet për shitjet e ardhshme dhe duke fituar kështu para, pa lëvizur gishtin. E njëjta gjë vlen edhe për arin, që ka arritur nivelet më të larta që nga viti 2013.

A janë në rrezik trupat ndërkombëtare?

         Në pyetjen e pestë dhe të fundit, artikulli i gazetës “Avvenire” reflekton mbi rrezikun, në të cilin mund të gjenden trupat ndërkombëtare në rajonin e Gjirit Persik. Në të vërtetë, ka filluar zhvendosja e forcave. NATO-ja i ka ndaluar të gjitha operacionet stërvitore për trupat vendore. Çdo vend, në përkim me vendimet e marra nga Shtabi i Përgjithshëm i NATO-s, po zhvendos një pjesë të forcave në vende të tjera, më të sigurta. Për shembull, një pjesë e karabinierëve italianë u transferuan në “një zonë tjetër, të sigurt dhe jo shumë larg” Irakut. Edhe Gjermania do të tërheqë disa prej ushtarëve të saj në Irak, duke i zhvendosur në Jordani dhe Kuvajt. Gjithashtu, britanikët dhe kontingjentet e tjera ndërkombëtare po e zvogëlojnë praninë e tyre në zonë.

07 janar 2020, 13:44