Kërko

 Viktimat e konfliktit Viktimat e konfliktit 

Patriarku Sako: Iraku nuk duhet të bëhet fushë beteje!

Në rrethanat e krizës ndërmjet SHBA-ve dhe Iranit, Patriarku i Kishës katolike kaldease bën thirrje të fuqishme që palët të dialogojnë, për t’ia kursyer vijimin e gjakderdhjes një popullsie, që nuk ka më gjak për të derdhur.

R. SH. - Vatikan

Nuk ka asnjë shenjë, që të flasë për uljen e tensionit ndërmjet SHBA-ve  e Iranit, pas vrasjes të gjeneralit iranian Soleimani, në Bagdad, me vendim të presidentit Trump. Dje, në kryeqytetin irakian, dhjetra mijëra njerëz morën pjesë në procesionin mortor të ushtarakut, duke lëshuar parulla kundër SHBA-ve. Teherani kërcënon se do të hakmerret në mënyrë shembullore!  Raketa e predha mortaje u lëshuan dje mbi zonën e gjelbër të Bagdadit, ku ndodhet ambasada amerikane si dhe mbi bazën ushtarake më në veri, por pa shkaktuar viktima.  SHBA-të kanë seleksionuar 52 pika në Iran që - sipas Trump - do t’i godasin “rrufeshëm dhe ashpërsisht” nëse Republika Islamike do të sulmojë personelin ose vendqëndrimet amerikane.

Në këto rrethana, Patriarku i Kishës katolike kaldease, Louis Raphael Sako, përsëriti thirrjen për maturi: “Irakianët - pohon - janë akoma të tronditur thellë për çka ndodhi javën e kaluar. Druhen se Iraku do të shndërrohet përsëri në fushë beteje, në vend që të jetë vend sovran, i aftë  t’i mbrojë qytetarët dhe pasuritë e veta. Në rrethana kaq të ndera e kritike, do të ishte urti të mblidheshin të gjitha palët e interesuara e të uleshin rreth tryezës, për një dialog të arsyeshëm e civil, që t’ia kursejnë Irakut  pasojat e papritura e krejt të padëshiruara.

I lutemi Zotit të gjithëpushtetshëm - përfundon Sako - t’i garantojë Irakut  dhe gjithë rajonit një jetë normale, paqësore, të qëndrueshme e të sigurt, atë jetë, që  e dëshirojmë prej kohe.

Papa kërkon dhuratën e paqes; Warduni: lufta do të ishte e tmerrshme

“Duhet të besojmë se edhe tjetri ka të njëjtën nevojë për paqe. Nuk mund të ketë paqe, kush nuk shpreson në të. T’ia kërkojmë Zotit dhuratën e paqes”: ky, tweeti i djeshëm i Papës Françesku, në faqen papnore të internetit @Pontifex.

Ndërsa ipeshkvi ndihmës i Bagdadit, imzot Warduni,  thekson se të gjithë kanë frikë nga lufta, që do të ishte e tmerrshme! E të gjithë nuk duan gjë tjetër, veç paqes!

05 janar 2020, 11:14