Kërko

Vatican News
 Karli i Anglisë Karli i Anglisë  (AFP)

Mesazhi Festiv i Karlit të Anglisë për të krishterët e persekutuar

Princi Karl i Anglisë realizoi, me rastin e Natës së Krishtlindjes, një videomesazh, në bashkëpunim me Fondacionin “Ndihmë për Kishën që vuan”, kushtuar të krishterëve të persekutuar në botë. “Besimtarëve duhet t’u krijohen kushtet të vijojnë të jetojnë në vendet e Biblës” - është thirrja e tij.

R. SH. - Vatikan

Në mbarë botën vijon të kremtohet solemniteti i Krishtlindjes, e njëkohësisht, në të katër anët e globit vijon edhe martirizmi e diskriminimi i ndjekësve të Krishtit. E pikërisht atyre u drejtohet mesazhi-video, që princi Karl i Anglisë e realizoi, së bashku me Fondacionin “Ndihmë për Kishën që Vuan”. “Ka rëndësi jetike - pohon - t’i kujtosh të gjithë ata, që pësojnë persekutime në zonat e fesë së tyre të krishterë”.

Krishti i karbonizuar i Sri Lankës

Në video Karli i Anglisë flet për takimet e tij  të kohëve të fundit me një meshtar e një rregulltare. I pari, shpjegon, “ndihmon, në Sri Lanka,  ata që u plagosën rëndë gjatë sulmeve barbare të këtij viti në Kisha, gjatë kremtimit të Pashkëve, më 21 prillin e kaluar”. Viktima të sulmeve antikristiane ishin  260 të vdekur e 500 të plagosur. “E ky, për fat të keq, nuk është rast i izoluar - nënvizon Princi Karl - i cili  kujton, më pas, fjalët e rregulltares kushtuar situatës në Siri, ku me guxim mbinjerëzor e në kushte  të pamundshme, vijon t’u japë ndihmë vendimtare të krishterëve dhe të gjithë atyre, që ikin nga dhuna e nga vdekja. Rregulltarja siriane, të cilën e takova - kujton - më dhuroi Kokën e Krishtit të Kryqëzuar, gdhendur në dru, të karbonizuar, shpëtuar nga njëra prej kishave të bombarduara  të Halebit”.

Të krishterët persekutohen në 20 vende të botës

Bota feston – e bota persekutohet. Bota vallëzon rreth Bredhave vezullues, e bota dëshmon se Krishti lindi, se predikoi paqen, se u kryqëzua për shpëtimin e njerëzimit - duke u kryqëzuar si Ai, në emër të tij e të shpëtimit të mbarë njerëzimit, edhe të asaj pjese, që sot vallëzon nën bredhat e vezullues!

Karli citon Raportin e tetorit të kaluar të Ndihmë për Kishën që Vuan, ku  lexohet se vetëm gjatë një dhjetëvjeçari dy të tretat e bashkësive të  krishtera kanë ikur nga Siria, ndërsa në Irak, bashkësitë e krishtera u reduktuan deri  në 90% në një brezni të vetme.

Prej këndej, thirrja e Princit të Anglisë, të bëjmë me vendosmëri gjithçka mund të bëhet, “që krishterimi të mos zhduket nga Toka Shenjte”.

25 dhjetor 2019, 17:17