Kërko

Medjugorje Medjugorje

Vizitatori apostolik: "Ejani në Medjugorje, vend hiri i zgjedhur nga Zoti për t'u takuar"

Intervistë me kryeipeshkvin Aldo Cavalli, dërguar nga Papa Françesku në famullinë e dukjeve të supozuara të Zojës: është ai, që i lexon paraprakisht mesazhet e atribuara "Mbretëreshës së Paqes" dhe e autorizon botimin e tyre

R.SH. – Vatikan

Andrea Tornielli

“Medjugorje është një vend normal, pa asgjë të veçantë, që për hirin e Tënzot është kthyer në një vend shpirtëror, ku vijnë njerëz nga e gjithë bota. Vijnë dhe pikërisht atje fillojnë të luten”. Kështu shprehet në një intervistë për mediat e Vatikanit, kryeipeshkvi italian Aldo Cavalli, 78 vjeç, një jetë e kaluar duke i shërbyer Selisë së Shenjtë në nunciatura të ndryshme. Në nëntor 2021 u dërgua nga Papa Françesku si vizitator apostolik në vendin e vogël të Bosnjë-Hercegovinës, që është bërë një nga qendrat mariane më të vizituara në botë gjatë dyzet viteve të fundit. 2024-a ishte vit i rëndësishëm për Medjugorje-n: majin e kaluar, Dikasteri vatikanas për Doktrinën e Fesë publikoi norma të reja mbi dukjet e supozuara të Zojës së Bekuar, pa i njohur ato si të mbinatyrshme, por duke lejuar ardhjen e shtegtarëve dhe përshpirtërinë, që lidhet me këto fenomene. Në shtator, nota me titull “Mbretëresha e Paqes”, kushtuar përvojës shpirtërore të Medjugorjes, i jep fenomenit marian “nulla osta”-n, pra njohjen më të lartë të parashikuar nga normat e reja. Që atëherë, “mesazhet e supozuara”, që marrin vegimtarët publikohen “me miratim kishtar”.

Përvoja e imzot Aldo Cavalli-t në Medjugorje

 Duke folur për përvojën e tij në famullinë e Medjugorje-s, imzot Aldo Cavalli vëren se nuk kishte qenë më parë në atë vend. Megjithatë, kishte njohur njerëz, që e kishin bërë atë përvojë. “Gjithmonë kam vënë re - deklaron ai – se kur ktheheshin nga Medjugorje, këta njerëz ishin më të përkushtuar në planin shpirtëror dhe njerëzor: në kishë, në katekizëm, në bamirësi. Tani, kam tri vjet që shërbej atje: është vend normal, pa asgjë të veçantë, por në sajë të hirit të Tënzot është kthyer në një vend shpirtëror, ku vijnë njerëz nga e gjithë bota. Ata hyjnë në bashkim me Krishtin Zot, të shoqëruar nga Virgjëra Mari. Lutjet janë të thjeshta: duan të ndryshojnë jetë, të jetojnë më mirë se më parë, duan të zgjidhin, ose të përballojnë si duhet problemet që kanë. Ndyshim, që quhet kthim në Zotin e që ndodh veçanërisht në sakramentin e pendesës”.

Në Medjugorje nuk shkohet për turizëm

Zakonisht, në Medjugorje vijnë të rinj e të rritur, pa i organizuar kush, me qëllimin e vetëm për të takuar Zotin e Zojën. Imzot Cavalli vë në dukje se vendi nuk është turistik, prandaj, kush shkon aty, shkon vetëm për t’u lutur. Të rinj, që deri dje, silleshin si rebelë, shkojnë për t’u rrëfyer, me prindërit krejtësisht të befasuar e të çuditur nga kjo sjellje. “Është vend hiri – nënvizon Vizitatori - që Zoti e ka zgjedhur për t'u takuar me ne. Leja e Papës do të thotë: shkoni, shkoni, shkoni! Shkoni, sepse ai është vend hiri, ku takoni Zotin dhe Zoti ju takon”.

E frytet janë të shumta, siç dëshmojnë të dhënat e shqyrtuara nga Dikasteri për Doktrinën e Fesë. “Mijëra e mijëra njerëz vijnë në Medjugorje nga e gjithë bota – shpjegon kryeipeshkvi. - Këtë vit erdhën dy milionë vetë, të rritur dhe të rinj. Gati 50.000 meshtarë erdhën për t'u lutur, për të gjetur Zotin. Pastaj, fryte të tjera të rëndësishme janë thirrjet e shumta e njerëzit e shumtë, që luten. Elementi i dytë i shqyrtuar nga Dikasteri ishin mesazhet, që marrin vegjentët. Çdo mesazh u pa nën dritën e fesë dhe u kuptua se pajtohet me të. Për këtë, mund të themi se Medjugorje është vend hiri”.

Si miratohet botimi i mesazheve

Vetë Vizitatori Apostolik është ai që miraton botimin e mesazheve, që Zoja u jep vegjentëve. “Kur ka një mesazh, - tregon ai për mediat e Vatikanit – personi, që e ka marrë atë, e shkruan dhe ma dërgon në gjuhën që shkruan, pra, në kroatisht. Ma përkthejnë menjëherë në italisht. Ky proces është shumë interesant: ka të paktën dy ndërmjetësime njerëzore shumë të rëndësishme. Kjo është arsyeja pse flasim për "mesazhe të supozuara" edhe kur jemi në favor të publikimit të tyre e në fund të mesazhit shkruajmë: "me miratim kishtar”. Mesazhet përkufizohen si "të supozuara", sepse kalojnë përmes dy ndërmjetësimeve njerëzore: nuk shkruan Zoja, shkruan personi, që e merr mesazhin. Ndërmjetësimi i dytë është përkthimi nga kroatishtja në italisht: janë dy gjuhë krejtësisht të ndryshme. Ne themi se mesazhi i përgjigjet fesë dhe ftojmë të lexohet e të meditohet, sepse është pozitiv. Nuk i shton asgjë Zbulesës, por e pasuron. Na ndihmon ta jetojmë më mirë fenë sot”.

Zoja është “Mbretëresha e Paqes”

Që në fillim, në vitin 1981, Zoja është paraqitur si “Mbretëresha e Paqes”, duke dhënë një mesazh aktual edhe sot. Paqe, jo thjesht ndërmjet nesh, vëren imzot Aldo Cavalli, por para së gjithash, ndërmjet nesh e Zotit e pastaj, edhe ndërmjet nesh. Kjo është themelore. “Kur judenjtë dolën nga Egjipti, Zoti, përmes Moisiut profet, u tha: nëse dëshironi të jetoni të lirë, ka disa rregulla që duhen ndjekur, janë Urdhërimet. Zoti është themelor për paqen. Në Urdhërimet e Tij na caktohen pak gjëra me të cilat duhet të jetojmë: të respektojmë jetën dhe të mos vrasim, të kemi familjen si pikë referimi kryesore, të respektojmë njëri-tjetrin. Nëse jetojmë kështu, jetojmë në paqe. Nëse nuk jetojmë kështu, ka luftë”.

Në Medjugorje bashkëjetojnë fe të ndryshme

Një veçori tjetër e mesazhit të Medjugorjes është se Zoja ka zgjedhur një vend ku bashkëjetojnë fe të ndryshme, pavarësisht se u përshkua nga dhuna vetëm pak kohë më parë. Vizitatori apostolik shpjegon se ndërmjet njerëzve me fe të ndryshme ka dialog, që do të thotë: “Unë paraqes identitetin tim, paraqes mënyrën time të jetesës, mendimin, fenë, mënyrën e zbatimit të saj. Ti më paraqet identitetin tënd. Duke dialoguar, njihemi me njëri-tjetrin, duke ruajtur secili identitetin e vet. Nëse e humbasim identitetin, nuk kemi më dialog. E pastaj, vjen tragjedia. Në Medjugorje identiteti ynë është i qartë: Zoti Jezu Krisht është i vetmi Zot për ne”.

Ndryshimi, pas Medjugorje-s

Kur njerëzit largohen nga Medjugorje, ikin të ndryshuar. Por ky ndryshim nuk është magjik, nënvizon imzot Cavalli. “Të ndryshosh jetën nuk do të thotë të lësh familjen, të lësh punën... kur kthehesh në jetën e mëparshme, ke ndryshuar në shpirt. Tani e di se me Zotin mund t’i përballosh problemet. Kjo është feja e të thjeshtëve, që shprehet me Rruzare, Eukaristi dhe me adhurimin eukaristik. Verën e kaluar kisha para meje 30/40.000 të rinj në adhurim, në heshtje absolute. Në atë bukë të shndërruar, është prania e vërtetë, thelbësore e Zotit tonë Jezu Krisht. Ai më shikon, unë e shikoj, Ai më flet, unë i flas. Sa njerëz më kanë thënë: atje, dëgjova Zotin, që më foli. Prandaj, shkoni në Medjugorje, sepse është vend hiri”.

15 janar 2025, 13:11