Nga Jordania, në Vatikan, një ekspozitë për të zbuluar "agun e krishterimit"
R.SH. / Vatikan
"Jordani: agimi i krishterimit": kështu titullohet ekspozita që do të arrijë në Vatikan më 31 janar e që do të ndihmojë për të zbuluar rrënjët e krishterimit në Jordani. Organizuar nga Ministria e Turizmit dhe Antikiteteve dhe Entja e Turizmit të Jordanisë, ekspozita u paraqit sot, 8 janar, paraprakisht, në Hotelin Regis të kryeqytetit jordanez.
Së shpejti do të soditet në Vatikan
Ekspozitë e pasur me histori e art - e hapur deri më 28 shkurt 2026 - përkon me 30 vjetorin e marrëdhënieve diplomatike të Jordanisë me Selinë Shenjte dhe me përvjetorin e vizitës së Shën Palit VI, në vitin 1964, në vendin e Lindjes së Mesme. Publiku do të jetë në gjendje të admirojë një koleksion unik me 80 objekte, që i përkasin shekullit të parë pas Krishtit, që përshkojnë epokën bizantine, islamike dhe hashemite. Shumë prej tyre njihen nga UNESCO. Do të ketë gjithashtu elementë audiovizualë, që do t’i shoqërojnë vizitorët në shtegtimim nëpër dy mijë vjet histori, duke u dhënë dëshmi për lindjen, zhvillimin dhe trashëgiminë e qëndrueshme të krishterimit në Jordani.
Transporti i shtegtarëve drejt vendeve të shenjta të Jordanisë
Ekspozita do të transportojë edhe vizitorë në të kaluarën e kombit medio oriental të Lindjes së Mesme, konsideruar nga shumëkush si "djepi i krishterimit". Të krishterët në Jordani përfaqësojnë rreth 4% të popullsisë kombëtare prej 11 milionë banorësh. Do të theksohen kryesisht pesë vende, duke nisur nga Maghtas, vendi i Pagëzimit të Jezu Krishtit, ku lindi vetë Krishterimi. Por shtegtarët do të mund të njihen edhe me Malin Nebo, vend i prehjes së fundme të Moisiut; me Kishën e Zojës së Malit, e cila të kujton Virgjërën Mari; Tel Mar Elias, ku lindi Elia profet; Machaerus, tokë që tregon historinë e martirizimit të Shën Gjon Pagëzuesit. Nuk është thjsht ekspozitë kjo, por edhe kremtim i paqes, unitetit dhe trashëgimisë së qëndrueshme të krishterimit në Jordani - nënvizoi folësi gjatë paraqitjes së sotme, në Aman, duke shpjeguar se nisma i fton besimtarët dhe të gjithë njerëzit t’i rizbulojnë rrënjët e fesë dhe të trashëgimisë kulturore të kombit.
Ministrja e Turizmit: "Ta shpëtojmë trashëgiminë e krishterë"
Konferenca e mëngjesit u hap me një përshëndetje nga Ministrja e Turizmit dhe e Lashtësive të Jordanisë, Lina Annab, e cila përsëriti se Jordania është "djepi i krishterimit" dhe se ekspozita u krijua në bashkëpunim të ngushtë me Vatikanin. "Kjo ekspozitë - kujtoi - është mundësi për të festuar rrënjët e fesë dhe për të forcuar angazhimin tonë për ruajtjen e këtyre vendeve të shenjta". Në veçanti ajo e kujtoi vendin e Pagëzimit të Jezusit si "një nga vendet më të rëndësishme fetare në botë". Annab shpjegoi sërish se ekspozita, "e para e llojit", duhet të jetë "e lëvizshme", domethënë, të nisë në Vatikan, por më pas, me kalimin, e kohës të "shtegtojë" në vende të tjera, në mbarë botën. Më pas nënvizoi se me këtë nismë rifillon "përpjekja e Jordanisë për të mbrojtur të krishterët në Jordani dhe rajon, si pjesë themelore e së kaluarës, e së tashmes dhe së ardhmes së saj".
Nga ana e tij, Abed Al Razzaq Arabiyat, drejtor i përgjithshëm i Turizmit në Jordani, theksoi se përvoja shpirtërore e ekspozitës do të jetë "mundësi historike" për t’i paraqitur "rrënjët e krishterimit" në Jordani. "Transferimi i lëvizshëm" i ekspozitës në vendet e tjera dhe në kontinent, do të krijojë kushtet që kjo trashëgimi e pasur shpirtërore të njihet më mirë në botë, shtoi ai, duke theksuar se përmes kësaj ngjarjeje të jashtëzakonshme, do të kuptojmë se "Jordania e mbron dhe e ruan krishterimin", promovon tolerancën, paqen dhe unitetin.
Nunci: të krishterët në Lindjen e Mesme përfaqësojnë vazhdimësinë e fesë
Më pas foli nunci apostolik në Jordani, Kryeipeshkvi Giovanni Pietro Dal Toso, i cili kujtoi se marrëdhëniet ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Jordanisë filluan rreth 30 vjet më parë dhe se vitin e kaluar përvjetori u festua me një vizitë nga Kryeipeshkvi Paul Richard Gallagher, Sekretar i Vatikanit për Marrëdhëniet me shtetet dhe organizatat ndërkombëtare. Dal Toso kujtoi edhe një vizitë tjetër, atë të Papës Françesku në Jordani, në maj 2014, dhe citoi letrën e jashtëzakonshme të Papës drejtuar katolikëve të Tokës Shenjte tetorin e kaluar. Nënvizoi edhe se vizita e afërt e Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinalit Pietro Parolin, për shugurimin e kishës në vendin e Pagëzimit të Jezusit, shpreh një shenjë të mëtejshme të afërsisë së Kishës me të krishterët në Lindjen e Mesme. Më pas, duke shpjeguar se Jordania është "vend bashkëjetese" ndërmjet feve të ndryshme, Dal Toso theksoi se "në një kohë globalizimi në rritje, mirëkuptimi dhe harmonia e anasjelltë janë veçanërisht të nevojshme". "Ne duhet të kujtojmë rëndësinë e pranisë së krishterë në Lindjen e Mesme"- kujtoi - "të krishterët përfaqësojnë vazhdimësinë e fesë në rajon, që nga zanafilla e saj".
Prania e Kard. Parolin, shenjë e afërsisë me besimtarët
Në përfundim të paraqitjes, nunci ritheksoi në mjetet e komunikimit të Vatikanit "vlerën specifike" të kësaj ekspozite, që synon "të nxjerrë në pah traditën e gjatë të krishterë në vend", treguar tashmë nga dëshmitë biblike dhe, më pas, "nga vazhdimësia e Pranisë së krishterë”. Dal Toso pohoi se e vlerëson titullin Agimi i Krishterimit sepse - shpjegon ai - fillimi ishte këtu, kjo është edhe një pjesë e Tokës Shenjte".
Shumë domethënëse për Prelatin, edhe prania e kardinalit Parolin, si legat papnor, për të shuguruar kishën e Pagëzimit të Jezusit: "Është shenjë e afërsisë së veçantë të Papës dhe të gjithë Kishës universale", kujtoi me emocion. "Kjo prani e kardinalit jo vetëm që dëshiron të nxjerrë në pah rëndësinë e vendit, por është pikërisht shenjë që tregon se Selia Shenjte nuk i harron të krishterët në Lindjen e Mesme, por dëshiron t'i mbështesë në të gjitha mënyrat e mundshme".