Më 3 shkurt, samit ndërkombëtar në Vatikan me Papën, kushtuar fëmijëve
R.SH. / Vatikan
“Është punë skuadre, ajo që bëmë: përpjekje e gjatë e nisur me takimin e parë të fëmijve dhe ëndrrat e tyre, në Sallën Nervi, me 7000 mijë fëmijëve. Më pas, Enciklika e Fëmijëve. Në fund, Dita I Botërore e Fëmijëve. E tani, një çast i fortë reflektimi”. Kështu u shpreh Atë Enzo Fortunato gjatë konferencës së shtypit për paraqitjen e Samitit Ndërkombëtar të të Drejtave të Fëmijëve, titulluar "T'i duam dhe t'i mbrojmë", frymëzuar nga Papa Françesku e koordinuar nga Komiteti Papnor për Ditën Botërore të Fëmijëve, në program më 3 shkurt, në Pallatin Apostolik.
Ky takim ndërkombëtar për të drejtat e vajzave dhe djemve, që do të zhvillohet pikërisht në Vatikan, do të hapet me një reflektim i Papës Françesku. Samiti, siç njoftoi Papa më 20 nëntorin e kaluar, "do të jetë mundësi për gjetjen e mënyrave të reja në ndihmë të miliona fëmijëve, që ende nuk kanë të drejta, jetojnë në kushte të pasigurta, shfrytëzohen, shpërdorohen dhe vuajnë pasojat dramatike të luftërave”.
“Ndërsa njerëzimi feston arritje të jashtëzakonshme në çdo fushë, miliona fëmijë vazhdojnë të vuajnë në një botë pa shpresë”, kujton, në Zyrën e Shtypit të Selisë së Shenjtë, Atë Enzo Fortunato, kryetar i Komitetit Papnor për Ditën Botërore të Fëmijëve. Atëhere “Çfarë duhet bërë, për t’i ndryshuar gjërat?”. Ky është kuptimi i Samitit të thirrur nga Papa.
Në takim do të marrin pjesë, ndërmjet të tjerëve: Madhëria e saj Mbretëresha Rania Al Abdullah e Jordanisë; Lartësia e saj Sheikha Moza bint Nasser, Kryetare e Fondacionit të Katarit për Arsimin, Shkencën dhe Zhvillimin e Komunitetit; Ahmed El-Tayeb, Imam i madh i al-Azharit; Liliana Segre, Senatore e Përjetshme; Mario Draghi, ish-president i Bankës Qendrore Evropiane; Al Gore, politikan dhe ambientalist amerikan; Thomas Bach, President i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar; Ahmed Naser Al-Raisi, President i Interpolit; Edith Bruck, shkrimtare; Antonio Tajani, Zëvendës President i Këshillit të Ministrave, Itali; Máximo Torero, Kryeekonomist i FAO; Megawati Sukarnoputri, Presidenti i pestë i Indonezisë; Arif Husain, Kryeekonomist i Programit Botëror të Ushqimit; Miguel Benasayag, filozof dhe psikoanalist; Paolo Gentiloni, President i Task Forcës së OKB-së për Borxhet.
Në pritje të Ditës II Botërore të Fëmijëve - të cilën Papa Françesku e ka caktuar për muajin shtator 2026 - ne kuptojmë "se tani, më shumë se kurrë, është themelore të dëgjojmë zërat e fëmijëve e t’i themi "jo" urisë, pabarazisë, dhunës, luftërave dh shkretimit të Tokës Nënë”.