Kërko

Cookie Policy
The portal Vatican News uses technical or similar cookies to make navigation easier and guarantee the use of the services. Furthermore, technical and analysis cookies from third parties may be used. If you want to know more click here. By closing this banner you consent to the use of cookies.
I AGREE
Inizio - Solomon Oratorio in 3 atti HWV 67, per soli, coro e orchestra
Programe Podcast
Kardinali Parolin në mesin e besimtarëve gjatë shenjtërimit të Kishës së Pagëzimit të Jezusit në Jordani Kardinali Parolin në mesin e besimtarëve gjatë shenjtërimit të Kishës së Pagëzimit të Jezusit në Jordani

Kardinali Parolin: të krishterët, prani kryesore në Lindjen e Mesme

Bisedë me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit pas shugurimit të Kishës së Pagëzimit të Jezusit, në Jordani: sinjalet pozitive nga Siria, zgjedhja e presidentit të ri libanez, fjalët e Papës për Trupin Diplomatik, "shpirti i Helsinkit", vështirësia e fillimit të bisedimeve për arritjen e paqes, marrëveshja e përkohshme me qeverinë kineze për emërimin e ipeshkvijve...

R.SH. / Vatikan

Andrea Tornielli

“Dëshiroj të ritheksoj këtë përmasë përbërëse të pranisë së krishterë...”. Kardinali Pietro Parolin, Sekretar i Shtetit të Vatikanit, duke vizituar Jordaninë, kryesoi pak kohë më parë liturgjinë e gjatë dhe solemne për shugurimin e Kishës së re të Patriarkatit Latin,  aty ku u pagëzua Jezusi. Të pranishëm, më shumë se gjashtë mijë besimtarë, që nuk mund të gjenin vend brenda kishës. Ishte shenjë gjallërie dhe shprese.  E edhe mundësi për të reflektuar mbi atë që po ndodh në botë, duke nisur nga fjalët që Papa Françesku  i drejtoi Trupit Diplomatik, më 9 janarin e kaluar.

Intervista me Sekretarin e Shtetit, Kardinalin Pietro Parolin

Jemi në Jordani, në Tokën Shenjte, në vendin e pagëzimit të Jezusit, që vetëm pak dekada më parë ishte fushë e minuar. Jo shumë larg prej këndej, vijon lufta, e shkaktuar nga sulmet e Hamasit, dhe e paguar me gjak dhe shkatërrim, sidomos nga civilët, e veçanërisht në Gaza. Çfarë mesazhi mund të na jepni?

Ishte një festë shumë e bukur dhe e organizuar mirë, por mbi të gjitha, një festë e madhe shprese. E kjo nuk ndodh sepse shpresa është bërë e zakonshme në këtë vit jubilar kushtuar kësaj teme. Besoj se mesazhi që mund të vijë nga kjo ditë, është pikërisht ky: rajoni i torturuar nga kaq shumë konflikte, i copëtuar nga kaq shumë tensione, dikur i minuar, tani është hapësirë ​​me tokë të mirë-punuar. Kjo tashmë është shenjë shprese: me të vërtetë, siç thotë profeti, shtizat mund të shndërrohen në drapërinj, armët mund të bëhen mjete paqeje. Pjesëmarrja e madhe dhe e gjallë e njerëzve është gjithashtu arsye për të shpresuar. Ka forca të gjalla dhe krishterimi mund të ndihmojë, me hirin e Zotit, të gjejë mënyra për të zgjidhur konfliktet aktuale.

Jordania është komb ku pakica e krishterë jeton e asimiluar, por ndjehet pjesë e vendit. Në raste të tjera, për fat të keq, nuk është kështu. Cili është roli i të krishterëve në Lindjen e Mesme sot?

Të krishterët kanë qenë të pranishëm në këto vende që nga kohra të lashta, e vazhdojnë të jenë pjesë e plotë e shteteve dhe shoqërive të Lindjes së Mesme edhe pse, për fat të keq, prania e tyre pas të gjitha ngjarjeve të së kaluarës së largët, të afërt dhe të tashme, fatkeqësisht favorizon largimin dhe, prandaj, numerikisht, bashkësitë e krishtera të të gjitha vendeve po rrallohen. Dëshiroj të ritheksoj këtë përmasë themelore e konstituive të pranisë së krishterë: arab do të thotë edhe i krishterë, sepse në këto troje ekziston një bashkësi e krishterë, që i ka rrënjët në të kaluarën. Prandaj do të nënvizoja këtë përmasë themelore dhe konstituive të pranisë së krishterë. Të krishterët, duke qenë pjesë përbërëse, mund të kontribuojnë në të gjitha fushat. Siç ka thënë shumë herë Papa, Lindja e Mesme pa të krishterë, do të ishte një Lindje e Mesme më e varfër, që do t’i mungonte shprehja  themelore për vetë realitetin e kësaj Treve.

A ju shqetëson zhvillimi i situatës në Siri?

Lexova deklaratat pozitive që u bënë dhe që shkojnë në drejtimin e shpresuar nga Papa gjatë fjalimit drejtuar Trupit Diplomatik: shpresojmë se do të nisë një epokë e re për Sirinë, ku të gjithë qytetarët do të kenë të njëjtat të drejta dhe të njëjtat detyra. Gjë që është edhe koncepti i shtetësisë që Selia e Shenjtë propozon për të gjitha vendet: të gjithë qytetarët janë të barabartë, kanë të drejta të barabarta dhe detyra të barabarta përpara ligjit. Ne me të vërtetë shpresojmë se këto deklarata do të ndiqen dhe se të drejtat e pakicave dhe të krishterëve do të mbrohen.

Vetëm dy ditë më parë, pas dy vjetësh, më në fund u bë zgjedhja e presidentit të Libanit.  Çfarë sinjali është ky?

Mendoj se është shenjë pozitive. Ne kemi pohuar gjithmonë në këto dy vite se ishte e rëndësishme për vazhdimësinë dhe vetë ekzistencën e vendit ashtu siç është konfiguruar, domethënë - të përdorim shprehjen e famshme të Shën Gjon Palit II "vend mesazh" - vend ku bashkëjetojnë së bashku larmitë sociale, politike, fetare. Kemi thënë gjithnjë se gjëja e parë që duhet bërë, ishte sigurimi i Presidencës, e gjegjësisht, forcimi i institucioneve. Prandaj është shenjë shprese. Shpresojmë me të vërtetë se këto zgjedhje do të krijojnë një fazë të re për Libanin, në të cilën të gjitha forcat politike të bashkohen, për të gjetur gjuhën e përbashkët, për të punuar për të mirën e vendit dhe, veçanërisht, për ato reforma që vendit i duhen pa tjetër.

A mund ta mbani mend ndonjërën?

Për shembull, t’u njihet e drejta viktimave dhe të afërmve për shpërthimin në portin e Bejrutit dhe gjetja e stabilitetit ekonomik, që humbi dhe që  shkaktoi shumë varfëri dhe shumë vuajtje në vend. Është pozitive që u arrit deri te zgjedhja e Presidentit.

Gjatë shtegtimeve të fundit në Luksemburg dhe Belgjikë, Papa Françesku, duke kujtuar situatat e luftës, bëri thirrje për "bisedime të ndershme" dhe "kompromise të nderuara". Pse është bërë kaq e vështirë të bisedosh e të arrish në kompromis sot? Pse diplomacia duket se hesht? Po kujtoj veçanërisht konfliktin që po zhvillohet aktualisht në zemër të Evropës së krishterë, atë ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës...

Është vërtet shumë e trishtueshme që ne nuk jemi më në gjendje të bisedojmë dhe që, siç thonë ata, mbizotëron më shumë "e drejta për të detyruar" sesa "forca e ligjit". Edhe Papa, në fjalimin drejtuar Trupit Diplomatik, kujtoi shkaqe nga më të ndryshmet të kësaj situate, duke shpjeguar se ekziston një klimë mosbesimi dhe frike reciproke, e cila krijon polarizim gjithnjë e më të madh ndërmjet shteteve dhe bashkësive dhe na pengon të gjejmë zgjidhje të përbashkëta. Unë do të ngulja këmbë pikërisht në këtë gjë: mungon një minimum besimi. Për të biseduar, për të dialoguar, nevojitet minimumi i besimit tek tjetri. Një aspekt tjetër, që theksoi Papa, është gjithashtu i nevojshëm: aftësia për të shkuar përtej vetvetes, për të hyrë në këndvështrimin e bashkëbiseduesit që, në këtë rast, mund të jetë kundërshtari, ose armiku. Çka nevojitet, është aftësia për të takuar njëri-tjetrin në gjysmë të rrugës, për të kuptuar ose të paktën për të marrë seriozisht në konsideratë arsyet e tjetrit. Këto janë arsyet pse sot është bërë shumë e vështirë të negociosh. Kësaj i shtohet - dhe kjo u përmend edhe nga Papa - kriza e institucioneve përgjegjëse për dialogun edhe pse u krijuan pikërisht për ta nxitur atë, pra bëhet fjalë për organizatat ndërkombëtare: sot e kanë të vështirë të vazhdojnë ta ushtrojnë atë rol që patën arritur menjëherë pas Luftës II Botërore. Ka shumë shkaqe të tjera, por unë do të thoja se për mua ky është themelori.

Në fjalimin para Trupit Diplomatik, Papa denoncoi rrezikun e përparimit të një mendësie “klubi”, që na nxit të flasim vetëm me ata, të cilët mendojnë si ne. Françesku kujton vazhdimisht shpirtin e Helsinkit: çfarë mund të thotë sot?

Fryma e Helsinkit është pikërisht tejkalimi i kësaj mendësie. Ishim në një botë të ndarë, një botë të kundërt, të ndarë në dy blloqe. Ndoshta sot këto “klube” janë copëtuar dhe shumëfishuar. E, në një farë mënyre, ndoshta ishte më e lehtë kur kishte vetëm dy blloqe. Fryma e Helsinkit është pikërisht shpirti i atyre që dolën përtej kategorisë së armikut e arritën të gjenin gjuhën e përbashkët edhe me ata që nuk mendonin njësoj. Helsinki përfaqëson këtë aftësi për të shkuar përtej këndvështrimit vetjak ose për ta konsideruar atë si unik dhe ekskluziv, duke pranuar gjithashtu se ka këndvështrime të tjera legjitime, që mund të pajtohen me tonat, duke hequr dorë dukshëm edhe nga diçka nga ana ime. Këtu është kompromisi i shëndetshëm. Një karakteristikë tjetër e negociatave duhet të jetë aftësia për të ecur drejt një kompromisi, për të kapërcyer konfliktin.

Në këtë kuptim, çfarë kuptimi ka shprehja "vetëm paqe"?

Paqe e drejtë, për mendimin tim, do të thotë paqe që bazohet në të drejtën ndërkombëtare dhe deklaratat e OKB-së. Këto janë mjetet që ka në dispozicion bashkësia ndërkombëtare për të rregulluar marrëdhëniet ndërmjet vendeve dhe ndërmjet bashkësive të shteteve. Pastaj nga pikëpamja e krishterë, ne e dimë se çfarë është drejtësia në aspektet e saj të ndryshme, por unë do të thosha se kryesisht "paqe e drejtë" do të thotë paqe që është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe rregullat e saj.

11 janar 2025, 16:31
Prev
April 2025
SuMoTuWeThFrSa
  12345
6789101112
13141516171819
20212223242526
27282930   
Next
May 2025
SuMoTuWeThFrSa
    123
45678910
11121314151617
18192021222324
25262728293031