Kard. Pizzaballa: Shenjtërimi i Kishës së Pagëzimit të Jezusit është një shenjë uniteti
R.SH. / Vatikan
“Ky është një moment i shumëpritur. Pas shumë vitesh më në fund jemi në gjendje t'i kushtojmë Kishën e Pagëzimit të Jezusit në Jordani, al-Maghtas”. Duke folur për mediat e Vatikanit, Patriarku Latin i Jeruzalemit, Kardinali Pierbattista Pizzaballa, uron që shenjtërimi i Kishës së re kushtuar Pagëzimit të Jezusit, nesër, më 10 janar, në al-Maghtas, në prani të Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, Kardinalit Pietro Parolin, të jetë shenjë e vazhdimësisë së jetës dhe rritjes së Kishës në të gjithë Lindjen e Mesme” .
Fjalët e kardinalit Pizzaballa
E gjithë kjo ndodh, shton kardinali Pizzaballa, "në një vit të rëndësishëm, vitin jubilar të Kishës dhe në njëzetepesë vjetorin e shtegtimit në atë vend të shenjtë", duke iu referuar vizitës Shën Papës Gjon Palit II në al-Maghtas. Me atë rast, Papa Woytila foli për "një vend kaq të përshkuar nga historia", afër "gjurmëve të qytetit më të lashtë në botë", përshkruar nga Shkrimet e Shenjta të Biblës si "një vend që mban gjurmën jo vetëm të njeriut, por të vetë Zotit”. Njëzet e pesë vjet më vonë, thirrja e Papa Françeskut për të inkurajuar të krishterët e Jordanisë që të imitojnë gjithnjë e më shumë Krishtin, bëhet edhe më e rëndësishme për shkak të konflikteve të vazhdueshme në Lindjen e Mesme. Kardinali Pizzaballa vëren se si “përkushtimi i një Kishe të re” është pra një “shenjë uniteti dhe shpreh vullnetin për një vazhdimësi të jetës dhe rritjes së Kishës në Jordani dhe në mbarë Lindjen e Mesme”.
Roli i Jordanisë
Kisha e re latine në al-Maghtas ndodhet në një tokë që ishte militarizuar deri në vitet 1990 dhe u identifikua, falë përpjekjeve të françeskanit At Michele Piccirillo, si vendi i "Betanisë përtej Jordanit" për të cilin flet Ungjilli i Gjonit dhe ku u pagëzua Jezusi. Kjo punë, rezultat i koordinimit kolektiv, nuk do të ishte e mundur pa përpjekjet e Jordanisë. Pikërisht për të theksuar rolin e Jordanisë në lindjen dhe zhvillimin e fesë së krishterë, në Aman u inaugurua një ekspozitë, e cila do të mbërrijë në Romë në fund të janarit, në të cilën janë ekspozuar mbi 80 artefakte që datojnë nga shekulli I pas Krishtit dhe që përfshin epokën bizantine, islame dhe hashemite.
Në pritje të festës
E gjithë vëmendja është përqendruar në kremtimin e nesërm. Papa Françesku i kërkoi Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, Kardinalit Pietro Parolin, që me këtë rast të përcjellë përshëndetjet e tij jo vetëm për katolikët e pranishëm, por edhe për autoritetet civile, si dhe për besimtarët e feve të tjera dhe për të gjithë ata që promovojnë misionin e Kishës, lirinë fetare, paqen botërore dhe të mirën e njeriut.