Kard. Gugerotti në Siri: “Askush të mos i prekë Kishat"
R. V. - Vatikan
Tek besimtarët e Damaskut, në ditën kur kremtohet kthimi i Shën Palit, arrin përqafimi atëror e i përzemërt i Papës Françesku. Kardinali Claudio Gugerotti, Prefekt i Dikasterit për Kishat Lindore, duke iu drejtuar turmës që të shtunën mbrëma e kishte mbushur përplot Memorialin e ngjarjes së mrekullueshme, tha: “Ne duhet të besojmë se në këtë botë edhe ai që është kundër nesh do të kthehet ndër ne, do ta gjejë mënyrën, do të kuptojë se ku të çon udha që shpaloset drejt Parajsës”.
Mesazh, ky, që në Sirinë e sotme, të trazuar dhe të vuajtur, është inkurajim kundër dëshpërimit dhe frikës, por edhe ledhatim që Ipeshkvi i Romës i jep një populli të tërë, që të mos e ndjej më veten të braktisur. Një gjest, që i dërguari i Papës e pa sesi u prit! Pa qindra duar grash, të moshuarish dhe fëmijësh që, pavarësisht mungesës së gjithçkaje, donin të jepnin gjithçka nga vetja për të treguar mirënjohje për këtë vëmendje të jashtëzakonshme, që vinte nga larg.
Thirrje për vëllazërim
Dinjiteti me të cilin të krishterët sirianë i përballojnë vështirësitë e përditshme, në një vend ku gjithçka duket e pezulluar dhe e pasigurt, ku shqetësohesh edhe kur i shikon në sy fëmijët e tu, sepse për ta nuk ka të ardhme, është kujtesë e dhimbshme për Kishën dhe unitetin e saj. Shumë e kanë kuptuan këtë sot, në Damask, dhe shumë e panë rrugën e unitetit vëllazëror si të vetmen mënyrë të mundshme për të përballuar me siguri udhëtimin drejt Sirisë së re.
E pikërisht në frymën e vëllazërisë u zhvillua takimi i përzemërt i të dërguarit të Papës me Patriarkun Ortodoks Sirian, Afremi II, si dhe takimi me krerët fetarë të Patriarkanës Ortodokse Greke, një nga Kishat më të vjetra në vend.
Siria, laborator për të eksperimentuar unitetin
“Sot, së bashku me festën e Shën Palit, përfundon Java e lutjes për unitetin e të krishterëve” - vërejti Imzot Hanna Jallouf, Vikar Apostolik Latin i Halepit, “Ky është vend kthese, ku gjithçka është e mundur, edhe nëse mendojmë për të sundimtarët e rinj. E sigurisht Siria mund të bëhet laborator i privilegjuar, në të cilin mund të jetohet uniteti i thellë i të krishterëve". “Të krishterët e Sirisë nuk duan as ta dëgjojnë fjalën pakicë” - përsëriti Kryepeshkopi ortodoks armen i Damaskut, Armash Nalbandian, në takimin me të dërguarin e Papës, “dhe nuk duan të mbrohen. Në vend të kësaj, duan një atme, në të cilën mund të jetojnë si qytetarë, duke gëzuar të njëjtat të drejta dhe detyra që kanë të gjithë, të garantuara me një Kushtetutë të përbashkët”.
“Kemi nevojë për ndihmë humanitare”
Bashkësia ndërkombëtare sigurisht mund ta mbështesë kërkimin e popullit sirian për drejtësi dhe siguri. E edhe kishat vendase synojnë të japin kontributin e tyre në ndërtimin e Sirisë së re, "por sanksionet duhet të hiqen" - thekson Imzot Nalbandian, duke kujtuar çka mendojnë njerëzit e çka vijon të përhapet gjerësisht. “Por ne kemi nevojë edhe për ndihmë humanitare”, shpjegon kryepeshkopi ortodoks armen i Damaskut, “e, për këtë arsye, i kërkojmë bashkësisë ndërkombëtar t’i përfshijë strukturat organizative dhe bamirëse të kishave, për ta bërë sa më efektive këtë ndihmë për popullatën”.
Takimi me besimtarët e Damaskut, Halepit dhe Homsit
Sot, e dielë, i dërguari i Papës u takua sërish me besimtarët e Damaskut, për të marrë pjesë në liturgjitë e kishave të ndryshme dhe për të çuar bekimin e Atit të Shenjtë. Më pas ai mori rrugën për në Alep dhe Homs, duke çuar më tej përqafimin e Papa Françeskut për Sirinë. "Të krishterët e këtij vendi duan t'i tregojnë botës atë që kanë jetuar" - nënvizon imzot Jalakh, sekretar i dikasterit për Kishat Lindore - kanë nevojë që bota t'i dëgjojë! Për shumë vite janë lënë në mëshirën e fatit. Populli sirian është popull elastik, por aftësia e tij për të reaguar në kushtet më të vështira nuk është e pafundme, duhet mbështetur”.