Kërko

2025.01.09 Urimet nga Trupi Diplomatik në Vatikan për Vitin e Ri 2025.01.09 Urimet nga Trupi Diplomatik në Vatikan për Vitin e Ri

Ambasadorët në Vatikan: Shpresa forcon angazhimin për një botë në paqe

Përshëndetja drejtuar Papës nga përfaqësuesi i Qipros George Poulides në audiencën e sotme me diplomatët e akredituar pranë Selisë së Shenjtë: tema qendrore e Jubileut, së bashku me durimin, janë bagazhi i çdo negociatori të mirë në mënyrë që konfliktet të zgjidhen me dialog dhe solidaritet.

R.SH. – Vatikan

“Diplomacia duhet të ketë guximin për të qenë krijuese për të përforcuar unitetin në diversitet”: fjalët e dekanit të trupit diplomatik në Vatikan dhe ambasadorit të Qipros, George Poulides, tingëllojnë si një angazhim në emër të të gjithë ambasadorëve të akredituar pranë Selisë së Shenjtë drejtuar Papës gjatë audiencës së sotme me rastin e shkëmbimeve të urimit për Vitin e Ri.

Përpara se të dëgjonte fjalimin e Papës, diplomati më i vjetër i akredituar në Vatikan falënderoi Papën "për punën e tij të palodhshme, burim shprese për kaq shumë popuj, për kaq shumë gra dhe burra" dhe theksoi se tema e shpresës që është zgjedhur për këtë Jubile të zakonshëm, përballë ngjarjeve më të fundit dramatike, nxit “një vendosmëri për të luftuar për një të ardhme në paqe, përmes dialogut dhe solidaritetit”. "Shpresa është shpërthyese: e pandalshme në ata që kanë fe, besim tek të tjerët, ajo bashkon brezat, forcon komunitetet", tha ambasadori Poulides duke cituar bullën e shpalljes së Jubileut ‘Spes non Confundit’, në të cilën Papa Françesku nënvizon "urgjencën e sjelljes së shenjave të dukshme e të prekshme të dashurisë dhe mirëkuptimit ndaj atyre që më shumti vuajnë nga çekuilibrat e sistemit tonë shoqëror”. Kështu, "vetëm duke u bërë 'shtegtarë të shpresës' për të sëmurët, të varfërit, të burgosurit, migrantët, të moshuarit dhe të rinjtë, ne mund të riaktivizojmë atë rreth të virtytshëm, i cili, nëpërmjet konfrontimit dhe njohjes së ankthit të të tjerëve, riintegron më të brishtët në familja njerëzore”, pohoi dekani i trupit diplomatik pranë Selisë së Shenjtë.

Shpresa dhe durimi janë koordinatat e një diplomati të mirë

Fjalët e Papës, në mesazhin e Krishtlindjes Urbi et Orbi që shpallën hapjen e Vitit të Shenjtë, "kërkojnë nga si diplomat një rol e impenjim më të guximshëm", vëren ambasadori i Qipros, i cili fton "të dimë si të shfrytëzojmë çdo mundësi për një hapje ndaj të tjerëve, madje qoftë edhe minimale”. E kjo sipas diplomatit të Qipros "kërkon këmbëngulje, përkushtim", sikur ka kujtuar Papa Françesku gjatë udhëtimit të tij apostolik në Belgjikë e Luksemburg, dhe "durim", sa i përket "rrugës së ndërtimit të një Evrope të bashkuar dhe të paqësuar", për çka është e nevojshme "rilidhja e marrëdhënieve dhe rindërtimi i besimit midis kombeve”. Pastaj kohë "duhet t'i kushtohet edhe pritjes së emigrantëve, ndërtimit të shoqërive multikulturore e multifetare", vazhdon ambasadori Poulides, duke shtuar se ""shpresa" dhe "durimi" duhet të jenë koordinatat e çdo diplomati të mirë, në mënyrë që konfliktet të zgjidhen përfundimisht".

Shlyerja e borxhit kompensimi etik dhe moral

Dekani i trupit diplomatik të akredituar pranë Selisë së Shenjtë citoi gjithashtu edhe inkurajimin e Papës, gjatë udhëtimit apostolik në Indonezi, në takimi me Imamin e Madh Nasaruddin Uman në Xhaminë Istiqlal, për të "ecur në kërkim të Zotit dhe për të kontribuar për "ndërtimin e shoqërive të hapura të bazuara në respektin e ndërsjellë dhe dashurinë reciproke”, të gjithë së bashku, “secili duke kultivuar spiritualitetin e tij e duke praktikuar fenë e vet”. Në vazhdim ambasadori Poulides kujtoi fjalët e Papës për "nevojën e një rishpërndarjeje të drejtë dhe të barabartë të burimeve" në Timorin Lindor, Papua Guinenë e Re dhe Singapor. Ambasadori Poulides kujtoi gjithashtu edhe thirrjet e ndryshme të Atit të Shenjtë Françesku drejtuar komunitetit ndërkombëtar "për të qenë përkrah vendeve në vështirësi, në mënyrë që ato të mund të jenë shoqëri më të drejta, të lira dhe të hapura". Dhe, ndër zgjidhjet e ndryshme të propozuara nga Papa, ambasadori i Qipros përmendi "fshirjen e borxhit ekonomik që vendet më të varfra kanë kontraktuar, shpesh me forcë, ndaj vendeve më të pasura", dhe "jo për bamirësi apo keqardhje, por si etikë dhe kompensim moral”, sepse është e domosdoshme të njihet “ekzistenca e një borxhi ekologjik të vendeve të industrializuara ndaj jugut të botës që duhet të paguajë dyfish për shfrytëzimin e të cilit është viktimë”.

Ripërtëritja e zemrës

Së fundi, ambasadori Poulides, duke nënvizuar rëndësinë e ftesës së Papës për t’i hapur "dyert e zemrës" bërë gjatë hapjes së Derës së Shenjtë në burgun romak Rebibbia, më 26 dhjetor të kaluar, theksoi se ndryshimi duhet të fillojë nga ne dhe se ne duhet të mësojmë ta duam e të duam edhe veten, sikur lexojmë në enciklikën Dilexit nos. Bota sot ka nevojë, mes luftërave dhe çekuilibrave, të "rikuperojë 'atë që është më e rëndësishme: zemrën'".

09 janar 2025, 13:15