Në Ukrainën e shkatërruar nga lufta, Krajewski kremton Meshën e Krishtlindjes
R. SH. - Vatikan
“Duhet të rrimë me këta njerëz: në vendin tonë Jezusi do të kishte bërë të njëjtën gjë”. Toni i kardinalit Konrad Krajewski është i qetë, teksa kujton në Vatican News detyrat e misionit të tij të ri në Ukrainë, organizuar për të dorëzuar një kamper mjekësor në Lviv dhe gjashtë aparate ekografie për spitalet e bombarduara. E njeh mirë rrezikun e kësaj nisme, në një tokë që prej disa vitesh jeton në luftë, madje edhe Papa Françesku e di dhe informohet vazhdimisht. “Një mbrëmje tjetër, kur u ktheva në Kiev - vijon Lëmoshtari papnor - më thirri Ati i Shenjtë. Donte të dinte si kryhet ky mision i cili, siç e dimë, është paksa i rrezikshëm”.
Pas një udhëtimi të gjatë, dje kardinali Krajewski dhe nunci apostolik në Ukrainë, Imzot Visvaldas Kulbokas, mbërrijtën në një zonë lufte "ku njerëzit vuajnë". Pranë “kësaj tufe të vogël që mbeti” kremtuan Meshën e Krishtlindjes.
Së bashku për të thyer bukën
Në fotot e dërguara nga kardinali Konrad Krajewski, bien në sy ngjyrat e veshjeve tradicionale të fëmijëve të shumtë në Fastiv, një qytet me 60 mijë banorë, 80 kilometra në jug-perëndim të Kievit, për shfaqjen e djeshme të Krishtlindjes. Ishin “bërë të gjitha me zemër”! Në mesin e tyre - thotë Kardinali - edhe shumë fëmijë të shkollës së muzikës, që mbetën jetimë për shkak të luftës. Atyre iu dhuruan arusha pelushi. Pak më parë, Krajewski kishte shkuar në një strukturë të quajtur "shtëpi sociale", ku jetojnë shumë të moshuar. I vizitoi të sëmurët, duke thyer bukën e bardhë, "zakon, ky, për të uruar Krishtlindjen". Qendra e Shën Martinit de Porres në Fastiv, drejtuar nga etërit domenikanë, është aktive. “Këtu gjetën strehë shumë refugjatë, e po këtu mbërrijnë shumë vullnetarë, që sjellin ushqime, duke filluar nga Kherson, e duke kaluar edhe në qytete të tjera. Rregulltarët kujdesen për popullsinë që ka mbetur në këto zona”. Qendra funksionon prej 19 vitesh. Aty strehohen fëmijë të sëmurë nga familje të shkatërruara, të moshuar, nëna beqare dhe të pastrehë.
Qofshin Krishtlindjet e fundit të luftës
Në fund të ditës, u përurua një mencë për të varfrit, që mungonte që nga viti 2009 kur domenikanët hapën një kuzhinë shoqërore. “Është vend me rëndësi të veçantë për të varfërit dhe refugjatët. Pensioni - shpjegon Kardinali - është rreth njëqind dollarë, me të cilët këta njerëz vërtet nuk mund të përballojnë asgjë, ndaj domenikanët, së bashku me vullnetarët, shumica e të cilëve vijnë nga Polonia, e krijuan këtë mensë”.
“Papa më dërgoi të përshkoj 3 mijë kilometra për të ndarë me ju gëzimin e lindjes së Zotit: të shpresojmë që këto të jenë Krishtlindjet e fundit të luftës. Fejadhe lutja mund të lëvizin malet. Prandaj, nëse besojmë Zotin, kjo luftë absurde do të marrë fund”.
Mrekullitë e sotme
"Në këto çaste - thotë lëmoshtari papnor - më kujtohet gjithmonë Ungjilli (Mt 14,13-21) kur dishepujt e frikësuar shkuan te Jezusi dhe i thanë se ishin pesë mijë njerëz të uritur që nuk kishin asgjë për të ngrënë dhe vetëm pak bukë dhe dy peshq e Ai u tha: "Jepjani atyre, që të hanë" – e kujtoi se edhe këtu ka bujari të madhe, se çdo ditë dikush sjell bukë, një tjetër oriz, makarona, mish, ndaj "deri tani nuk mungon asgjë - përfundon Lëmoshtari - E këto janë mrekullitë e sotme".