Ndriçohet Bredhi i Krishtlindjes në Sheshin e Shën Pjetrit
R. SH. - Vatikan
Skena e lindjes së Krishtit dhe bredhi i Krishtlindjes në Sheshin e Shën Pjetrit u përuruan solemnisht mbrëmjen e së shtunës, më 7 dhjetor. Të pranishëm, drejtuesit e Guvernatoratit të Qytetit të Vatikanit dhe delegacionet, që dhuruan bredhin (me lartësi mbresëlënëse prej 29 metrash, prerë në përputhje me parimet ekologjike të zëvendësimit natyror të pyllit, ofruar nga bashkësia Trentino e Ledros) dhe skenën e lindjes së Krishtit (që përfaqëson një pjesë të lagunës Grado në emër të rajonit Friuli Venezia-Giulia) së bashku me autoritetet qytetare dhe rajonale, si dhe ipeshkvijtë vendas (kryeipeshkvi i Trento Lauro Tisit dhe kryeipeshkvi i Gorizias, Carlo Roberto Maria Redaelli).
Ceremonia u shoqërua edhe me muzikë të interpretuar nga banda e Vatikanit dhe vendet dhuruese. Kardinali Fernando Vérgas Alzaga, kryetar i Guvernatoratit, i falënderoi dhuruesit, duke nënvizuar se këtë vit skena e lindjes së Krishtit dhe bredhi sigurisht që do të soditen nga një numër shumë më i madh besimtarësh të thirrur në Romë në ditët e Krishtlindjes, kur do të hapet Porta Shenjte, natën ndërmjet 24 dhe 25 dhjetorit, ngjarje që do të jetë edhe fillimi i Vitit të Shenjtë 2025.
Paraditen e 7 dhjetorit Papa priti në audiencë delegacionet e dhuruesve të skenës së lindjes së Krishtit, nga Grado, dhe të pemës së Krishtlindjes, nga Trento, së bashku me një përfaqësi nga Palestina. “Përshëndes delegacionin nga Grado, nga territori i të cilit vjen përfaqësia e Lindjes së Krishtit vendosur në qendër të Sheshit dhe atë nga Ledro, nga pyjet e të cilit doli bredhi madhështor, që lartohet aty me 29 metrat e tij” - tha Papa - ashtu si përfaqësia e Ambasadës së Shtetit të Palestinës, Palestinës së torturuar, e cila erdhi për të paraqitur, në emër të qytetit të Betlehemit, këtë “Lindje”, krijuar nga artizanët e Betlehemit. I uroj mirëseardhje të përzemërt autoriteteve civile dhe kishtare të pranishme, veçanërisht Përfaqësuesve të Posaçëm të Presidentit të Palestinës z. Mahmoud Abbas - ai ka ardhur këtu disa herë - Presidentit të Këshillit Rajonal të Friuli Venezia Giulia dhe Presidentit të Provincës së Trentos, Kryeipeshkvit të Gorizias, Kryetarëve të Bashkive të Grados dhe Ledros”.
Papa Françesku u përqendrua, më pas, tek dy simbolet që do të qëndrojnë në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan gjatë gjithë periudhës së Krishtlindjes: “Të emocionon solemniteti i mrekullueshëm i bredhit - tha Papa - Ai, i prerë në përputhje me parimet ekologjike të zëvendësimit natyror të pyllit, ka në trupin e vet shtresimet e shumta të trungut masiv, ato të vjetrat që u dhanë jetë të rejave, e të rejat që mbështollën dhe mbrojtën të vjetrat, të gjitha që naltohen së bashku, lart, drejt qiellit. Mund të jetë një figurë e bukur e Kishës, e njerëzve dhe e trupit, nga i cili drita e Krishtit përhapet në mbarë botën falë brezave të radhës të besimtarëve që mblidhen rreth të njëjtës zanafillë: Jezusit: të lashtët u dhanë jetë të rinjve, të rinjtë rrokin e mbrojnë të moçmit, gjatë misionit në botë dhe rrugës për në Parajsë. Kështu ecën përpara populli shenjt, besnik i Zotit”.
Më pas, duke komentuar domethënien e skenës së lindjes së Jezusit, Papa Françesku vuri në dukje: “Nën hijen e bredhit të madh, skena e lindjes riprodhon një ‘kasone’ të lagunës së Grados, një nga ato shtëpitë e peshkatarëve që ndërtoheshin me baltë dhe kallamishte, ku banorët e "mote", ishujve të vegjël lagunorë, ndanin, gjatë punës së vështirë të peshkimit, gëzimet dhe hidhërimet e përditshme. Ky simbol na flet edhe për Krishtlindjen, në të cilën Zoti bëhet njeri, që të ketë një pjesë të plotë në varfërinë tonë, duke ardhur për të ndërtuar Mbretërinë e tij mbi tokë jo me mjete të fuqishme, por nëpërmjet burimeve të ligështa të njerëzimit tonë, të pastruar dhe të forcuar nga hiri i tij".
“Përsa i përket skenës së lindjes së Krishtit - vazhdoi Papa - ka një shenjë tjetër që do të doja të theksoja: “casoni”-të janë të rrethuar nga uji dhe për të shkuar atje duhet “batela”, varka tipike me fund të sheshtë që të lejon të lëvizësh në ujëra të cekëta. Edhe për të arritur Jezusin duhet një varkë: Kisha është barka. Nuk mund ta arrish Atë "vetëm" - kurrë - mund ta arrish së bashku, në bashkësi, mbi atë varkë të vogël e të madhe që Pjetri vazhdon ta vozisë dhe në të cilën, duke u shtrydhur pak, ka gjithmonë vend për të gjithë. Në kishë ka gjithmonë vend për të gjithë. Dikush mund të thotë: "Po për mëkatarët?". Këta janë të parët, janë të privilegjuarit, sepse Jezusi erdhi për mëkatarët, për të gjithë ne, jo për shenjtorët. Për të gjithë. Mos harroni këtë. Të gjithë, të gjithë, të gjithë brenda".
Më pas shikimi shkoi përsëri tek Toka Shenjte: “Të shohim, më në fund, Skenat e Lindjes së Betlehemit, të ndërtuara në tokën ku lindi Biri i Zotit. Janë të ndryshme nga njëra-tjetra, por të gjitha bartin të njëjtin mesazh paqeje dhe dashurie, atë të Jezusit. Para tyre, ne kujtojmë vëllezërit dhe motrat që, në vend të kësaj, pikërisht atje dhe në pjesë të tjera të botës, vuajnë nga drama e luftës. Me lot në sy lartojmë lutjen tonë për paqe.
“Vëllezër e motra, jo më luftëra, jo më dhunë! A e dini se një nga investimet që jep më shumë të ardhura këtu është në fabrikën e armëve? Të fitosh për të vrarë. Por pse? Jo më luftëra! Paqja qoftë në gjithë botën dhe për të gjithë njerëzit, që Zoti i do” (shih Luka 2,14)