Kërko

Cookie Policy
The portal Vatican News uses technical or similar cookies to make navigation easier and guarantee the use of the services. Furthermore, technical and analysis cookies from third parties may be used. If you want to know more click here. By closing this banner you consent to the use of cookies.
I AGREE
MESHA NË LATINISHT
Programe Podcast

Sinodi: më 7 tetor, asambleja do të punojë në kontekstin e lutjes e të agjërimit

Në kongregacionin e parë të përgjithshëm të Asamblesë Sinodale dje, më 2 tetor, anëtarët e dhjetë grupeve të krijuara nga Papa në shkurt për t'u thelluar në disa tema, së bashku me përfaqësuesit e tre komisioneve, ilustruan në Sallën Pali VI - në prani ose në video - punën e bërë dhe planet e ardhshme. Dialogu i vazhdueshëm me pjesëmarrësit në Sinod, kontributet e ndryshme do të jenë baza e "përgjigjeve", që do t'i paraqiten Papës në vitin 2025

R.SH. - Vatikan

Roli i gruas dhe hipoteza e diakonatit femëror, rreziku i zhdukjes së Kishave Lindore, për shkak të luftës, një "baritori" për ata që ndjekin poligaminë në Afrikë, shpallja e Ungjillit në botën dixhitale, marrëdhëniet ndërmjet ipeshkvijve dhe meshtarëve, si edhe me popullin e Zotit, kriteret e zgjedhjes së kandidatëve për ipeshkvij, një këndvështrim "sinodal" mbi punën e nuncëve apostolikë, dialogu ekumenik. Në kongregacionin e parë të përgjithshëm të Asamblesë së Sinodit të Ipeshkvijve, që u hap dje pasdite me fjalimin e Papës dhe me përshëndetjen e kardinalit Grech, relatori i përgjithshëm, kardinali Jean-Claude Hollerich ua dha fjalën përfaqësuesve të secilit prej dhjetë grupeve të studimit, themeluar nga Papa shkurtin e kaluar për t’u thelluar, teologjikisht dhe kanonikisht, në disa tema. Anëtarët e ndryshëm, paraqitur me një video të shkurtër dhe me një hapësirë kohore prej 3 minutash, ilustruan para asamblesë punën e kryer dhe programet e ardhshme, që parashikojnë një dialog të vazhdueshëm (ndryshe nga ata që supozuan një rrugë "paralele" me Sinodin) ndërmjet etërve dhe nënave sinodale dhe vetë Grupeve. "Përgjigjet" do t'i dërgohen Papës deri në vitin 2025. Pra, një vit pas mbylljes së Sinodit, por duke marrë parasysh kontributet dhe frytet e vetë takimit.

Kard. Grech: “grupet do të punojnë sipas një metode sinodale”

Në një notë të sotme, dita e dytë e punimeve të Sinodit, Sekretari i Përgjithshëm i tij, kardinali Mario Grech, nënvizon se 10 grupet e punës do të veprojnë sipas stilit sinodal, duke mundësuar pjesëmarrjen e të gjithëve. “Këtë na kërkon Ati i Shenjtë kur këshillon që këto grupe të punojnë sipas një metode vërtet sinodale”, shkruan kardinali. “Kjo do të thotë se ato duhet të inkurajojnë pjesëmarrjen efektive të të gjithë anëtarëve, por edhe të hapen për një pjesëmarrje më të gjerë, atë të gjithë Popullit të Zotit”.

Prandaj, nënvizohet në notë, deri në qershor 2025, kohëzgjatja e punës së tyre dhe e asaj të Komisionit të së Drejtës Kanonike, do të jetë e mundur të dërgohen kontribute, vërejtje e propozime. “Barinjtë dhe krerët e Kishës, – shkruan kardinali Grech - por edhe çdo besimtar, burrë apo grua e çdo grup, shoqatë, lëvizje apo bashkësi do të mund të marrin pjesë me kontributin e tyre”. “Sekretaria e Përgjithshme e Sinodit, së cilës Ati i Shenjtë i ka kërkuar të garantojë metodën sinodale të punës së këtyre Grupeve, do të kujdeset të mbledhë materialin që do t'i dërgohet, duke ia transmetuar herë pas here Grupit, ose Grupeve të përfshira”.

Më 7 tetor, asambleja do të punojë në kontekstin e lutjes e të agjërimit

Ndërkaq, më 7 tetor, përvjetori dramatik i sulmit të Hamasit kundër Izraelit, Sinodi i Ipeshkvijve do t’i vazhdojë punimet “në kontekstin e lutjes e të agjërimit”, siç kërkoi dje Papa Françesku. Njoftimin e dha Sekretari i veçantë i Sinodit, imzot Riccardo Battocchio, gjatë konferencës së sotme për shtyp. Kujtojmë se dje, në hapje të asamblesë, Ati i Shenjtë njoftoi edhe se të dielën do të shkojë në Bazilikën e Zojës së Madhe në Romë për të thënë Rruzaren, së bashku me pjesëmarrësit në Sinod. “Rruzarja – njoftoi imzot Battocchio - do të kremtohet në orën 17.00”.

Për gratë diakone nuk është koha për vendime

Po në bisedën me gazetarët, Át Giacomo Costa, Sekretari tjetër i veçantë i Sinodit, nënvizoi se çështja e grave diakone ka nevojë për shqyrtime të mëtejshme. “Më duket se prefekti” i Dikasterit për Doktrinën e Fesë, kardinali Victor Fernandez, vuri në dukje ai, në fjalën e mbrëmshme në asamble, e "tregoi qartë perspektivën, duke thënë se nuk është ende koha për vendime, është mirë që çështja të hulumtohet në thellësi. Nuk është ende e qartë si duhet të konfigurohet diakonati".

I pranishëm imzot Alvarez, ipeshkvi i Nikaraguas, dëbuar nga Ortega

 Së fundi, një notë jo aq anësore. Ipeshkvi i Matagalpës, në Nikaragua, imzot Rolando Alvarez, i dëbuar në Romë nga regjimi i Daniel Ortega-s, pasi u burgos për një kohë të gjatë, është ftuar nga Papa për të marrë pjesë në Sinodin e sinodalitetit. Që dje, ai ndodhet në mesin e pjesëmarrësve, ulur pranë kreut të Konferencës Ipeshkvnore të Kosta Rikës, imzot Javier Gerardo Roman Arias. Imzot Alvarez është i vetmi nikaraguan, që merr pjesë në punimet sinodale, pasi asnjë ipeshkëv tjetër i vendit nuk ka mundur të vijë në Vatikan, për shkak të gjendjes tejet delikate të katolikëve në Nikaragua, ku vijon persekutimi i regjimit të Ortegës.

03 tetor 2024, 16:47
Prev
April 2025
SuMoTuWeThFrSa
  12345
6789101112
13141516171819
20212223242526
27282930   
Next
May 2025
SuMoTuWeThFrSa
    123
45678910
11121314151617
18192021222324
25262728293031