Sinodi: Hollerich, "kemi nevojë për një Kishë të rrënjosur në kulturën e një vendi"
R.SH. – Vatikan
Dita e sotme, e 11-ta e Sinodit mbi sinodalitetin, filloi në praninë e Papës Françesku, me një lutje të përbashkët dhe me leximin e pjesëve biblike dhe ungjillore në gjuhë të ndryshme.
Më pas, relatori i përgjithshëm, kardinali Jean-Claude Hollerich, paraqiti pjesën e tretë të Instrumentum Laboris, në të cilën, vuri në dukje ai, "paragrafi i fundit përqendrohet në 'shërbimin e Ipeshkvit të Romës për unitetin'".
“Besoj se interpretoj mendimin e Atit të Shenjtë, duke përsëritur ftesën për ta trajtuar punën dhe shkëmbimin e opinioneve mbi këtë paragraf me frymë parrezie”, shtoi ai, “Ati i Shenjtë na ka thirrur këtu për të dëgjuar këshillat tona edhe për mënyrën se si të bëhet më i frytshëm shërbimi i tij dhe i Kuries Romake në ditët e sotme. Ai ka të drejtë të dijë se çfarë mendojmë në të vërtetë, duke u nisur nga jeta dhe nevojat e Popullit të Zotit në vendet prej nga vijmë”.
Pjesa e tretë e Instrumentum Laboris: Vendet
Pas paraqitjes së “marrëdhënieve” e të “rrugëve” – pjesa e parë dhe e dytë e Instrumentum Laboris – dokumenti, që orienton punimet e Sinodit të Ipeshkvijve në Vatikan, në pjesën e tij të tretë, e vë theksin mbi “vendet”. "Vendi" nuk përkufizohet thjesht nga pikëpamja gjeografike, ose hapësinore. Ai ka të bëjë me konkreten dhe me karakterin kontekstual të kulturës që e karakterizon, si edhe me veçoritë dinamike të gjendjes njerëzore. Është fjala për kontekstin konkret, në të cilin mishërohen marrëdhëniet, në larminë e përvojave kishtare, në famulli, dioqezë ose eparki, në provincat kishtare e në Kishën Universale. Në këtë fazë, asambleja XVI e përgjithshme e Sinodit do të shqyrtojë tema si promovimi i pjesëmarrjes në Kishën lokale, përmes organizmave të formuar enkas; lidhja ndërmjet Kishave dhe ipeshkvijve; profili dhe funksioni i Sinodit të Ipeshkvijve, si edhe shërbimi për unitetin i Ipeshkvit të Romës, pra i Papës, duke pasur parasysh udhën ekumenike, siç shpjegoi kardinali Hollerich.
Nënë Angelini: larg nga “logjika e mercenarit, që përfiton nga tjetri”
Në meditimin e paradites, murgesha benediktine Ignazia Angelini, së cilës i është besuar reflektimi për pjesëmarrësit në Sinod, nënvizoi se Kisha duhet të largohet nga “logjika e mercenarit, që përfiton nga tjetri”, të heqë dorë nga “dreka e darka për t’u vetëpromovuar, vende, me të cilat është plot kultura bashkëkohore”. Kur Jezusi, siç e përshkruan shën Luka në Ungjill, merr pjesë në ndonjë gosti, vuri re murgesha, ''qëllimi i tij është të ndryshojë, t’i shkundë ndërgjegjet” e jo të ndjekë procedura, norma e hierarki. “Uria e njeriut dhe uria e Zotit takohen, për të kundërshtuar radikalisht çdo sistem fetar, që nuk e vendos njerëzoren në qendër''.
Pasdite, punimet e Sinodit vijojnë në grupe të vogla.