Sinodi, Hollerich: të bëhemi paqeruajtës në shërbim të njerëzimit
R.SH. – Vatikan
Me mendjen në ditën e djeshme, e cila "e ktheu vështrimin dhe zemrën tonë drejt botës së përgjakshme në të cilën jetojmë" përmes lutjes së Rruzares për paqen në bazilikën e Zojës së Madhe, në Romë, kardinali Jean-Claude Hollerich, relator i përgjithshëm i Sinodit, fton pjesëmarrësit në Asamblenë XVI të përgjithshme të Ipeshkvijve të vazhdojnë edhe sot lutjen “përmes praktikës së lashtë dhe tradicionale të agjërimit”. Kujtojmë se sot, 7 tetor, përvjetori i parë i sulmit terrorist të Hamasit kundër Izraelit, Papa shpalli një ditë lutjeje dhe agjërimi për paqen. I gjithë Sinodi ndjek ftesën e Papës, nënvizoi Sekretari i përgjithshëm, kardinali Mario Grech dhe kardinali Hollerich në hapje të punimeve, duke paraqitur Modulin II të Instrumentum laboris kushtuar temës së Marrëdhënieve. “Më duket se lutja për paqe na ndihmon të vendosim në këndvështrimin e duhur punën, që ndërmarrim sot në seksionin e Instrumentum laboris kushtuar 'Marrëdhënieve': dëshira për paqe të jetë horizonti i reflektimit dhe i shkëmbimeve tona. Zoti na tregoftë rrugën për t'u bërë paqeruajtës, në shërbim të gjithë njerëzimit”, pohoi kryeipeshkvi i Luksemburgut, i cili shprehu edhe urimet më të mira për anëtarët e rinj të Kolegjit të Kardinajve, të shpallur dje nga Papa në Engjëllin e Tënzot.
Jeta sinodale e Kishës
Më pas, kardinali hyri në hollësitë e modulit, që duhet të analizohet nga pjesëmarrësit, ndryshe nga sesioni i mëparshëm mbi Bazat, i cili përvijonte horizontin e reflektimit sinodal. Që sot, diskutohet mbi tri pjesë të “Instrumentum”: Marrëdhëniet, Rrugët dhe Vendet. Të gjitha tema, që “e shohin nga këndvështrime të ndryshme jetën misionare sinodale të Kishës”.
Seksioni "Marrëdhëniet" i Instrumentum laboris
Në veçanti, seksioni i Marrëdhënieve trajton perspektivën e lidhjeve me Zotin, ndërmjet vëllezërve në fe dhe ndërmjet Kishave, aspekte "që i japin gjallëri Kishës në mënyrë më radikale sesa strukturat e saj". "Ky rrjet marrëdhëniesh, që u jep njerëzve dhe bashkësive pika referimi dhe orientimi, është i shumëanshëm dhe me shumë lloje nivelesh", shpjegoi kardinali Hollerich, duke hyrë në hollësitë e katër paragrafëve të tekstit mbi temat e fillimit të jetës së krishterë, mbi karizmat dhe shërbesat, mbi meshtarinë e pagëzimit dhe atë të shërbesës, mbi shkëmbimin e "dhuratave" të Shpirtit Shenjt ndërmjet Kishave të ndryshme brenda një Kishe të vetme.
Çfarë pret populli i Zotit
“Sfida” për punën e ditëve të ardhshme është të “sintonizohemi me lëvizjen, që frymëzon Instrumentum laboris”, për të arritur tek “jeta dhe praktikat konkrete të bashkësive tona”, nënvizoi kardinali i Luksemburgut. “Do të ishte e thjeshtë të diskutonim në nivelin e përgjithshëm dhe të kufizoheshim në përsëritjen e rëndësisë së marrëdhënieve për zhvillimin e njerëzve dhe të bashkësive”, pohoi ai, por populli i Zotit pret që ne të japim "këshilla dhe sugjerime" si t’i bëjmë "marrëdhëniet brenda Kishave tona më transparente dhe më të harmonishme". Gjithashtu, si "të kalojmë nga një mënyrë piramidale e ushtrimit të autoritetit në një mënyrë sinodale".
Hapi i fundit
Relatori i përgjithshëm i Sinodit theksoi gjithashtu se Instrumentum laboris, si në këtë pjesë, ashtu edhe në vijim, merr nga Raporti i Sinodit një sërë propozimesh për të cilat u arrit një konsensus vitin e kaluar, por pa një përkufizim përfundimtar. Tani ato propozohen sërish për diskutim, "për ta lënë Asamblenë të bëjë hapin e fundit: puna që kemi filluar një vit më parë tani pret të përfundojë", nënvizoi kardinali. Ai këshilloi që propozimet të jenë konkrete, për t’u dhënë mundësinë Kishave të ndryshme t’ua përshtasin rrethanave të tyre.