Olmert dhe Al-Kidva tek Papa: dialogë për planin e paqes
R.SH. / Vatikan
“Takim i rëndësishëm dhe prekës. Ati i Shenjtë Françesku tregoi interes të jashtëzakonshëm për përpjekjet në shërbim të rivendosjes së paqes në Lindjen e Mesme”.
Ehud Olmert, 78 vjeç, ish-kryeministër i Shtetit të Izraelit, e takoi Papën Françesku, dje paradite, së bashku me ish-ministrin e jashtëm të Shtetit Palestinez, Nasser Al-Kidva dhe me një delegacion aktivistësh të paqes. Olmert, kryeministër deri në vitin 2009, luan një rol të rëndësishme në negociatat për paqen në Lindjen e Mesme. Nën qeverisjen e tij u nënshkrua armëpushimi i luftës në Liban, në vitin 2006. Ai ishte edhe në krye të përpjekjes së fundit të marrëveshjes reale për krijimin e të dy shteteve me presidentin palestinez Mohamud Abbas, si zhvillim i marrëveshjeve të Oslos të vitit 1993, marrëveshje që më pas nuk u arrit.
Olmert pohon: “Papa Françesku na kushtoi vëmendje të jashtëzakonshme për më shumë se gjysmë ore, duke na shpjeguar se ai e ndjek ditë për ditë çdo evolucion të konfliktit dhe se çdo ditë lidhet me të krishterët e Gazës”.
“I paraqitëm Atit të Shenjtë propozimin tonë të paqes për Gazën, që parashikon armëpushimin e menjëhershëm, lirimin e pengjeve izraelite ende robër të Hamasit, së bashku me lirimin e njëkohshëm të një numri të të burgosurve palestinezë në burgjet izraelite, rifillimin e negociatave për krijimin e dy shteteve të veçanta në paqe me njëri-tjetrin”, shpjegon ish-ministri palestinez Al-Kidva, i njohur në Palestinë jo vetëm për qëndrimet e tij në favor të paqes, por edhe si nip i liderit historik të OPL, Yasser Arafat.
U pyet:
Zoti Olmert, si mund të krijohen dy shtete sot me praninë e vendbanimeve të paligjshme gjithnjë e më të gjera të kolonëve izraelitë?
Hamendësojmë, sipas marrëveshjes, aneksimin nga ana e Izraelit të një pjese të territorit, të barabartë me 4% të Bregut Perëndimor të Palestinës, në këmbim të një territori me të njëjtën madhësi, sot brenda kufijve të Izraelit. Një territor që do t'u jepej palestinezëve, i cili lejon një korridor që lidh Bregun Perëndimor dhe Gazën.
Zoti Al-Kidva, çfarë zgjidhjeje mendoni për Gazën?
Izraeli duhet të tërheqë plotësisht ushtrinë e tij nga Gaza dhe të lejojë krijimin e një entiteti palestinez për ta administruar. Ne po mendojmë, si zgjidhje të menjëhershm dhe të përkohshme, krijimin e një Këshilli Komisionerësh të përbërë nga teknokratë dhe profesionistë me vlera të njohura, jo nga përfaqësues politikë. Ky këshill duhet të lidhet me Këshillin e Ministrave të Autoritetit Palestinez, i cili duhet të përgatisë përfundimisht zgjedhjet e përgjithshme në territoret palestineze brenda 24 deri në 36 muajve.
Zoti Olmert, a do të ishte, sipas jush, i mjaftueshëm ky ushtrim i vullnetit të mirë nga të dyja palët për të garantuar paqen e menjëhershme?
Jo. Ne mendojmë gjithashtu se është e nevojshme një "Prani e Përkohshme Arabe e Sigurisë" (TASP), që do të vendoset në Gaza. Ajo, së bashku me tërheqjen e Forcave të Mbrojtjes izraelite (IDF) mund ta stabilizojë situatën. Kjo forcë ndërhyrëse arabe duhet të jetë në ndërlidhje me forcat e sigurisë të Autoritetit Kombëtar Palestinez (PNA) dhe të marrë udhëzime nga Bordi i Komisionerëve. Detyra e saj kryesore duhet të jetë parandalimi i sulmeve të mëtejshme, të mundshme, kundër Izraelit nga Gaza.
Zoti Al-Kidva, si mund të sigurojë zgjidhja me dy shtete një të ardhme paqësore?
Nëpërmjet kërkesës që Shteti i Palestinës të jetë shtet i pamilitarizuar, përveç nevojave të tij të brendshme policore.
Zoti Olmert, a mendoni se do të mbetej i pazgjidhur problemi kryesor: statusi i Jeruzalemit?
Kjo është pika për të cilën Papa Françesku u interesua më shumë në takimin tonë sot. Ne po mendojmë për një statut të veçantë për Jeruzalemin, i cili duhet të drejtohet nga një administratë besuar pesë shteteve (duke përfshirë Izraelin dhe Palestinën), me autoritet të plotë mbi çdo pjesë të qytetit, sipas rregullave të kujtuara herë pas here nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, dhe me një rol të veçantë, që i atribuohet Mbretërisë së Jordanisë, siç është sot rasti për Malin e Tempullit. Në çdo rast mendojmë se Qyteti i Vjetër duhet të jetë jashtë çdo kontrolli politik dhe t'i kushtohet tri feve monoteiste, që e konsiderojnë atë vend të shenjtë lutjeje.
Po për pretendimet e të dyja palëve për ta pasur Jeruzalemin kryeqytet të shtetit të tyre, çfarë mendoni?
Olmert: Jeruzalemi mund të jetë kryeqyteti i Izraelit në pjesët që ishin tashmë Izrael para 5 qershorit 1967, përveç atyre lagjeve hebreje të ndërtuara pas '67-tës, të cilat do të binin në atë 4.4% që përmenda më sipër.
Al-Kidva: dhe Al Quds, kryeqyteti i Palestinës, do të përfshijë të gjitha lagjet arabe që nuk ishin pjesë e Izraelit para luftës së '67.
Një pyetje e fundit, zoti Olmert. Ky plan i artikuluar kaq mirë rrezikon të mbetet mendim i dëshiruar. Është krejtësisht në kundërshtim me synimet e qeverisë aktuale izraelite…
Kushdo që më njeh e di se çfarë mendoj unë për qeverinë e udhëhequr nga Netanyahu dhe e varur nga fanatizmi ekstremist i Ben Gvir dhe Smotrich. Por më ngushëllon fakti që 70% e izraelitëve janë të lodhur nga ky koalicion, nga dëmi i madh që i ka shkaktuar Izraelit dhe vazhdon t’i shkaktojë. Izraeli është demokraci e fortë dhe do të jetë në gjendje ta kapërcejë në mënyrë demokratike këtë qeveri.
Me cilat alternativa?
Shoqëria civile, që prej dy vjetësh demonstron masivisht kundër Netanyahut, do të jetë në gjendje të shprehë një lidership të ri, të cilin ne as nuk mund ta përfytyrojë sot. Sepse, e përsëris, Izraeli është një vend demokratikisht i gjallë dhe solid.