Në Shën Pjetër, kamper për luftën kundër tumorit: trajtime dhe vizita falas për gratë e varfra
R.SH. – Vatikan
Që sot, nën dritaren ku Papa Françesku duket çdo të diel, për të thënë Engjëllin e Tënzot me mijëra besimtarë, ndodhet një kamper i bardhë i shoqatës Komen Italia - "Gara për kurën"(Race for the cure). Në të janë vizatuar tullumbace dhe fjongo rozë, simbol i parandalimit dhe i luftës kundër kancerit, së cilës shoqata i kushton prej vitesh veprimtarinë e saj. I parkuar nën hijen e mureve të lashta të Qytetit të Vatikanit, gjatë gjithë ditës së sotme garanton mamografi dhe radiografi të gjirit për gratë e varfra dhe të pastreha, që jetojnë rreth zonës së Shën Pjetrit, ose strehohen në Qendrën e Shën Martës. Edhe kësaj radhe, siç bën të paktën një herë në muaj, në kamper bëhen vizita, kontrolle, diagnoza dhe “nëse konstatohen patologji, këto gra çohen në spitalin Gemelli për kontrolle të mëtejshme dhe për të gjitha trajtimet e tjera të nevojshme”, shpjegon doktor Massimiliano Ralli.
Një tjetër dhuratë e Papës
Klinika itinerante është nismë e promovuar nga Lëmoshtaria Apostolike dhe u shtohet shërbimeve të shumta për të varfrit, që ofron Papa: nga dushet nën shtyllat e Berninit tek berberi e tek vendstrehimi "Dhurata e Mëshirës", pak hapa nga Sheshi i Shën Pjetrit. "Ati i Shenjtë nuk i braktis kurrë të varfërit e tij", pohon kardinali Lëmoshtar Konrad Krajewski.
Një gjest që shpëton jetë
Karvani i Parandalimit do të kthehet në zonën e Vatikanit pas një muaji. Herën e parë u duk aty më 18 prill dhe deri tani, ka kryer vizita dhe kontrolle për pothuajse njëqind gra të moshave dhe kombësive të ndryshme. Së bashku me shoqatën Komen Italia, bashkëpunojnë për këtë projekt Fondacioni i Poliklinikës Universitare Gemelli dhe Gemelli Isola. Siç shpjegon Ralli, ky është shërbim themelor, sepse vetëm me anë të kontrolleve mund të diagnostikohet tumori në një fazë të hershme dhe të ndërhyhet me sukses. Për gratë, shpesh, edhe të reja, që nuk kanë as ku të lahen, e jo më ku të bëjnë një vizitë mjekësore, sigurisht që është gjest, i cili u shpëton jetën.