Kardinali Zuppi shkon në Moskë, me mision riatdhesimin e të miturve ukrainas
R.SH. – Vatikan
Pas 16 muajsh, kardinali Matteo Zuppi, kryetar i Konferencës Ipeshkvnore Italiane, kthehet në Moskë, për herë të dytë, me një mision të ri, pjesë e nismës humanitare të Selisë së Shenjtë për të gjetur rrugë paqeje për Ukrainën e "martirizuar". Kështu bëri të ditur drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, Matteo Bruni: “Konfirmoj – lexohet në një deklaratë – se kardinali Matteo Zuppi filloi sot një vizitë të re në Moskë, në kuadër të misionit që Papa Françesku ia besoi vitin e kaluar, për të takuar autoritetet dhe për të vlerësuar përpjekje të mëtejshme për favorizimin e bashkimit familjar të fëmijëve ukrainas dhe për shkëmbimin e të burgosurve, me synimin që të arrihet paqja e shumëpritur".
Misioni i qershorit 2023
Kardinali Zuppi pati shkuar në Moskë më 28 dhe 29 qershor 2023, në etapën e dytë të misionit të tij, pas asaj në Kiev, gjatë së cilës u takua me presidentin Volodymyr Zelensky, si edhe para udhëtimeve në muajt e mëpasëm në Uashington dhe Pekin. Gjatë 48 orëve në tokën ruse, kardinali pati një bisedë me Patrikun e Moskës dhe të gjithë Rusive, Kirill. Pastaj, me autoritete të tjera pranë presidentit Vladimir Putin, me të cilët vuri në dukje aspektin humanitar të nismës, sidomos synimin për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve.
Vetë presidenti Zelensky i pati kërkuar ndihmë Selisë së Shenjtë për të kthyer në Ukrainë më se 19 mijë fëmijët, që janë çuar me forcë në Rusi. Kjo, por edhe çështja e gazetarëve të mbajtur në Rusi dhe ajo e të burgosurve të tjerë, u ngrit nga Zelensky edhe në takimin e fundit me Atin e Shenjtë, të premten e kaluar. Si rezultat e përpjekjeve diplomatike të kardinalit Zuppi ka pasur një shkëmbim të burgosurish ndërmjet Moskës e Kievit, përfshirë lirimin e dy meshtarëve redemptoristë, arrestuar nga rusët në nëntor 2022.