Kard. Zuppi në Moskë, Selia e Shenjtë: perspektiva të hapura për paqe dhe bashkëpunim humanitar
R.SH. - Vatikan
Vizita e kardinalit Matteo Maria Zuppi në Moskë bëri të mundur "shqyrtimin e disa perspektivave" për "bashkëpunimin humanitar" dhe "hapjen e shtigjeve" për arritjen e paqes. Kështu thuhet në një njoftim për shtyp nga Zyra e Shtypit e Selisë së Shenjtë në lidhje me vizitën e dytë të presidentit të Konferencës Ipeshkvore Katolike të Italisë (CEI) në Rusi më 14-16 tetor, si i dërguar i Papës "në vazhdimësi me misionin" që i është besuar nga Ati i Shenjtë Françesku.
Takimet institucionale
I shoqëruar nga një zyrtar i Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit, kardinali Zuppi - lexojmë në njoftimin për shtyp - takoi Sergej Lavrov, ministër i Jashtëm, Yuri Ushakov, këshilltar i Presidentit të Federatës Ruse për politikën e jashtme, Marija Lvova-Belova, komisionere në Presidencën ruse për të Drejtat e Fëmijëve dhe Tatiana Moskalkova, Komisionere Presidenciale për të Drejtat e Njeriut. “Bisedimet e zhvilluara bënë të mundur vlerësimin e asaj që është arritur deri tani për bashkimin familjar të të miturve dhe shkëmbimin e të burgosurve, të plagosurve dhe të eshtrave të të rënëve”, njofton Selia e Shenjtë.
Bisedimet me Mitropolitin Antonij
"Gjatë qëndrimit të tij në Moskë - lexojmë më tej - kardinali Zuppi takoi edhe Mitropolitin Antonij të Volokolamsk, president i Departamentit për Marrëdhëniet e Jashtme Kishtare të Patriarkanës së Moskës, me të cilin diskutoi çështje të ndryshme, veçanërisht ato të humanitare". "Në tërësi, vizita mundësoi gjithashtu të shqyrtohen edhe disa perspektiva për vazhdimin e bashkëpunimit humanitar dhe hapjen e shtigjeve për paqen e shumëdëshiruar".