Kërko

 Cardinale Renato Raffaele Martino 2016.07.01 Cardinale Renato Raffaele Martino 2016.07.01

Ka ndërruar jetë në moshën 91-vjeçare kardinali Raffaele Martino

Presidenti i nderit të Këshillit Papnor për Kujdesin Pastoral të Emigrantëve e Endacakëve dhe për Drejtësi e Paqe, ai hyri në diplomacinë e Selisë së Shenjtë në vitet 1960 dhe për gjashtëmbëdhjetë vjet ishte vëzhgues i përhershëm i Vatikanit pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork. Funerali do të bëhet më 30 tetor në Bazilikën e Shën Pjetrit nën kryesimin e Kardinalit Re, dekan i Kolegjit të Kardinajve

R.SH. / Vatikan

Ka vdekur kardinali Renato Raffaele Martino, protodiakon i San Francesco di Paola ai Monti, president nderi i Këshillit Papnor për Drejtësi dhe Paqe dhe i Këshillit Papnor për Kujdesin Pastoral të Emigrantëve dhe Endacakëve. Kardinali Martino u nda nga jeta dje, më 28 tetorit, në Romë në moshën 91-vjeçare.

I lindur në Salerno,Itali, më 23 nëntor 1932, u shugurua meshtar më 20 qershor 1957 dhe u Diplomua në të Drejtën Kanonike. Në vitin 1962 hyri në diplomacinë e Vatikanit dhe punoi në Nunciaturat Apostolike të Nikaraguas, Filipineve, Libanit, Kanadasë dhe Brazilit. Ndërmjet viteve 1970 e 1975 ishte përgjegjës për Seksionin për Organizatat Ndërkombëtare pranë Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit. Në vitin 1986 qe emëruar vëzhgues i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Kombeve të Bashkuara në Nju Jork. Në këtë cilësi ai mori pjesë aktive në konferencat kryesore ndërkombëtare të promovuara nga OKB-ja.

Pas gjashtëmbëdhjetë vjetësh të kaluara në Kombet e Bashkuara në Nju Jork, më 1 tetor 2002 Gjon Pali II e thirri atë të drejtonte Këshillin Papnor për Drejtësi dhe Paqe. Ai pasoi në këtë mision kardinalin francez Roger Etchegaray dhe kardinalin vietnamez François-Xavier Nguyên Van Thuân. Që në fillim të mandatit, kardinali Martino pati një vëmendje të veçantë ndaj situatës së vështirë në Venezuelë dhe ndaj konfliktit të rëndë civil në Bregun e Fildishtë. Mbi të gjitha, nuk mungoi të ngre zëri për situatën tragjike në Lindjen e Mesme.

Gjon Pali II e krijoi kardinal në Konsistorin e 21 tetorit 2003. Më 25 tetor 2004, Dikasteri i Selisë Së Shenjtë që drejtohej prej tij botoi veprën e shumëpritur Përmbledhja e Doktrinës Sociale të Kishës. Në mars 2005, Këshilli Papnor për Drejtësi dhe Paqe, në bashkëpunim me Institute të ndryshme universitare katolike, promovuan një Kongres Ndërkombëtar në Vatikan për të kremtuar 40-vjetorin e Kushtetutës së Koncilit të Dytë të Vatikanit  Gaudium et spes. Që nga 24 tetori 2009 kard. Martino ka qenë president nderi i Këshillit Papnor për Drejtësi dhe Paqe. Për veprimtarinë e tij të vazhdueshme në favor të marrëdhënieve paqësore dhe fitimprurëse midis popujve, promovimit njerëzor dhe kulturës, kardinalit Martino i janë dhënë çmime, vlerësime dhe diploma honoris causa dhe nderime të shumta .

Mesha e dritës e liturgjia e varrimit do të bëhet nesër, e mërkurë 30 tetor, në orën 15:00, në Altarin e Katedrës së Bazilikës së Shën Pjetrit, në Vatikan. Mesha e Dritës do të kremtohet nga kardinali Giovanni Battista Re, dekan i Kolegjit të Kardinajve, së bashku me kardinajtë, kryeipeshkvijtë dhe ipeshkvijtë. Në përfundim të kremtimit Eukaristik, pra, të Meshës së dritës, Papa Françesku do të kryesojë ritin e Porosisë së fundit dhe të Përshëndetjes.

Me vdekjen e kardinalit Martino, kolegji i kardinajve përbëhet nga 233 kardinaj, nga të cilët 121 me të drejtën e zgjedhës dhe 112 jozgjedhës.

29 tetor 2024, 10:01