Jubileu 2025. Imzot Fisichella: “Meshë e Papës më 24 dhjetor, me hapjen e Portës Shenjte”
R.SH. - Vatikan
“Në orën 19 të datës 24 dhjetor, Papa Françesku do të kryesojë Eukaristinë Shenjte në Sheshin e Shën Pjetrit dhe më pas do të vazhdojë me ritin e hapjes së Portës Shenjte”. Këtë njoftoi imzot Rino Fisichella, pro-prefekt i Dikasterit për Ungjillëzimin, Seksioni për Çështjet Themelore të Ungjillizimit në Botë, gjatë konferencës për shtyp në vatikan, gjatë së cilës u paraqitën ngjarjet kulturore, koncertet dhe ekspozitat e planifikuara në Romë, përpara hapjes zyrtare të Jubilelut 2025.
“Ai do të jetë i pari që do të kalojë pragun e Portës dhe do të ftojë të ndjekin shembullin e tij ata, që do të vijnë gjatë vitit, për të shprehur gëzimin e takimit me Jezu Krishtin, shpresën tonë”, vazhdoi ipeshkvi, duke shtuar se hapja e Jubileut do të njoftohet me një koncert të shkurtër kambanash nga Fonderia Papnore e Kambanave Marinelli”. “Kambanat janë tingujt më të dashur për njerëzit dhe në këtë rast ato bëhen shprehja e njoftimit të gëzueshëm të një ngjarjeje të shumëpritur, që më në fund vjen”, komentoi imzot Fisichella. “Papa Françesku, i pari, dëshiron të bëhet shtegtar i shpresës dhe, në këtë mënyrë, siç shkruan në Bulë, më 26 dhjetor, në festën e Shën Shtjefnit, do të shkojë në burgun romak të Rebibbia-s për të hapur edhe në atë vend, simbol i të gjitha burgjeve nëpër botë, Portën Shenjte, shenjë e prekshme e kumtit të shpresës” – ky, njoftimi tjetër jubilar. Për të gjitha ngjarjet jubilare, mund të konsultohet në internet Kalendari i përgjithshëm Jubilar, i ndarë në tre kategori -“Shtegtimi”, “Ngjarje kulturore”, “Ngjarje madhore” – si edhe aplikacioni (App) e portali i realizuar enkas.
Koncertet
Të dielën e ardhshme, më 3 nëntor, në orën 18.00, në auditoriumin e via della Conciliazione, do të mbahet ngjarja e parë kulturore drejt Jubileut. Orkestra e Akademisë së Shën Çeçilies do të interpretojë Simfoninë e Pestë të kompozitorit rus Dimitri Shostakovich (1906-1975), dirigjuar nga maestro Jader Bignamini, aktualisht drejtor muzikor i Orkestrës Simfonike të Detroitit. Më 22 dhjetor, në orën 18, në kishën e Shën Injacit të Lojolës, gjithnjë në Romë, veprimtaria e dytë muzikore. Kori i kapelës muzikore papnore "Siskstina", nën drejtimin e don Marcos Pavan, do të interpretojë kompozime të ndryshme polifonike nga Palestrina (1525-1594; 500-vjetori i lindjes së të cilit kremtohet pikërisht vitin e ardhshëm), Perosi dhe Bartolucci.
Ekspozitat
Një ekspozitë me "Kryqëzimin e Bardhë" të Chagall-it, një ekspozitë ikonash nga Muzetë e Vatikanit dhe ekspozita tradicionale "100 betleheme në Vatikan", janë tre ngjarjet ekspozitive të paraqitura nga imzot Fisichela. “Nga 27 nëntor deri më 27 janar 2025, do të hapet për publikun ekspozita me Kryqëzimin e Bardhë të Marc Chagall”, njoftoi ipeshkvi. “Kemi arritur të marrim një vepër kaq sugjestive dhe unike nga Instituti i Artit në Çikago. Ajo mbërrin në Itali, në Romë, për herë të parë dhe do të ekspozohet në Museo del Corso – Qendra muzeale, në selinë e Palazzo Cipolla, me hyrje falas, çdo ditë, nga ora 10.00 deri në orën 20.00”.
Gjithashtu, disa ikona të rralla, në pronësi të Muzeut të Vatikanit, do të ekspozohen në sakristinë e Borrominit në Kishën e Shën Anjezes, në Piazza Navona, nga 16 dhjetori deri më 16 shkurt 2025. Nga ana tjetër, Ekspozita tashmë tradicionale e “100 betlehemeve në Vatikan”, nga 8 dhjetori 2024 deri më 6 janar 2025, këtë vit i kushtohet Romës, me rastin e Jubileut. Koleksioni i Muzeve të Vatikanit, tha drejtoresha Barbara Jatta, “është shumë i pasur dhe me origjinë të ndryshme. Janë 18 ikonat e përzgjedhura nga kuratorët, të cilët i kanë marrë nga e gjithë zona e Evropës Lindore të krishterë: Greqia, Bullgaria, Ukraina, Rusia, Maqedonia”.
Selia e Shenjtë në Ekspozitën e Osakës
“Ulja e Krishtit nga kryqi” e Caravaggio-s, e huazuar për gjashtë muaj nga Muzetë e Vatikanit, do të jetë vepra në qendër të Pavijonit të Selisë së Shenjtë në Expo 2025, në Osaka, nga 13 prilli deri më 13 tetor. Pavijoni i Selisë së Shenjtë, i projektuar nga arkitekti Mario Cucinella, do të jetë brenda pavijonit italian dhe do të ketë si temë, në harmoni me jubileun, “Bukuria sjell shpresë”. Imzot Fisichella sqaroi se kjo vepër u zgjodh personalisht nga Papa Françesku për Ekspozitën botërore në Japoni. "Një vepër kyçe, një nga më të rëndësishmet e mjeshtrit të madh të shekullit XVII", tha Jatta për kryeveprën e Caravaggio-s: "E menduar për një kapelë private, e lidhur me mjedisin e oratorianëve, por që mund të mishërojë mirë temën e Expo-së: bukurinë, edhe në çastet dramatike, që e nënkupton Ringjalljen. Është një nga veprat më të admiruara në muze”. Dy, ambasadorët e pranisë së Selisë së Shenjtë në Japoni: skulptorët Etsuro Sotoo dhe Cecco Bonanotte, dirigjenti i orkestrës “Tonomi Nishimoto” dhe fumetisti Kan Takahama.
Maskota jubilare
Në përfundim të konferencës për shtyp, u zbulua logoja zyrtare Expo 2025 e Selisë së Shenjtë dhe maskota e Jubileut dhe e Osakës. “Është fjala për ‘Luce’ (Dritën), krijuar nga dëshira për të jetuar edhe brenda kulturës pop, aq e dashur nga të rinjtë”. E lindur nga krijimtaria e Simone Legno-s, Luce është një shtegtare e përshkruar me elementet tipike: pelerinën e verdhë për t'u mbrojtur nga shiu; çizmet e ndotura me baltë nga rruga e përshkuar; kryqi misionar në qafë; shkopi i shtegtarit dhe, mbi të gjitha, sytë e ndritur, simbol i Shpresës së zemrës.