Ior, Kardinali Schönborn, president i ri i Komisionit Mbikëqyrës
R. SH. - Vatikan
Pas një dekade të presidencës së Kardinalit Santos Abril y Castelló, në Komisionin Kardinalor Mbikëqyrës të Institutit për Veprat e Fesë (IOR) sot, 25 tetor, u realizua një dorëzim i ri. Udhëheqja tani iu besua Kryeipeshkvit të Vjenës, kardinalit Christoph. Schönborn, anëtar i Komisionit që nga viti 2014. Konsolidim – siç përcaktohet emërimi në një deklaratë për shtyp nga Instituti - i "punës së kryer në 10 vitet e fundit" nën presidencën e Abril y Castelló, "gjatë fazave fillestare dhe vendimtare në procesin e transformimit” të IOR.
Emërimet e tjera
Në Komision do të bëjë pjesë edhe kardinali Emil Paul Tscherrig, ish-nunc apostolik në Itali dhe në Republikën e San Marinos, ndërsa Bordi i Mbikëqyrjes njofton emërimin e Javier Marin Romano-s si zëvendëspresident. Romano hyri në Këshill në vitin 2016 e, nga shkurti 2020, ishte president i komitetit Audit & Risk. Si anëtar i Këshillit, lexojmë në shënim, “luajti rol udhëheqës në mbështetjen dhe drejtimin e punës së drejtorit të përgjithshëm dhe ekipit ekzekutiv”. Përveç Romanos Këshilli i Mbikëqyrjes njofton gjithashtu emërimin e holandezit Bernard Brenninkmeijer dhe luksemburgezit François Pauly si anëtarë të rinj, të quajtur "profesionistë të profilit shumë të lartë me aftësi solide në drejtimin patrimonial si dhe në bankingun me pakicë në nivel ndërkombëtar" - i pari aktiv në sektorin e asset management në SHBA, në Mbretërinë e Bashkuar dhe Zvicër, edhe ai me përvojë të fituar në pozita të ndryshme drejtuese në Evropë.
Rezultate të qëndrueshme dhe transparencë
Në notë, kardinali Schönborn përsërit dëshirën e tij për të vazhduar "rrugën e përtëritjes të ndjekur nga Papa Françesku, me synimin për të ruajtur dhe për të konsoliduar më tej profesionalizmin, transparencën dhe përputhjen e IOR me rregulloret ndërkombëtare".
Nga ana e tij, presidenti i Bordit të Mbikëqyrjes Jean-Baptiste de Franssu, duke falënderuar kardinalin Abril y Castelló për punën e tij, vëren se përparimi i bërë nga IOR në vitet e fundit "është mjaft i jashtëzakonshëm, siç konfirmohet nga rishikimi i fundit i MONEYVAL, nga rritja e ndjeshme e marrëdhënieve të reja të krijuara të korrespondencës bankare " dhe nga vetë fakti, shton ai, "i përmbushjes së të të gjitha kritereve për regjistrim në Zonën e Pagesave në Euro, SEPA, dhe nga performanca e fortë e rrugëzgjidhjeve të pagesave nga IOR”. Sot, përfundon ai, "qeverisja dhe transparenca e IOR njihen në përkim me standardet më të larta ndërkombëtare" dhe kjo, njëheresh me "rezultatet solide financiare të arritura", i mundëson Institutit "në përputhje me misionin e tij, të dhurojë çdo vit një pjesë të konsiderueshme të fitimeve të saj për “veprat fetare” të Atit të Shenjtë”.