Kard. Parolin: Papa do t'i kërkojë Evropës të rizbulojë vlerat e saj themeltare
R.SH. – Vatikan
Pas udhëtimit më të gjatë të papnisë së tij, që e çoi në Azi dhe Oqeani pak ditë më parë, Papa Françesku largohet sërish nga Vatikani. Ati i Shenjtë niset nesër për në Luksemburg e Belgjikë, në një vizitë, që do të përfundojë më 29 shtator. Si gjithnjë, kardinali Pietro Parolin, Sekretar i Shtetit të Selisë së Shenjtë, i dha përgjegjësit për Radio Vatikanin, Massimiliano Menichetti, një intervistë para udhëtimit papnor, botuar në gazetën vatikanase “L’Osservatore Romano”. Për kardinalin, kjo vizitë do të sjellë largpamësinë e solidaritetit dhe guximin për të ardhmen.
Udhëtimi, shpjegon ai, bëhet në kuadrin e 600-vjetorit të Universitetit Katolik të Luvënit, në Belgjikë, por Papa shkon edhe në Luksemburg. Të dyja janë vende themeluese të Bashkimit Evropian dhe seli e institucioneve të tij, ku shpesh, krishterimi, “megjithëse formalisht ende shumicë, duket se nuk konsiderohet më si horizont i jetës dhe pothuajse, është mënjanuar nga shoqëria”.
Trashëgimia e etërve themelues
Vërtet, Evropa nuk është e një mendjeje për temat e jetës e të migrantëve, për shembull, e aktualisht, kërcënohet nga lufta. Nëse etërit themelues, si Schuman, De Gasperi, Adenauer, qenë në gjendje të propozojnë një rend të ri, për të shmangur nacionalizmat e skajshëm, që patën shkaktuar Luftën II Botërore, tani, “përkundrazi, Evropa e ka humbur pak kujtesën e pamjeve katastrofike të së kaluarës, prandaj, rritet rreziku i rënies në gabimet tragjike të atëhershme”. Kardinali Parolin uron që vizita e Papës të jetë rast i volitshëm për rizbulimin e vlerave bazë evropiane. “Ndërsa në vitin 1945, popujt evropianë u nisën drejt së ardhmes, të cilën mund ta imagjinonin vetëm më të mirë se e kaluara, sot, - vëren Sekretari i Shtetit të Vatikanit - ata duket se e mendojnë të ardhmen si kohë krejtësisht të panjohur, ose edhe më të keqe se e kaluara e afërt. Kjo mënyrë të menduari ndikon në vetë aftësinë për t'u hapur ndaj jetës dhe përhap një atmosferë pesimizmi, ku shpresa nuk ekziston. Por Ati i Shenjtë është shtegtar shpresës. Ai dëshiron që Evropa të rizbulojë arsyet, në bazën e ndërtimit të saj, në mënyrë që të dijë të trajtojë çdo çështje, qoftë edhe ato me natyrë ekonomike apo migratore, me një frymë largpamëse solidariteti, duke rizbuluar guximin për të ardhmen dhe duke mposhtur “dimrin demografik””.
Populizmat, polarizimi e frika
Duke pasur parasysh gjendjen aktuale të politikës evropiane, kardinali Parolin vë në dukje se popujt janë lodhur prej saj e kjo i hap rrugën populizmave, polarizimit e frikës. Këto propozime premtojnë shumë, por bëjnë pak e madje, mund të prishin më shumë se të ndreqin. Pikërisht këtu duhet të ndërhyjë Kisha – “eksperte në humanizëm” – e ky është edhe impenjimi i Atit të Shenjtë, që përdor gjuhën e përgjegjësisë, të moderacionit, të paralajmërimit të rreziqeve kur përshkohen rrugë të papërshtatshme. Është gjuhë jo aq e thjeshtë, që nuk jep zgjidhje të menjëhershme, por është realiste, është gjuha e Ungjillit dhe e urtisë së krishterë, që nuk premton Parajsën pa kaluar nëpër Udhën e Kryqit.
Plakja e Evropës
Një nga argumentet, që Papa e ka përmendur shpesh është plakja e Evropës, ulja e numrit të lindjeve. “Besoj – komenton kardinali Parolin - se për të luftuar rënien dramatike të lindshmërisë, janë të nevojshme dhe urgjente një sërë veprimesh nga subjekte të veçanta. Kisha, shtetet, organizatat e ndërmjetme duhet të ndërgjegjësohen të gjithë për rëndësinë, do të guxoja të them 'jetike' të kësaj teme dhe të ndërhyjnë me një sërë masash, nëse është e mundur, të koordinuara mirë. Duke menduar për baritorinë kishtare, sigurisht duhet të planifikohet dëgjimi i kujdesshëm i familjeve, për të identifikuar nevojat e tyre të vërteta e për t'u dhënë ndihmë”. Sekretari i Shtetit të Vatikanit nënvizon se familjet duhen ndihmuar konkretisht, duke zhdukur të gjitha pengesat, që nuk i lejojnë të kujdesen si duhet për jetën e re. Por, vëren ai, baritoria më e mirë familjare është ajo, që u ngulit njerëzve shpresën në mendje e në zemër. “Pa shpresë, pa bindjen e thellë për ndihmën e Provanisë Hyjnore në jetën tonë, …çdo vështirësi, edhe pse reale, do të zmadhohet” edhe më shumë.
Njohja e rrënjëve të krishtera të Evropës
Kardinali Parolin përmend më pas rëndësinë e njohjes së rrënjëve të krishtera të Evropës. “Përgjatë shekujve, krishterimi ka ndikuar thellë në panoramën evropiane. Dëshmi për këtë janë katedralet, universitetet, arti, zhvillimi i institucioneve dhe një mijë aspekte të tjera që, si të thuash, e kanë bërë Evropën ashtu siç e njohim”. Por, në Kushtetutën Evropiane nuk përmendet qartë lidhja me këtë trashëgimi kulturore, me pretendimin për të mos fyer askënd. Veçse rezultati është një lloj çorientimi, i cili nuk e ndihmon ndërtimin e Evropës. “Nëse ajo synon të jetë një zë që dëgjohet, një zë me autoritet në botën e sotme… duhet të rizbulojë madhështinë e vlerave që e kanë frymëzuar... Selia e Shenjtë – thekson prelati - mund t'i shoqërojë popujt evropianë në këtë fazë delikate, duke i nxitur të vazhdojnë rrugëtimin e tyre me besim dhe të mos kenë frikë nga lidhja e fortë me vlerat, që e kanë frymëzuar jetën dhe shoqërinë evropiane. Në këtë mënyrë, Evropa do të gjejë hovin e ri ideal, që do t'i mundësojë të përballet me sfidat e ndërlikuara të këtyre viteve”.
Urimi për vizitën e Papës
Në përfundim të intervistës, Sekretari i Shtetit të Vatikanit uron që udhëtimi i Papës në Blegjikë e Luksemburg të jetë “si një shkëndijë, që ndez një dritë më të madhe. “Një shkëndijë, për të nxjerrë në pah të gjithë potencialin e së mirës së pranishme në Kishë dhe në shoqëri, një dritë që u jep guxim atyre, që dorëzohen para dekadencës. Shpresoj dhe uroj që vizita e Papës të jetë mundësi për një reflektim të thellë mbi Evropën dhe mbi mënyrën e të qenit Kishë në Evropën e sotme. Uroj të jetë një moment, në të cilin besimtarë e jobesimtarë të dëgjojnë fjalët e Pasardhësit të Shën Pjetrit dhe të krahasojnë mënyrën e tyre për të jetuar e për të vepruar në botë me propozimin që vjen nga Ungjilli”.