Kërko

Kardinali Pietro Parolin ne Nju Jork Kardinali Pietro Parolin ne Nju Jork

Parolin në OKB: emri i paqes është zhvillim, eliminim i borxhit të jashtëm dhe i armëve bërthamore

Sekretari i Shtetit të Vatikanit foli në Samitin e së Ardhmes gjatë sesionit të 79-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së: "Samit shprese në kontekstin e krizës së multilateralizmit". Kardinali theksoi se dialogu, eliminimi i varfërisë dhe vendosja e normave për Inteligjencën Artificiale janë hapat për të ndërtuar të ardhmen. "Rezerva" nga ana e Selisë së Shenjtë mbi konceptet e përdorura në "Paktin për të Ardhmen" lidhur me abortin dhe gjininë

R.SH. – Vatikan

Paqja, ajo që mund të arrihet vetëm me dialog. Pastaj, eliminimi i varfërisë, promovimi i zhvillimit të gjithanshëm njerëzor, barazia dhe dinjiteti sovran i kombeve, eliminimi i plotë i armëve bërthamore dhe i borxhit të jashtëm të popujve. E më tej, rreziqet dhe mundësitë e Inteligjencës Artificiale, "ëndrra" për të punuar së bashku për drejtësinë e paqen, koncepte që duken të vjetra dhe utopi. Së fundi, disa rezerva dhe saktësime për “të drejtat riprodhuese”, abortin, gjininë dhe identitetin seksual. Të gjitha këto tema ishin pjesë e fjalimit të Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinalit Pietro Parolin, i cili dje, 23 shtator, foli në Samitin e së Ardhmes, në Sesionin e 79-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, në Nju Jork. Kardinali, që do të qëndrojë në SHBA deri të hënën, më 30 shtator, do të marrë pjesë në Javën e Nivelit të Lartë 2024, së bashku me krerët e shteteve dhe të qeverive mbledhur në Nju Jork, si edhe do të kremtojë meshën për 60-vjetorin e Selisë së Shenjtë në OKB.

Kriza e multilateralizmit

Sekretari i Shtetit të Vatikanit reflektoi mbi krizën serioze, që po kalon sistemi shumëpalësh. Dëshmi e kësaj është "erozioni i besimit ndërmjet kombeve", siç tregohet nga intensiteti në rritje i konflikteve. "Ky samit duhet të jetë arsye për shpresë", pohoi kardinali Parolin, duke cituar Papën. Më pas, e hodhi vështrimin drejt së ardhmes, e cila, sipas tij, duhet të ndërtohet mbi bazën e parimeve si "dinjiteti hyjnor i çdo individi”, “promovimi i zhvillimit të gjithanshëm njerëzor”, “barazia dhe dinjiteti sovran i të gjitha kombeve dhe rikrijimi i besimit ndërmjet tyre”.

Eliminimi i varfërisë

Këto parime duhet të ndiqen nga veprime. Para së gjithash, “eliminimi i varfërisë”, objektiv prioritar, pasi “zhvillimi është emri i paqes”, nënvizoi kardinali Parolin. "Një e ardhme në paqe dhe begati kërkon vullnetin politik për përdorimin e të gjitha mjeteve të mundshme drejt zhvillimit të qëndrueshëm". E kjo ka nevojë për “reformimin e institucioneve financiare ndërkombëtare, ristrukturimin e borxhit dhe zbatimin e strategjive për shlyerjen e tij”.

Çarmatim i përgjithshëm

Së dyti, paqja. Sekretari i Shtetit të Vatikanit nënvizoi se për ta arritur, është i nevojshëm çarmatimi i përgjithshëm dhe eliminimi i armëve bërthamore. Kardinali Parolin bëri thirrje të mos shihen interesat e ngushta gjeopolitike dhe t'u rezistohet grupeve të fuqishme ekonomike. E interesa të tilla kanë të bëjnë edhe me Inteligjencën Artificiale, përdorimi i së cilës duhet rregulluar me ligj. Selia e Shenjtë, vërejti prelati, "shpreson në një kuadër rregullator për etikën e Inteligjencës Artificiale", ku të parashikohet "mbrojtja e të dhënave, përgjegjësia, ndikimi në paragjykimet dhe në punësimin” e njerëzve.

Të drejtat riprodhuese, aborti, gjinia

Kardinali u ndal në Paktin e OKB-së për të Ardhmen, duke shprehur disa “rezerva” të Selisë së Shenjtë. Para së gjithash, termat "shëndeti seksual dhe riprodhues" dhe "të drejtat riprodhuese": "Selia e Shenjtë beson se këto terma përdoren për një konceptim të gjithanshëm të shëndetit, dhe përfshijnë, secili në mënyrën e vet, personin në tërësinë e personalitetit të tij, me mendje e trup. Gjithashtu, favorizojnë arritjen e pjekurisë personale në seksualitetin dhe dashurinë e ndërsjellë dhe në procesin e vendimmarrjes, që karakterizon marrëdhëniet martesore ndërmjet një burri dhe një gruaje, në përputhje me normat morale”, sqaroi Sekretari i Shtetit të Vatikanit.

“Selia e Shenjtë – vazhdoi ai – nuk e konsideron abortin ose mundësinë për abort e për abortues si përmasë të këtyre termave”. Për sa i përket “gjinisë”, Selia e Shenjtë e kupton gjithmonë termin “si të bazuar në identitetin seksual biologjik, që është mashkullor, ose femëror”.

Thirrje për dialog

Së fundi, kardinali përmendi zhvillimin e gjithanshëm njerëzor, që ka për bazë dinjitetin dhe si mjet, dialogun. “Sot ndjenja e përkatësisë në një familje të vetme njerëzore po zbehet dhe ëndrra për të punuar së bashku për drejtësi dhe paqe duket e vjetëruar dhe utopike”, përfundoi Parolin, “nuk ka nevojë të jetë kështu, nëse ekziston vullneti për t'u impenjuar në një dialog të vërtetë".

24 shtator 2024, 10:25