Nga tuneli i luftës, në atë të vëllazërisë
R.SH. / Vatikan
ANDREA TORNIELLI
Aty janë tunelet e luftës dhe të terrorit, ata që përdoren për të fshehur ushtarët, milicët dhe pengjet. Po janë edhe tunelet e krijuara për të bashkuar njerëz të besimeve të ndryshme në miqësi. Në Xhakartë, xhamia Istiqlal, më e madhja në Azinë Juglindore dhe Katedralja Katolike e Zojës së Ngjitur në Qiell, janë përballë njëra-tjetrës, afër, por të ndara nga një rrugë me tri korsi. Është restauruar një nënkalim i vjetër, i zbukuruar me vepra arti, shndërruar në “tunelin e vëllazërisë” për të lidhur vendin e faljes së myslimanëve - me atë të kremtimit të Eukaristisë të të krishterëve. Në një botë në flakë, ku bëhen luftëra të përshkruara nga media e edhe të harruara, ku duket se mbizotëron dhuna dhe urrejtja, ne duhet të gjejmë rrugë miqësie, të vëmë bast për dialogun dhe paqen, sepse jemi "të gjithë vëllezër".
Këtë na dëshmon Pasardhësi i Pjetrit, ndërtues urash. Sot Françesku nis fluturimin e drejtpërdrejtë për në Azi dhe Oqeani, për udhëtimin më të gjatë të papnisë së tij: nga Indonezia - vendi më i madh mysliman në botë - në Papua Guinea e Re - për t’u kthyer pastaj në Timorin Lindor dhe, në fund, në Singapor.
Shtegtim për të qenë pranë të krishterëve, ku ata janë "grigjë e vogël", si në Indonezi; ose ku përfaqësojnë pothuajse të gjithë popullsinë, si në Timorin Lindor. Udhëtim për t’i takuar të gjithë dhe për të ripohuar se ne nuk jemi të dënuar me mure, barriera, urrejtje dhe dhunë, se gratë dhe burrat e feve, grupeve etnike dhe kulturave të ndryshme mund të bashkëjetojnë, të respektojnë njëri-tjetrin, të bashkëpunojnë.
Edhe pse e planifikuar katër vjet më parë dhe më pas e shtyrë për shkak të pandemisë, vizita në Azi dhe Oqeani sot fiton vlerë profetike. Ipeshkvi i Romës, me stilin e Shenjtit të Asizit, emrin e të cilit mban, paraqitet i pambrojtur, pa qëllime pushtimi a prozelitizmi, i etur vetëm për të dëshmuar bukurinë e Ungjillit duke shkuar deri në Vanimo, qytet me nëntë mijë shpirtra, me pamje nga 'Oqeani Paqësor.
Kjo e pati shtyrë paraardhësin e tij, Palin VI, i cili më 29 nëntor 1970, në bordin e një avioni të vogël, arriti në Apia, në Samoan e pavarur, për të kremtuar Meshën në një altar të vogël në Leulumoega, për disa qindra banorë të ishullit.
E po kjo e shtyu edhe Gjon Palin II ta vizitonte disa herë këtë zonë të botës, duke e bërë atë, që e pati thënë më 20 nëntor 1986 në Singapor, në lidhje me "thelbin e vërtetë" të mësimit të Jezusit: "Dashuria u përgjigjet bujarisht nevojave të të varfërve, ndjen keqardhje për ata që vuajnë. Dashuria, e gatshme të ofrojë mikpritje, është besnike edhe në kohë të vështira. Është gjithnjë e gatshme të falë, të shpresojë dhe t'i shndërrojë mallkimet në bekim. “Dashuria nuk mbaron kurrë” (1 Kor 13, 8). Urdhrimi i dashurisë është pikëmbështetja e Ungjillit".