Kardinali Parolin në Nju Jork për Asamblenë e Përgjithshme të 79-të të OKB-së
R.SH. / Vatikan
Nga nesër, 22 shtator, deri të hënën më 30, Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali, Pietro Parolin, do të udhëtojë në Nju Jork për të marrë pjesë në Sesionin e 79-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Kështu bëhet e ditur nga një postim në X në faqen e Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit, @TerzaLoggia, duke informuar se kardinali Parolin do të marrë pjesë në Samitin e së Ardhmes dhe Javën e Nivelit të Lartë 2024, së bashku me krerët e Shteteve dhe qeverive të mbledhur në selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork. Kardinali Parolin do të kremtojë gjithashtu edhe një Meshë për 60-vjetorin e Selisë së Shenjtë në OKB.
Asambleja e Përgjithshme e 79-të e Kombeve të Bashkuara do të përqendrohet në promovimin e zgjidhjeve shumëpalëshe të bazuara në Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe do të përshpejtojë përpjekjet për të zbatuar Axhendën 2030 dhe Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm. Ndër prioritetet janë mbështetja e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare, promovimi i zhvillimit të qëndrueshëm, lufta kundër ndryshimeve klimatike, humbja e biodiversitetit dhe ndotja.