Kard. Parolin: Papa do të çojë afërsi dhe paqe në Azi dhe Oqeani
R.SH. / Vatikan
Katër shtete presin Papën, i cili nga 2 deri më 13 shtator do të udhëtojë në Azi dhe Oqeani, për të çuar dritën e Krishtit. Do të jetë dëshmitar i dialogut për të ndërtuar një realitet vëllazëror dhe solidar. Në prag të këtij shtegtimi të 45-të apostolik, Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, thekson për mediat e Vatikanit sa e rëndësishme është afërsia me popujt e botës në papninë e Françeskut dhe nënvizon se paqja, në një botë të plagosur nga luftërat dhe dhuna, arrihet me takim, duke hyrë në marrëdhënie të sinqerta e pa egoizëm. Kardinali nuk do të niset sot me avionin papnor, sepse të martën, më 3 shtator, do të kremtojë funeralin e nënës së tij Ada, e cila vdiq më 31 gusht, në moshën 96-vjeçare, në Schiavon, në provincën italiane të Viçencës. Kjo intervistë u realizua më 27 gusht.
Shkëlqesi, Papa po përgatitet të niset për shtegtimin e tij më të gjatë: do të vizitojë Indonezinë, Papua Guinenë e Re, Timorin Lindor dhe Singaporin. Në çka shpreson e Françesku?
Shpresa e parë që Papa Françesku mbart në zemrën e tij, është ajo e takimit: takimi personal me popullsinë e vendeve që do të vizitojë. Është fjala për të shprehur edhe një herë temën e afërsisë, afërsisë që e karakterizon kështu stilin e papnisë së tij, shprehje e rëndësishme e së cilës janë shtegtimet apostolike: afërsi për të dëgjuar, afërsi për të përballuar vështirësitë, vuajtjet dhe pritjet e njerëzve, afërsi për t'u çuar të gjithëve gëzimin, ngushëllimin dhe shpresën e Ungjillit. Duke perifrazuar Shën Palin VI, do të thosha se sa më larg - gjeografikisht - të jenë vendet ku shkon Ati i Shenjtë, aq më shumë e ndjen në zemër këtë urgjencë.
Indonezia është vendi mysliman më i populluar në botë: këtu Kisha është e angazhuar për të forcuar vëllazërinë në dëshmi, në një realitet pluralist që përballon edhe probleme shoqërore e politike. A do të mundet prania e Pasardhësit të Pjetrit ta çojë përpara këtë rrugë uniteti?
Ato që Papa do të vizitojë janë territore me shumëllojshmëri kulturash, besimesh dhe traditash fetare. Realitete vërtet pluraliste! Po mendoj në veçanti për Indonezinë, ku falë edhe Pancasilës, pesë parimeve mbi të cilat bazohet kombi, marrëdhëniet ndërmjet grupeve të ndryshme deri tani janë jetuar, në thelb, nën flamurin e pranimit të të tjerëve, të respektit të ndërsjelltë, dialogut, moderimit. Kundër çdo tendence për ta ndryshuar këtë situatë, kundër çdo tundimi ndaj radikalizmit, fatkeqësisht i pranishëm në çdo pjesë të botës, fjalët e Atit të Shenjtë dhe gjestet e tij do të jenë ftesë e fortë dhe urgjente për të mos braktisur rrugën dhe do të kontribuojnë në mbështetjen dhe inkurajimin e vëllazërisë, që është, siç i pëlqen të thotë, unitet në dallim. Në dritën e këtij parimi duhet të trajtohen edhe problemet sociale dhe politike, që e sfidojnë këtë arkipelag të madh.
Në Papua Guinea e Re Papa do të takojë popuj me traditë të lashtë e me fe të fortë. Në këtë vend tejet të pasur me burime - e shumë të varfër, ku natyra është e pandotur, përballen sfidat e ndryshimeve klimatike, por edhe të shfrytëzimit dhe korrupsionit. Port Moresby konsiderohet si një nga qytetet më të rrezikshme në botë. A do të sjellë vizita e Papës një drejtim të ri?
Po, edhe në Papua Guinenë e Re nuk mungojnë shenjat e kontradiktës: pasurisë së jashtëzakonshme të burimeve shpesh i kundërvihet varfëria e madhe, e shkaktuar nga padrejtësia, korrupsioni, pabarazitë politike dhe ekonomike, ashtu siç përballet bukuria e pacenuar e krijimit, me pasojat dramatike të ndryshimeve klimatike dhe shfrytëzimin pa kriter të pasurive të natyrës. Papa Françesku synon të bëjë të gjitha përpjekjet e mundshme - nga ana e institucioneve politike, feve, por edhe duke bërë thirrje për përgjegjësinë e secilit individ - për të provokuar një kapërcim ndryshimi, në kuptimin e angazhimit jetik dhe të vazhdueshëm në drejtim të drejtësisë, të vëmendjes ndaj më të varfërve dhe të kujdesit për shtëpinë e përbashkët.
Timori-Lindor do të jetë caku i tretë i shtegtimit papnor. Këtu u jetuan vite vuajtjesh, deri në fitimin e pavarësisë, 25 vjet më parë. Vendi do të hyjë në Asean vitin e ardhshëm, por mbeten pabarazi të forta ndërmjet periferisë dhe qendrës. Çfarë mesazhi do të sjellë Françesku në këtë vend, ku besimi dhe historia ndërthuren në mënyrë të pandashme?
Duke ndjekur personalisht Timorin Lindor në vitet në të cilat isha zyrtar i Sekretarisë së Shtetit të Selisë së Shenjtë, isha dëshmitar i drejtpërdrejtë i vuajtjeve që rënduan mbi historinë e tij. Kisha ndjesinë se ishte situatë krejtësisht e mbyllur, e bllokuar. Prandaj, çka ndodhi 25 vjet më parë, me arritjen e pavarësisë, e konsideroj gjithnjë si një lloj “mrekullie”. Feja e krishterë, që e bën Timorin e Lindjes vendin e parë katolik në Azi, luajti rol vendimtar në shoqërimin e përpjekjeve drejt këtij qëllimi. Tani mendoj se e njëjta fe, edhe nëpërmjet formimit më të thelluar shpirtëror, duhet t'i gjallërojë timorezët në transformimin e shoqërisë, tejkalimin e ndarjeve, luftën efektive kundër pabarazive dhe varfërisë dhe përballimin e dukurive negative, si dhuna ndërmjet grupeve rinore dhe dhunimi i dinjitetit të gruas. Prania e Atit të Shenjtë sigurisht do të japë një shtytje vendimtare në këtë kuptim.
Ndalesa e fundit e këtij udhëtimi të Papës do të jetë qytet-shteti i Singaporit, një vend ku fetë e ndryshme bashkëjetojnë në harmoni. Si mundet Papa të promovojë më tej dialogun ndërfetar dhe të forcojë lidhjet ndërmjet komuniteteve të ndryshme në vend?
Singapori, ndalesa e fundit e shtegtimit të gjatë, përfaqëson shembullin e bashkëjetesës paqësore në shoqërinë e sotme me shumë kultura e fe. Do të vizitojmë një qytet-shtet, që pret njerëz nga e gjithë bota, një mozaik kulturash dhe traditash të ndryshme fetare e shpirtërore. Papa Françesku do të takojë veçanërisht të rinjtë e përfshirë në dialogun ndërfetar dhe do t'ua dorëzojë atyre të ardhmen e kësaj rruge, në mënyrë që ata të bëhen protagonistë të një bote më vëllazërore dhe më paqësore.
Ky shtegtim i Papës në Azi a mund të hapë ura të tjera dhe të forcojë më tej marrëdhëniet ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe vendeve aziatike?
Në përgjigje të kësaj pyetjeje, po nisem pikërisht nga Singapori, popullsia e të cilit është kryesisht kineze etnike e që, si rrjedhim, përbën një vend të privilegjuar për të dialoguar me kulturën dhe popullin kinez në përgjithësi. Indonezia, siç u tha, është vendi mysliman më i populluar: vizita në Xhakartë mund të ofrojë mundësi të favorshme për një takim të mëtejshëm me Islamin, në komponentin e tij aziatik, por jo vetëm. Dy - së shpejti tre - nga vendet e përfshira në vizitën papnore janë anëtarë të Shoqatës së Kombeve të Azisë Juglindore (ASEAN), bashkësi që përfshin gjithashtu kombe të tjera të rëndësishme në zonë, si për shembull, Vietnamin dhe Mianmarin. Afërsia dhe mesazhi i paqes që Papa Françesku do t’u sjellë gjatë këtij udhëtimi, synojnë njëlloj në të gjitha këto realitete.
Në këtë çast të tensioneve të mëdha ndërkombëtare për shkak të luftërave, veçanërisht në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme, kjo vizitë është një farë shprese, dialogu dhe vëllazërimi. Si mund të rrisim ndërgjegjësimin e bashkësisë ndërkombëtare dhe konkretisht të ndërtojmë paqen në një botë që duket se po shkon drejt humnerës?
Rikthehem tek konceptit i afërsisë dhe i miqësisë, që u përmend më lart. Për të mbrojtur paqen, duhet ta detyrojmë veten të përvetësojmë ato qëndrime, që propozon çdo udhëtim apostolik: të takohemi, të shikojmë njëri-tjetrin në sy dhe të flasim sinqerisht. Takimi i drejtpërdrejtë, nëse frymëzohet nga kërkimi i së mirës së përbashkët dhe jo nga interesa të veçanta e, në fund të fundit, egoiste, mund të hyjë edhe në zemrat më të pandjeshme dhe të ngurtësuara dhe ta bëjë të mundur dialogun respektues dhe ndërtimtar