Jubileu, Papa: jeta e krishterë është një shtegtim drejt Zotit
R.SH. / Vatikan
Papa Françesku, në mesazhin për Ditën Botërore të Rinisë 2024 që do të kremtohet në Kishat e veçanta më 24 nëntor të ardhshëm, përfiton nga rasti për t’u drejtuar një thirrje të rinjve që do të nisen për udhë me rastin e Jubileut 2025.
"Të dashur të rinj", shkruan Ati i Shenjtë, "ajo që unë ju rekomandoj është kjo: vihuni për udhë jo si turistë të thjeshtë, por si shtegtarë. Kjo do të thotë, se ecja juaj nuk duhet të jetë thjesht kalim nëpër vendet e jetës në mënyrë sipërfaqësore, pa kuptuar bukurinë e asaj që hasni, pa zbuluar domethënien e rrugëve të përshkuara, duke kapur momente të shkurtra, te përvoja kalimtare për t'u fiksuar në një selfie. Turisti e bën këtë. Nga ana tjetër, shtegtari zhytet me gjithë zemër në vendet që ndesh, i bën të flasin, i bën pjesë të kërkimit të lumturisë''.
Papa shpreson se do të jetë e mundur që shumë të rinj të vijnë në Romë me rastin e Jubileut në një shtegtim për të kaluar dyert e shenjta. Për të gjithë, në çdo rast, do të ketë mundësi që ky shtegtim të bëhet edhe në Kishat e veçanta vendore, për të rizbuluar, kështu, vendet e shenjta të shumta që ruajnë trashëgiminë e fesë dhe devotshmërinë e popullit të shenjtë dhe besnik të Zotit. Dhe urimi im, shkruan Papa, është që shtegtimi jubilar të bëhet për secilin prej nesh “një moment takimi jetësor dhe personal me Zotin Jezus, që është “Dera e shpëtimit””..